The End of the Tour (2015) – Recensim

Me sa duket, David Foster Wallace ka qenë një nga shkrimtarët më inovativ në 20 vitet e fundit, nëse citojmë Los Angeles Times. Lexoj, por jo aq sa të kem dëgjuar më parë për Wallace. Eksperienca ime e parë me të ishte ky film i James Ponsoldt. Me punën e këtij jam njohur tek filmi ‘The Spectacular Now’ me Shailene Woodley e Miles Teller.

Filmi ‘The End of the Tour’ është bazuar në librin e David Lipsky, i cili kishte kaluar disa ditë në shoqërinë e David Foster Wallace gjatë kohës së turneut të promovimit të librit të tij të dytë. Lipsky ishte në detyrë për të marr informata nga Wallace për intervistën me të për revistën ‘Rolling Stone’. Filmi nis me ardhjen e Lipskyt dhe përfundon me largimin e tij. Gjatë kësaj periudhe mësojmë shumë për karakterin e Wallace, nga një person i ndrojtur dhe i mbyllur, gjithnjë i pasigurt deri tek një njeri i thjeshtë me filozofi të veçanta në lidhje me jetën dhe ekzistencën. Ndërmjet tyre krijohet një lidhje e ngushtë miqësore, duke thelluar dhe ndryshuar mendimin e Lipskyt për Wallace. Është një rrugëtim i gjatë me këta dy që na bën të ngulitemi në bisedën e tyre që sjell pikëpamje të veçanta për gjërat më të thjeshta të njerëzimit.

Me plotë të drejtë nga shumëkush është quajtur ‘biseda më e mirë që do të dëgjonit’.

Vërtetë është një skenar me dialog të farkëtuar për mrekulli. Është më shumë se film për biografinë e një shkrimtari që është vetëvrarë. Është një mësim fillestar për filozofinë e njeriut dhe jetës. Është një nga filmat më të mirë të shkruar të këtij viti.

Pos shkëlqimit në pjesën pas kamerave, aktrimi është për mrekulli. Në Jason Segel dhe Jesse Eisenberg nuk kemi dy aktorë me shumë përvojë, por kemi një aktrim mbi aftësitë e tyre të zakonshme. Harmonia skenike e të dyve është si një lokomotivë treni që punon si orë Zvicre. Nëse hedhim një shikim mbrapa në karrierën e këtyre dyve, sidomos Segel (Forgetting Sarah Marshall!) tani shohim dy aktorë të pjekur në këtë zeje.

Është një film mirë i përpunuar në të gjitha aspektet. Skenari dhe aktrimi janë kompozuar për merak, duke ofruar një rrugëtim të kënaqshëm edhe për neve si shikues. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...