Life of Pie (2012) – Recensim

vlcsnap-2013-02-14-22h49m16s152

Life of Pie (2012)

IMDB Rejtingu: 7.7
Premiera e shfaqjes: 21 nëntor 2012
Kohëzgjatja: 127 minuta
Rejtingu: +12 për shkak të përmbajtjeve tematike emocionale dhe sekuencave frikësuese
Zhanri: Dramë, Aventurë
Regjia: Ang Lee
Skenari: David Magee, Yan Martel (romani)
Aktrojnë: Suraj Sharma, Irrfan Khan, Adil Hussain, Tabu
Shtëpia filmike: Twentieth Century Fox

Një djalë i ri përfundon në një rrugëtim të aventurës dhe zbulimit pasi mbijeton një fatkeqësi detare. Derisa është në këtë rrugëtim, ai formon një lidhje të papritur me një mbijetues tjetër që në fakt është një tigër trishtues.

Tregimi fantastik i Yann Martel për jetën e një djaloshi që ngujohet në oqeanin Paqësor për më shumë se 200 ditë në një varkë me tigrin e tij, nuk besoj që ka mundur të portretizohet më mirë.

Nuk kam pasur kënaqësinë të lexoj librin (dikush duhet të humb kohë me filma!), por atë që bën Ang Lee, nuk do të mund të realizohej në mënyrë më të përsosur. S’dyshoj që versionin 3D ofron një eksperiencë edhe më të hatashme, por ky version nuk funksionon për mua dhe shumë kënd që nuk është i interesuar për një palë syze shtesë.

Gjithë filmi përshkruhet nga fjalët e Paj i cili sipas banorëve lokal ka një storie që të bën të besosh në Zotin. Tregimi nis që në fëmijërinë e tij kur Paj i cili është emëruar sipas një pishine në Francë, qeshet nga bashkëmoshatarët e tij. Ai vendos të bëj më ‘interesant’ emrin e tij duke provuar të gjej një korrelacion më pozitiv. E ku ka më impresive se sa të shkruash numrin e plotë të Pi-së – konstantes matematikore për diametrin e rrethit!

Pasi heq tabunë për emrin e tij, ai filloj të eksplorojë jetën duke filluar të marr një nga një religjionet më të mëdha. Interesante është skena kur bën lutjet para ushqimit duke përzier të gjitha lutjet e feve që ndjek, një subjekt qeshjeje nga pjesëtarët e tjerë të familjes, jo aq të dhënë pas fesë. Me kalimin e kohës, babai i tij konverton një pjesë bregdetare të frekuentuar në një kopsht zoologjik, një biznes i suksesshëm për një kohë të limituar. Ky biznes rrjedhë të jetë një mësim jete për Paj – ‘kafshët nuk kanë ndjenja, dhe krejt që shohim në syrin e tyre është reflektimi i ndjenjave tona’!

Si për ironi, Paj do të eksplorojë akoma më shumë këtë fakt kur mbetet i ngujuar në një varkë shpëtimi me një tigër, shimpanze, zebër, dhe hienë. Kjo vjen si pasojë e shkatërrimit të anijes në Oqeanin Paqësor kur familja e tij po eksportonte kafshët për në Kanada. Me kurajën e tij për të sprovuar gjërat më të mahnitshme në jetë, Paj do të dal të shijoj stuhinë detare, një sfidë ndaj Zotit sipas vëllait të tij të madh. Kjo ‘sfidë’ rezulton të jetë shpëtuese për të, pasi arrin të mbetet në varkën ku do të kaloj 227 ditët më të mundimshme të jetës.

Pjesa më e madhe e filmit do të koncentrohet në jetën e tij në varkë dhe luftën me natyrën e egër të gjallesave për mbijetesë. Mund të duket një tregim/film i kotë, por, Ang Lee ka bërë punë të shkëlqyeshme sa duke inkuadruar ngjarje që zgjojnë interesim sa duke e zhvendosur temën disa vite më pas në dhomën e Paj të rritur i cili i tregon storien e tij.

Ai arrin të pasqyroj efekte mahnitëse edhe nëse shihen në teknologjinë 2D. Megjithatë, ai prish atë nocionin kinse ‘3D duhet të jetë diçka plotë aksion’ edhe pse filmi ka shumë pak nga ky i fundit. Ka shumë skena që të lënë pa frymë, e mbi të gjitha është këndi se si kapen ato nga këndvështrimi i Ang Lee.

Lee kthehet me njërën nga veprat më të mira të jetës së tij. Nuk kam nevojë të kthehem mbrapa me filmat tjerë të tij, pasi Life of Pi, mjafton për të qenë kryevepra e tij.

Aktrimi nuk ka shumë ‘ndikim’ në këtë film. Mund të them se të gjithë aktorët që portretizojnë Paj në moshë të ndryshme bëjnë punën e tyre shkëlqyeshëm, përfshirë edhe Suraj Sharma që ka hapësirën më të madhe – periudhën e ngujimit në varkë. Kam frikë se në disa skena nuk kemi pasur lëvizje origjinale të tigrit, por lëvizje me ndihmën e CGI. Nuk jam i sigurt, ndoshta është vetëm mendja ime, por, do të dëshiroja të isha gabim në këtë pikëpamje.

Sidoqoftë, është një film i këndshëm aventurë, për të gjitha grupmoshat, duke premtuar një argëtim interesant familjar. Është një ndër pak filmat që arrijnë të jenë edhe sukses komercial edhe artistik. Oskar për efekte speciale s’do të kishte film më meritor këtë vit.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...