Interstellar (2014) – Recensim

interstellar+trailer

Pas një vozitjeje plotë adrenalinë në një ambient me ngjyra verbuese nga bukuria, pyetja e parë që më shkoi në mendje ishte:

Kush dreqin e ka bërë muzikën e filmit?

Për shkak të frikës nga spoilerat e mundshëm, kam pasur vetëm njohuri bazike në lidhje me filmin e Christopher Nolan që në rolin kryesor kishte Matthew McConaughey, Anne Hathaway, Michael Caine, dhe Jessica Chastain.

Një mision tjetër i pamundshëm do të jetë edhe recensimi i këtij filmi pa përmendur fare ndonjë informatë që mund të shkaktoj spoilera për ata që ende nuk e kanë parë, dhe krejt qëllimi i recensimit është shtyrja e lexuesit për të (mos)shikuar filmin, jo një analizë e gjerë.

Ajo çfarë do të përmend nga përshkrimi i filmit dhe që nuk është ndonjë informatë e tepërt është që:
Planeti Tokë është në shkatërrim. Nga bimët ka mbetur vetëm misri të kultivohet. Njerëzimi është përgatitur për shpërngulje në planetë tjerë, por akoma nuk ka arritur të bëj asgjë reale. Tani, papritmas i vije radha Cooper (McConaughey) të eksploroj mundësitë e gjetjes së një ambienti të përshtatshëm për jetën, një ambient që nuk do të jetë i lehtë për tu gjetur, një mision që kërkon të bëj zgjedhje të vështira, ndërmjet më të dashurve të tij dhe racës së njerëzimit.

Kur jemi tek aktrimi, Matthew McConaughey ka qenë i përkryer. Ka arritur të shpreh për merak emocionet që kërkohen gjatë tërë filmit, adrenalinën, dashurinë familjare, racionalitetin e vendimeve, etj. Aktrimi i tij arrin kulmin disa herë gjatë filmit duke na përpirë në karakterin e tij edhe neve si shikues personalisht.

Anne Hathaway vjen në rolin tjetër kryesor. Ajo mundohet të portretizoj një karakter më racional se sa ai i McConaughey. Ka disa skena tronditëse që testojnë deri në kufijtë e fuqisë kryesore të karakterit të saj – arsyeshmërinë ndaj vendimeve që duhet marrë. Ngjashëm si McConaughey edhe ajo ia del me zell të përmbush të gjitha detyrat e aktrimit.

Mackenzie Foy e Jessica Chastain sjellin karaktere edhe më emocionale se ai i Hathaway. Që të dyja arrin të mishërojnë karakterin e tyre me përpikëri. Derisa nuk kam dyshuar kurrë në aftësitë e Chastain, Foy tregon talent dhe potencialin e një aktoreje të madhe në të ardhmen. Casey Affleck e John Lithgow janë dy emra tjerë të preferuar nga unë në botën e kinemasë që nuk dëshpërojnë ngjashëm si Michael Caine dhe pjesa e mbetur e kastit. Aktrimi është i shkëlqyeshëm.

Por, ka edhe më mirë se aktrimi në këtë film. Skenari është i mahnitshëm. Dialogët përgjatë gjithë filmit sjellin të thjeshtuar, deri në një shkallë, kompleksitetin e termeve fizike, por mbi të gjitha arrijnë të nxjerrin emocionet dhe dashurinë që vazhdimisht anojnë sikur një peshore ndërmjet dobësisë dhe fuqisë së racës njerëzore. Kjo peshore pos në dialogë pasqyrohet për merak edhe në shumicën e karaktereve në film.

Pastaj vjen përgatitja vizuale. Christopher Nolan është mjeshtër i magjepsjes vizuale të shikuesit. Pamjet që ofron ky film të lënë gojëhapur, sikur për të futur gjithë ato pamje mahnitëse të cilat nuk duket se sytë tanë janë të aftë ti përpijnë. E të gjitha këto pamje vijnë të shoqëruara me kolonën zanore, më shkurt muzikën e filmit të lustruar për mrekulli nga Hans Zimmer. Muzika e Zimmer është faktori kyç në suksesin, madhështinë e atij filmi. Ajo ndikon sa si shoqëruese e emocioneve tona si shikues, aq edhe si plotësuese e një rrugëtimi të magjishëm në këtë mrekulli filmike.

Sa me fat jemi që po jetojmë në një periudhë ku vit pas viti po kënaqemi me tituj si ‘Gravity’ e ‘Interstellar’. Nuk besoj që mund të del diçka edhe më e mirë, së paku jo për një kohë të shkurtër.

Nota personale: 5/5 apo siç thonë në fillore pesëshe me yll.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...