Drejt Oskarëve të 83-të

 

Nëse do të mund të përdornim teorinë 80/20 në një ambient ku do të futnim popullin tonë dhe filmin, atëherë nuk ka shembull më të mirë se ndarja e shpërblimeve Oscar. Është një shembull jo shumë për t’u lavdëruar, por fatkeqësisht i vërtetë që 80% të filmave Oscar shikohen vetëm nga 20% e kosovarëve, për më tepër ky numër më duket paksa i ekzagjeruar. Sidoqoftë le t’i përvishemi punës.

Personalisht filmat konkurrent për Oscar këtë vit më kanë pëlqyer tej mase. Kemi krijimtari të shkëlqyera nga ustallarë të kinematografisë jo vetëm asaj amerikane. Do të mundohem të veçoj karakteristikat e filmave konkurrentë në disa detaje më sipërfaqësore gjithnjë duke patur parasysh që unë nuk jam një kritik profesional filmash, por vetëm një i apasionuar që shikon filma, paksa më tepër se e zakonshmja, dhe që si kanal të preferuar filmash nuk e kam Film Aksionin! J

 

Filmi më i mirë – Best Picture

Të nominuar: 127 Hours; Black Swan; The Fighter; Inception; The Kids Are All Right; The King’s Speech; The Social Network; Toy Story 3; True Grit; Winter’s Bone

 

Që nga viti i kaluar kur Akademia filloi të përfshijë 10 filma në kategorinë e filmave më të mirë, gjithnjë po kemi nga një film të animuar, që këtë vit është filmi Toy Story 3. Është ndoshta seria më e mirë filmash të animuar ndonjëherë, por besoj që do të marrin Oscar vetëm në kategorinë për filmin më të mirë të animuar. Nga filmat e mësipërm Winter’s Bone dhe True Grit janë filma amerikan, me plotë kuptimin e fjalës pasi të dytë bazohen në jetën e thjeshtë amerikane të ditëve moderne, siç është filmi Winter’s Bone, dhe storie nga amerika e pasluftës civile, filmi True Grit. Winter’s Bone tregon storien e një vajzeje adoleshente, e cila është personi kryesorë që do të mirëmbajë familjen pas një babai problematik dhe pijanec i cili tashmë është i humbur shkaku i borxheve, ndërsa e ëma e saj vuan nga një sëmundje. Filmi shfaq rrugëtimin e një vajze në një rreth aspak miqësor e cila për të mbijetuar përballet me sfidat më të pështira të jetës.

Rrugëtimin e një vajze shfaq edhe filmi True Grit. Ndryshimi tek ky film është që vajza është në moshë më të re dhe është në kërkim të vrasësit të babait të saj për hakmarrje. Edhe pse e mitur, ajo është shumë këmbëngulëse dhe e gatshme të përballet edhe me njerëz injorantë të pjekur vetëm që të marrë atë që dëshiron.  Edhe pse me një kast aktorësh si Jeff Bridges dhe Matt Damon, nuk besoj që as True Grit e as Winter’s Bone mund të fitoj Oscarin për filmin më të mirë.

Filmi The Fighter ka një kast të mirë aktorësh, prej të cilëve tre janë të nominuar për rolet dytësore. Aspak nuk dyshoj që Mark Wahlberg ka merituar të nominohet për Oscar si aktori më i mirë në rolin kryesor. Aktrimi i tij nuk ka qenë hiç më pak i mirë se Melissa Leo, Amy Adams, dhe Christian Bale. Filmi tregon storien e një boksieri dhe vëllaut të tij ish-boksier që pas përfundimit të karrierës jo të suksesshme të gjithë forcat i vendos në suksesin e vëllaut. Është film mjaft i mirë, një storie mjaft interesante e thurrur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Filmi Black Swan ka një regji solide, por ajo çfarë bie në sy më së shumti tek ky film padyshim janë aktoret në dy rolet kryesore. Përderisa në njërën anë Natalie Portmann është kandidate e pakontestueshme për Oscar, është habi për shumë veta si Mila Kunis nuk ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në rolin dytësor. Në rregull, nuk është aq e mirë sa Portmann në këtë film, por si aktore në rol dytësor ishte e mrekullueshme dhe mund të krahasohet lirshëm me kandidatet e tjera në atë kategori. Black Swan nuk është kandidat i ngushtë për filmin më të mirë.

127 Hours është një realizim tepër i mirë nga njeriu që para dy vite triumfoi me Slumdog Millionaire. Jo shumë skena, por gjithë ato që ndodhin në atë lokacion të ngushtë shfaqin në mënyrë të shkëlqyeshme një storie mjaft trishtuese e bazuar në një ngjarje të vërtetë që e bënë edhe më trishtuese. Është film i shkëlqyeshëm, ndoshta jo shumë ngjarje të ndryshme, dikujt mund ti duket edhe i mërzitshëm, por është një vepër e përpunuar në mënyrë mjeshtërore që nga editimi e deri edhe te muzika e filmit.

