I dashur Xhon

Titulli origjinal: Dear John

Zhanri: Dramë, Romancë, Luftë

Skenari: Jamie Linden, Nicholas Sparks (novela)

Regjia: Lasse Hallstrom

Premiera e shfaqjes: 05 shkurt 2010

Kohëzgjatja: 108 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të sensualitetit dhe dhunës

Kasti: Channing Tatum, Amanda Seyfried, Henry Thomas, Richard Jenkins, dhe Keith Robinson

Film fantastik. Këtë vit thjesht nuk ka pasur film më të mirë të zhanrit romancë. Ndoshta fundi i stories do të doja të ishte më ndryshe, por fillimi… fillimi ishte fantastik. Më mirë nuk mund të bëhej. Një djalë, i ri, që shërben në ushtrinë e SHBA-ve, me një fëmijëri të rëndë pa nënë, dhe me një baba që supozohet se vuan nga autizmi. Një vajzë nga një familje e pasur që ka gjithçka. Një dashuri. Dhe një luftë.

Xhoni është një ushtar që shërben jashtë vendit. Savana një studente që është në pushimin e pranverës. Për pak ditë ata dashurohen. Pas dy javëve ata duhet të ndahen. Xhoni do të rikthehet në shërbim ushtarak jashtë vendit ndërsa Savana do të vazhdoj shkollimin.

Ata i premtojnë njëri-tjetrit se do të shkëmbejnë letra vazhdimisht dhe e bëjnë këtë. Kur Xhoni kthehet nga pushimi ai takon prindërit e Savanas, dhe edhe pse i kishte skaduar shërbimi ai vendos ta vazhdoj atë kur kupton se sa e rëndësishme është puna e tij të mbroj atdheun, sidomos pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Savana është plotësisht kundër kësaj, por, megjithatë dashuria ndërmjet tyre do të mbijetojë. Deri në një ditë të caktuar, kur ajo do të ndërpresë letrat për të dërguar një letër të fundit, ku rrëfen se jeta e saj vazhdon pa Xhonin, dhe me një djalë tjetër, që tashmë është i fejuari i saj. Jeta e Xhonit do të merr një tjetër kuptim. Tani në radhë të parë për të është atdheu dhe asgjë tjetër.

Amanda Seyfried ka luajtur një film të shkëlqyeshëm. Padyshim them se është njëra ndër aktoret që më së shumti po shkëlqen kohëve të fundit në shumë filma të mëdhenj. Përpos aktrimit që vërehet në shumë skena me ndjenja të ndryshme, ajo në këtë film shkon një hap para. Dëshmon se është edhe një këngëtare shumë e talentuar. Zëri i saj në këngën të shkruar dhe realizuar nga vetë ajo “Little House” është i mrekullueshëm.

Channing Tatum… fantastik. Ka luajtur një rol që nuk është lehtë të luhet. Një djalosh i mbyllur në vetvete me një të kaluar të turbulltë, në një dashuri si asnjëherë më parë, me një baba të sëmurë, dhe në shërbim të atdheut. Ka qenë i përkryer. Vetëm po të shihni se si arrin të qan në një skenë të filmit do të shihni se ky aktor nuk është i talentuar vetëm për filma të zhanrit aksion. Për mendimin tem ka qenë më i miri nga i gjithë kasti i aktorëve.

Atë që do të përmend në këtë film është roli i babait të Xhonit, zotërit Tajri i portretizuar nga aktori i famshëm Richard Jenkins. Mund të them se roli i tij ka qenë ndoshta edhe më prekës se vet Xhoni. Ai është një baba i cili ka humbur gruan dhe është i obsesionuar me monedhat. Vuan nga një sëmundje e njohur si autizmi, dhe e di se është një baba jo shumë i mirë për Xhonin.

Si gati çdo film me skenar të Nikolas Sparks (Një shëtitje për kujtim, Mesazhi në shishe, Ditari) edhe ky film do të jetë mjaftë prekës dhe ndoshta do të ju bëjë të qani. Është film vërtetë emocional që mund të zbuloj ndjenjat në thellësinë tuaj.

Filmi ka qenë shumë prekës për mua, më është dashur disa ditë që të kaloj atmosferën e këtij filmi. Është vërtetë një kryevepër romantike e këtij viti.

Përpos që do të kënaqeni duke shikuar një film të shkëlqyeshëm romantik, do të mësoni edhe dy gjëra shumë të rëndësishme në jetë. E para se jeta është e shkurtër, dhe e dyta se kur të gjeni dashurinë e jetës suaj, mos e sakrifikoni për asgjë. As për atdhe.

Luan Morina

Mund të ju interesoj edhe...

4 thoughts on “I dashur Xhon

Comments are closed.