Forrest Gump (1994) – Recensim

Aktrimi i Colin Firth tek The King’s Speech, mendoj që ka qenë aktrimi më i mirë i ndonjë aktori deri tani në filmat që kam parë. Tom Hanks me punën e tij në Forrest Gump do të renditej menjëherë pas tij. Kam dëgjuar fjalë për Forrest Gump, në veçanti fjalinë e bujshme “Run, Forrest, Run”, por nuk kam pasur as idenë më të vogël se çfarë ndodh në film.

Skenari, rrjedha e ngjarjes është mjaft inspiruese, edhe pse ndoshta nuk do të përshtatej me realitet ajo është e ndërthurur në një mënyrë mjeshtërore, që s’ju lë hapësirë të merrni parasysh tranzicionin në zhanrin “fantastik”. Por, e përsëris që megjithëse se një njeri si Forrest s’do të mund të arrinte të gjitha ato suksese, rrjedha e ngjarjeve na bën të mendojmë që në fakt kjo është diçka e arritshme, gjë që ngjyros me inspirim këtë film. E di që nuk kërkohet medoemos ta trajtojmë si dramë, por filmi fillon me këtë zhanër duke u përzier me biografi. Por, gjatë kalimit të minutave kemi romancë, komedi, triller, aksion, gjithçka që nevojitet për të bërë një film të përkryer. Stafi pas kamerave ka bërë një punë të shkëlqyeshme, pos në skenar edhe në regji. E mrekullia më e madhe, sidomos duke pasur parasysh kohën e përgatitjes së filmit, ka qenë në përgatitjen artistike. Pos efekteve të zakonshme që pothuajse është e pamundur të vërehen, sinkronizimi i ngjarjeve në periudha të ndryshme kohore, ato filmike me ato reale, është jashtëzakonisht i përkryer. Syri i shikuesit të thjeshtë nuk do të dallonte sinkronizimin nëse nuk do të kishte njohuri paraprake për historinë e edhe po të ketë as që do të bëhej merak pasi ky sinkronizim është realizuar në një mënyrë të shkëlqyeshme që përsëri s’do të ju brengoste, por do të ju kënaqte me mjeshtërinë e këtij departamenti në këtë film.

Qysh në fillim e përmenda që Tom Hanks më ka mahnitur me aktrimin e tij. Thjesht është vështirë të gjenden fjalë dhe mbiemra në superlativ për të përshkruar punën e mrekullueshme të tij në këtë film. Vet karakteri i tij kërkon një angazhim shtesë dhe nuk mendoj që as John Travolta e as Bill Murray që kanë qenë në konkurrencë për këtë rol do të mund të bënin diçka të ngjashme si Hanks. Nuk mjaftojnë fjalët, duhet ta shikoni vet që të shihni se çfarë punë të mahnitshme ka bërë.
Gary Sinise në rolin e togerit Dan Taylor, dhe sidomos Mykelti Williamson në rolin e Bubbas, kanë aktruar në mënyrë të shkëlqyeshme. Derisa Williamson ka një rol më stabil në aspektin emocional, Sinise në anën tjetër kalon nëpër disa faza gjatë filmit me një mënyrë të shkëlqyeshme. Robin Wright aktron në rolin kryesor të Jenny Curran, që për momentin konsideroj të jetë karakteri më i neveritshëm që kam parë së fundmi nëpër filma. Ky është mendim personal i imi, edhe pse mendoj që një karakter i tillë i jep kuptim filmit, e edhe Robin Wright bënë atë që është kërkuar nga ajo, mirëpo thjesht mua më ka nervozuar gjatë gjithë filmit pasi gjithnjë prish ata balancimin romantik. Pra, thjeshtë mua nuk më ka pëlqyer edhe pse mendoj që ka qenë një karakter i dobishëm dhe Wright ka bërë punë të mirë. Do të përmendja edhe Sally Field, njërën nga aktoret e mija të preferuara, e cila nuk ka ndonjë hapësirë të madhe, por duke njohur punën e saj më ka pëlqyer se si ka arritur të përqafoj një karakter të tillë dhe ta performoj aq zellshëm.

Ngjarja e filmit zhvillohet duke pritur autobusin ku Forresti u tregon bashkudhëtarëve tjerë historinë e jetës së tij, pa marrë parasysh a u intereson atyre a jo. Vet zhvillimi i ngjarjes në një bankë në stacion autobusi më ka bërë të joshem nga ky film. Forresti është një fëmijë me aftësi mendore të kufizuar, me IQ më të ultë se e zakonshmja, mjaft i zellshëm në disa gjëra, kryesisht vrapimi. Kryesisht falë vrapimit ai arrin të shkëlqej në disa periudha të jetës, duke mos qenë asnjëherë vrapues profesionist. Pra, kemi aventurën, jetën e një njeriu të pazhvilluar mjaftueshëm në aspektin psikik dhe betejat e tij të njëpasnjëshme në periudha të ndryshme të jetës. E gjithë kjo pasqyrohet në një pikturë shumëngjyrëshe me dramë, komedi, romancë, etj. Pa dyshim njëri ndër filmat më të mirë që kam parë deri më tani.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...

2 thoughts on “Forrest Gump (1994) – Recensim

  • Shume bukur…. Nje prej filmave epik mendoj..
    Une nuk jam ekspert si ti Luan, ama aktrimi i Hanks ne Forrest Gump mbetet per mu KULMI i interpretimit te nje roli, ndersa ne vend dyte eshte Dustin Hoffman ne Njeriu i Shiut-Rain Man

    • Falemnderit, kane qene fjalet e tuaja qe me kane shty me pa kete film edhe si zakonisht edhe nje here nuk jam deshpruar 🙂

Comments are closed.