Exodus Gods and Kings (2014) – Recensim

Nuk jam i sigurt sa herë kam nisur të shoh dhe e kam ndërprerë këtë film. Për tregimin e Moses/Musahut kam parë më shumë se një film, dhe tregimi i tij tashmë është nga më të njohurat dhe më të trajtuar në ekranin televiziv, edhe nëpër filma edhe nëpër dokumentarë. Shtjellimi i Ridley Scott vendoset aty kah fundi, në pjesën inferiore.

Edhe pse është bërë shumë bujë në lidhje me kastin e aktorëve si ‘shumë të bardhë’ për temën e filmit, kasti është goxha impresiv me emra që nisin nga Christian Bale për të vazhduar me emra në ngritje si Joel Edgerton, Aaron Paul, dhe emra me përvojë si Sigourney Weaver, John Turturro e Ben Kingsley. Por, faji nuk mbetet tek aktrimi, i cili është i mirë. As efektet vizuale nuk mbesin mbrapa në realizim. Në fakt është e vetmja gjë pozitive tek ky film. Ka shumë gjëra të realizuara mirë pranë ekraneve të kompjuterëve.

Fajtorin e gjejmë tek Ridley Scott i cili shkon hapave të Darren Arronofskyt duke provuar të zhvesh një temë krejt fetare në një produkt fanta-shkence. Edhe ky si Arronosky dështon duke mos arritur të bëj përzierje në masë të mjaftueshme të temës me filmin duke përjashtuar atë pjesën fetare, që për dallim se tek ‘Noah’ këtu është më e vërejtur. Me pak mend, filmbërësit në të ardhmen s’do të duhej të provonin të bënin një zhveshje të këtillë, zhveshja të cilat po përfundojnë edhe si dështim kritik edhe financiar.

‘Exodus: Gods and Kings’ mbetet një dështim i radhës i Ridley Scott pas ‘The Counselor’, i cili vazhdon të mbledh emra të mirë aktorësh, të siguroj mbështetje financiare, pa rezultate në asnjërën anë. Thjesht, po kalon në një regjisor mediokër që të humb 150 minuta të jetës me filma si ‘Exodus: Gods and Kings’ që nuk meriton as notën 2. Nota personale: 1/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...