Fury (2014) – Recensim

Fury-Movie-Reviews-2014

Pothuajse çdo vit sjell një betejë të re filmike kundër Gjermanisë naziste. Edhe ky vit nuk është më ndryshe në përzgjedhjen e armikut në filmat e zhanrit luftë. Megjithatë ‘Fury’ ka një dallim nga shumica e filmave paraardhës. Të veçantë e bën artileria kryesore që përdoret – tanku.

‘Fury’ përqendrohet tek skuadra e tankut Sherman të quajtur Fury që udhëhiqet nga Don ‘Wardaddy’ Collier (Brad Pitt). Filmi ndjek periudhën pas prillit 1945 në shtytjen e fundit drejt Teatrit Evropian, ashtu siç edhe përshkruhet zyrtarisht tema e filmit. Tashti me avancimin e trupave ushtarake të aleatëve, ngjashëm avancon edhe pesëshja e Furyt. Nuk është thjesht një rrugëtim, një përshkrimi i udhëtimit drejt fitores me shpërthime dhe rrafshime ndërtesash.

Gjatë këtij rrugëtimi filmi nxjerr në pah karakteret e personazheve dhe ballafaqimin e tyre të çiltër, të padorëza me luftën dhe të gjitha të metat e saj. Tregimi përqendrohet tek Normani (Logan Lerman), më i riu në skuadër i cili akoma nuk beson në të gjitha të këqijat e luftës. Filmi ndjek edhe kalitjen, pjekjen e tij në një ushtar me përvojë si pjesa tjetër e skuadrës, të sprovuar me tmerret e luftës, me vdekjen. Edhe pse pothuajse në prapavijë, secili prej anëtarëve të skuadrës kanë një tregim të tyre, një karakter të tyre të veçantë që e bën këtë skuadër të përkryer, të shumëngjyrshme me shikuesin në pozitë për të gjetur personazhin e tij të preferuar.

David Ayer përshkruan ngjarjen në mënyrë të përkryer. Tregimi shtrihet për mrekulli, pa pasur ndonjë pjesë të kot. Ka pjesët më të ngadalta, më të thella, por edhe ato me plot aksion dhe shpërthime. Por, më shumë është një dramë se sa një aksion. Po të them që është më mirë i shtjelluar, dhe më pak i ‘ngadaltë’ se filmi i fundit i mirë i Ayer, ‘End of Watch’. Ayer bën punë të shkëlqyeshme edhe në regji të filmit. Afrimi i tij me skenat arrin të mishëron si shikues duke të grabitur në mesin e aksionit. Janë disa skena të realizuara për mrekulli, edhe pse ka disa skena vullgare, por tekefundit është film lufte, dhe këto janë të pritura, mos të them edhe të nevojshme.

Aktrimi është fenomenal. Brad Pitt nuk të dëshpëron kurrë, dhe tani në rolin e liderit të skuadrës vjen me një paraqitje të mrekullueshme, asgjë më pak se nga ajo që do të prisnim. Logan Lerman debuton në një kast me eksperiencë për merak, duke u treguar edhe si më i riu, më i pa sprovuari, ia del me zotësi të mishëroj karakterin e tij. Shia LaBeouf, e Michael Pena bëjnë punë të shkëlqyeshme në rolet ndihmëse. Interesante është përfshirja e LaBeouf në filma shumë më serioz se aty ku kishte nisur karrierën. Vërehet qartazi talenti i tij, derisa harmonia e Penas me Ayer është vërejtur shumë mirë edhe tek ‘End of Watch’. I mahnitshëm, dhe ndoshta më i miri nga të gjithë këta është Jon Bernthal. Ai bën një punë të shkëlqyeshme si karakteri më rebel i grupit. Në përgjithësi punë e shkëlqyeshme aktrimi e tërë ansamblit.

‘Fury’ sjell një freski në filmat e zhanrit luftë. Sjell një perspektivë tjetër të luftës, nga pikëpamja e një skuadre tanku. Film i realizuar shkëlqyeshëm në të dy anët e kamerës. Nota personale 5/5.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...