Lincoln (2012) – Recensim

vlcsnap-2013-03-07-18h41m54s46

Steven Spielberg vazhdon të mbetet në kohën e kaluar. Pasi realizoi filmin War Horse vitin e kaluar me një storie që prekte Luftën e Parë Botërore, njëri nga emrat më të respektuar në Hollywood vazhdon të notojë edhe më larg në kohë duke u zhvendosur në njërën nga periudhat më të rëndësishme në historinë e identitetit amerikan.

Të portretizosh në film njërin nga personalitetet më të mëdha që njeh historia e Botës së Re nuk është edhe aq lehtë. Këtë gjë në masë të madhe Spielbergun ia lehtëson Daniel Day-Lewis, njëri nga aktorët më të mëdhenj në histori të kinematografisë moderne, por edhe njëri nga aktorët më ‘zgjedhës’.

Për filma historik nuk ka ‘spoilera’ apo fakte që do të prishin filmin. Edhe nëse ka prej atyre që nuk e dinë kush është Abraham Lincoln në këtë rast, s’do të kurseja asnjë fakt për ti mbajtur ashtu në ‘errësirë’. Filmi ka për qëllim të sjell në ekran periudhën për kalimin e amendamentit të 13të që do të ndalonte skllavërinë dhe lirinë për zezakët. Intrigat, peripecitë, dhe ‘korrupsioni’ që ka ndodhur në këtë periudhë të historisë amerikane, pasqyrohet për merak në film nën skenarin e Tony Kushner, i cili së bashku me Steven Spielberg sjellin një nga projektet më të mira të vitit falë punës së shkëlqyeshme pas kamerave.

Më kanë pëlqyer tepër skenat në Kongres, janë disa ngjarje përplot ‘aksion’ në dialogë, disa prej të cilave fantastike. Këto janë skenat kur Tommy Lee Jones shkëlqen në stilin e tij. Ka merituar nominimin për Oskar, sidomos në fjalimin e tij të fundit duke portretizuar karakterin që heq dorë nga principet e tij ‘për të mirën e madhe’. Në fund mësojmë më shumë për vendosmërinë e karakterit të Jones, Thadius Stivens, për të larguar skllavërinë. Prej karaktereve tjera dytësore kemi edhe një pjesë të konsiderueshme të kongresmenëve, sidomos atyre demokrat që kundërshtojnë ndryshimin e Kushtetutës.

E kur jemi tek karakteret kryesore, nuk guxoj ta anashkalojë as Sally Field me rolin e Meri Tod Linkolln. Ajo sjell magjinë e saj në ekranin e madh pas shumë kohësh. Shumica nuk jemi aq të vjetër sa të kujtojmë performancat e saja që i sollën Oskar, por, disa nga ne e mbajmë në mend nga Forrest Gump. Disa nga të tjerët e mbajnë në mend nga seriali jo shumë i hershëm Brothers&Sisters. Karakteri i saj në dy titujt e mësipërm është jo shumë i ndryshueshëm. Edhe tek Lincoln ajo sjell një bashkëshorte/zonjë të parë të vendosur, e në të njëjtën kohë të kapluar nga emocionet që vijnë nga sakrifica që ka për bërë për popullin dhe politikat e burrit të saj, duke humbur edhe më të dashurit e duke rrezikuar të humb edhe të tjerë. Është ajo skena me dialogun për të ndryshuar politikën e tij dhe ndaluar të birin e tyre të shkoj në fron, ajo skenë kur Field shpërthen në mënyrën e saj duke ofruar peformancë prej një artisteje madhështore. Skena e mësipërme është njëra nga më emocionalet, por kemi një Meri Tod Linkoln shumë më të qetë, më të urtë, e më të përmbajtur kur këshillon njeriun e parë të Amerikës për politikat e tij.

Në film Linkoln na vjen në imazhin e një presidenti të mbyllur, të vendosur, që ka në qejf të tregoj storie interesante, gjithnjë duke lidhur librat dhe anekdotat me jetën reale, për të lehtësuar dhimbjet e një lufte qytetare. Na shfaqet si një njeri me principe, dhe me qëllime të qarta, i gatshëm të sakrifikoj gjithçka, një njeri i urtë, i mençur, dhe jashtëzakonisht i zgjuar. Një njeri gjigant me mjekër të veçantë, dhe me shije të çuditshme për çorape!

Asnjë nga këto veti nuk do të shfaqeshin më mirë se sa me anë të aktrimit të Daniel Day-Lewis. Nuk besoj se mund të kishim një mishërim më të mirë të karakterit me aktorin se sa Day-Lewis me Linkoln. Ka merituar çdo lëvdatë, shpërblim që ka marrë për rolin e tij në këtë film. Ka qenë një aktrim dominues për të gjithë filmat e vitit, ndoshta edhe më gjerë. Nuk më pëlqen fakti që Daniel Day-Lewis aktron rrallë dhe zgjedh vetëm role cilësore, por ka edhe raste kur dështon, së fundmi Nine në një listë jo të paktë. Por, kur zgjedh të luan në filma ‘serioz’ atëherë shkëlqen, ngjashëm si tek Lincoln. Pa të, i gjithë mundi i Steven Spielberg dhe Tony Kushner do të ishte i pakompletuar, e i mangët do të ishte edhe pa kontributin e të shkëlqyeshmit Tommy Lee Jones dhe të mahnitshmes Sally Field.

Në përgjithësi realizim i shkëlqyeshëm, njëri ndër filmat më të mirë. Është në një frymë të ngjashme me War Horse, diçka e shkëlqyeshme për fansat e zhanrit histori, luftë, biografi. Nuk më pëlqeu fakti që zgjatet storia deri tek fundi i Linkolnit. Ka mundur të kishte përfundim shumë më të mirë, më të hareshëm, që rrjedhimisht do ta bënte filmin edhe më të mirë. Por, filmi më i mirë i vitit, jo! As filmi më i mirë në karrierën e Spielbergut nuk është!

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...