Mad Max Fury Road (2015) – Recensim

Mad Max franshiza edhe ashtu është një botë në vete në botën e kinematografisë. Geroge Miller ka bërë punë të mahnitshme me vazhdimet e para duke sjell një botë apokaliptike sa të veçantë aq edhe të çuditshme, dhe deri në një shkallë goxha të pakuptueshme. Tashti, le të imagjinojmë se çfarë do të ndodhte sikur Miller të kishte teknologjinë e sotme, moderne, në realizimin e atyre filmave të parë. Nuk kemi nevojë për të imagjinojmë. E kemi ‘Mad Max: Fury Road’.

Ringjallja e Mad Max, veç që ka shtuar interesimin për franshizën dhe filmat e parë. Në të njëjtën kohë, ky vazhdim dominon të gjithë filmat paraprak për Maxin e çmendur, si dhe shumicën e filmave të shfaqur gjatë vitit 2015.

Edhe pse Max tek ‘Fury Road’ është më shumë si karakter dytësor, kontributi i tij nuk mbetet i pavërejtur përgjatë dy orëve plotë adrenalinë dhe aksion. Nën portretizimin e njërit nga emrat më të ‘nxehtë’ në film këto vite – Tom Hardy, Max është i zënë nga Immortan Joe i cili është një perandor tiran në botën apokaliptike ku më në fund ngrohja globale e ka bërë të veten dhe ka zhdukur sasitë e ujit në masë të madhe, të cilat tani kontrollohen nga Joe. Gjatë një rrugëtimi në shkretëtirë, njëra nga liderët e armatës së Joe, Furiosa, vendos të devijoj rrugën dhe të niset në kërkim të vendlindjes e cila bazuar në thashethemet, do të duhej të jetë një parajsë e gjelbëruar. Në këtë udhëtim, ajo ka karremin më të rëndësishëm të Immortan Joe – gratë e tij shtatzëna, e që shtatzënia në këtë botë apokaliptike duket të jetë mrekulli. Dhe kuptohet, me të është Max.

Filmi ka temë, tregim mirë të shtjelluar. Por, ajo çfarë mahnit është realizimi vizual. Automjete nga më të ndryshmet, karaktere nga fytyrat nga të dy skajet e hijeshisë. Vozitje të çmendura, Gitara dhe muzikë të çmendur. Adrenalina është mbi kulme të normales, fotografia e filmit është parajsë për syrin, duke shtjelluar një tregim, rrugëtim të mahnitshëm për dy orë aventure nga më ngazëllueset në vitet e fundit të kinematografisë.

‘Mad Max: Fury Road’ është një kënaqësi e gjithanshme kinematografike që do të ju mahnit me të gjitha aspektet që mund të ofroj një film. Për dy orë! Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...