Foxcatcher (2014) – Recensim

Si fans i filmave për sportin, me të dëgjuar për përfshirjen e Bennett Miller në regjinë e ‘Foxcatcher’, pritjet për këtë film kanë qenë më të mëdha se zakonisht, duke mos harruar ngazëllimin për një tjetër sukses kinematografik siç ishte rasti i ‘Moneyball’.

Por, të dy filmat ndryshojnë në disa fusha, duke nisur nga trajtimi i temës thelbësore të filmit. Kësaj radhe Miller sjell një tregim më ndryshe, duke u përqendruar në sportet amatore si mundja që nuk janë aq rentabile sikur bejsbolli në SHBA. Kjo është arsyeja pse biznesmen si John du Pont kanë investuar në projekte si ‘Foxcatcher’, për të ndihmuar sportistë amator që nuk fitojnë as mjaft për të mbijetuar që të sjellin suksese për vendin. John du Pont është pasardhës i njërës nga familjet më të pasura në vend që nga ajo që mund të mësojmë nga filmi, merret me prodhimin e armatimit. Për të përkrahur mundësit amerikan ai themelon projektin Foxcatcher duke ndihmuar mundësit të kenë kushtet më të mira për përgatitje. Në mesin e këtyre mundësve është edhe Mark Schultz, kampion aktual olimpik që synon të përsërit suksesin në Olimpiadën e Seulit më 1988. Marku ka një vëlla më të mëdha, mentor të tij, Davidin i cili nuk është i gatshëm të heq dorë nga jeta e tij për tu bashkuar me du Pont në vilën e tij për Foxcatcher. Pak a shumë kjo është tema që trajtohet, dhe pasi bazohet në ngjarje të vërtetë, do sugjeroja të mos kërkoni më shumë informata, pasi vet anonimiteti i tregimit është anë e fortë e këtij filmi.

Tashti, Steve Carell, të cilin e njohim nga tituj si ‘The Office’, ‘Get Smart’, ’40 Years a Virgin’, ‘Crazy Stupid Love’ vjen në rolin më serioz të karrierës me një transformim fizik të mahnitshëm për karakterin e John du Pont. Ai sjell një paraqitje të shkëlqyeshme aktrimi që na bën të dyshojmë nëse me të vërtetë është i njëjti person që kemi njohur deri tani, dhe kjo nuk është vetëm rezultat i makijazhit. Transformim në pamje ka edhe për Mark Ruffalon, por i cili ngjashëm si Carrell sjell një aktrim të shkëlqyeshëm. Megjithatë për dallim nga Carrell, Ruffalo vetëm se është dëshmuar në drama edhe më parë, së fundmi tek ‘The Normal Heart’.

Në role tjera, ti quaj më normale, më të zakonshme vjen Channing Tatum si Mark Schultz. Karakteri i tij kalon më shumë kohë në skenë me du Pont, duke ofruar një harmoni interesante përgjatë gjithë filmit. Megjithatë tërë kohën shihet një lakmi e du Pont për rekrutimin edhe të vëllait të madh. Lidhja e tyre zhvillohet nga fillimi i filmit duke arritur pikun më herët që ndoshta mund të presim, por përgjatë tërë filmit, tensioni ndërmjet tyre nuk humbet. Aktrimi i tyre dhe kjo marrëdhënie e bën filmin atë çfarë është, një tregim i përpunuar shumë mirë për dy miq që shpien deri tek rrethana të palakmueshme.

Vanessa Redgrave ka një rol minimal, derisa më shumë kohë para kamerës kalon Sienna Miller, që vijnë në role dytësore krahas treshes. E derisa Bennett Miller ka bashkëpunuar me Dan Futterman në skenarin e ‘Capote’-s, është hera e parë që bashkëpunon me E. Max Frye. Skenari është në nivel, përkundër kritikave të vet Mark Schultz. Është e zakonshme që të devijohet tek filmat artistik, dhe jo diçka tragjike. Edhe Miller bën punë të mirë në regji, por ‘Foxcatcher’ mbetet mbrapa ‘Moneyball’ dhe ‘Capote’ në listën time nga filmat e tij.

Në përgjithësi, ‘Foxcatcher’ është tregim i realizuar mirë, por vet tema nuk e bën shumë të kënaqshëm. Aktrimi është fenomenal, sidomos nga ana e Steve Carrell. Nota personale: 4/5.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...