Njëri nga dy kandidatët kryesorë për Oscar mendoj që do të jetë The Social Network. Storia për Mark Zuckerberg, krijuesin e Facebook, është realizuar në një mënyrë madhështore duke portretizuar një ngjarje që ngjan por nuk është e tërë e vërteta. Këtu mund të gjeni anën pozitive dhe negative të të gjitha ngjarjeve dhe karaktereve, asnjëri nga ata nuk do të jetë antiheroi dhe asnjëri nuk do të jetë heroi. Punë e shkëlqyeshme e David Fincher.

Dhe në fund është filmi The King’s Speech. Favoriti im kryesor për shumë çmime. Nuk është hera e parë që britanikët po krijojnë filma që zbulojnë historinë e tyre jo pak të pasur. Ka patur filma si The Queen, King Arthur, Elizabeth, deri tek Young Victoria, mirëpo asnjëri nuk futet aq thellë në historinë ndër më të prekshmet të monarkisë britanike. Film i shkëlqyeshëm ku funksionoi gjithçka, që nga skenari, regjia, deri tek aktrimi mjeshtëror i një kasti aktorësh të mëdhenj dhe të njohur anë e mbanë botës kinematografike.

 

 

Regjisori më i mirë – Best Director

Të nominuar: Darren Aronofsky – Black Swan; David O. Russell – The Fighter; Tom Hooper – The King’s Speech; David Fincher – The Social Network; Ethan dhe Joel Coen – True Grit

Nuk është hera e parë që vëllëzërit Coen bëjnë një vepër mjeshtërore duke përdorur historinë e pasur amerikane. Filmi True Grit do të ishte kandidat potencial për të fituar si filmi me regji më të mirë, por megjithatë këtë vit ka një konkurrencë të fortë. Përsëri për mendimin tim është filmi The King’s Speech me Tom Hooper si regjisor që nuk ka ndonjë përvojë të madhe pos disa episodeve të serialit Eastenders, dhe favoriti kryesor David Fincher me filmin The Social Network. Tom Hooper arriti të realizoj një tregim shumë prekës për monarkinë britanike në një mënyrë aq të përkryer duke shfaqur të gjitha storiet e ndrydhura në historinë e tyre, por në një mënyrë simpatike që e bën shikuesin e thjeshtë të ndihet mirë gjatë vështrimit të të gjitha ngjarjeve në film. Filmi ka një tempo të njëtrajtshme të ngjarjeve duke mos patur luhatje ekstreme në emocione pothuajse gjatë tërë filmit.

Në anën tjetër David Fincher arriti të mbërthejë storien ndoshta më të madhe në historinë e internetit në një dhomë gjyqi duke mbledhur të gjitha karakteret dhe duke vendosur në dy kampe, heronjë dhe antiheronjë. Megjithatë gjatë tërë filmit ju mund të vëreni që ka nga pak në të dyja anët dhe të gjitha karakteret janë pak heronjë e pak antiheronjë. Veçanërisht karakteri i Mark Zuckerberg është realizuar në një mënyrë perfekte që përshtatet me storien e një njeri që ka krijuar mënyrën më të mirë për të komunikuar ndërsa vet ai nuk është aq i mirë në komunikim.

 

 

Aktori më i mirë – Best Actor

Të nominuar: Javier Bardem – Biutiful; Jeff Bridges – True Grit; Jesse Eisenberg – The Social Network; Colin Firth – The King’s Speech; James Franco – 127 Hours

Colin Firth është kandidati kryesor për të fituar këtë vit shpërblimin. Ai ishte i kandiduar edhe vitin e kaluar por nuk arriti të mposht Jeff Bridges. Këtë vit personalisht jam shumë i bindur që është kandidati më serioz për Oscar. Aktrimi i tij në filmin The King’s Speech ishte i përkryer me plotë kuptimin e fjalës. Unë nuk kam parë aktrim më të mirë të ndonjë aktori ndonjëherë, edhe pse nuk kam shikuar mijëra filma. Colin Firth ishte i përsosur.

Performancë të shkëlqyeshme ka patur edhe James Franco në filmin 127 Hours. Edhe pse po thuaj  i tëri filmi ka qenë i bazuar vetëm në karakterin e tij ai ka arritur të shpreh në mënyrë të përsosur storien e Aron Ralston. Pas Firth kandidati kryesor për Oscar në këtë kategori.

Jesse Eisenberg arrin të portretizojë Mark Zuckerbergun si një “maniak” kompjuterësh që nuk i beson askujt, nuk ka aftësi komunikimi por ka ide milionëshe. Është lavdëruar edhe aktrimi i Javier Bardemit në filmin Biutiful. Nuk kam parë këtë film të Bardem, por nga ato që kam parë më herët jam i sigurt që ka bërë një punë të paqme. Jeff Bridges si gjithnjë ishte i shkëlqyeshëm në filmin True Grit. Ai është i përsosur për të luajtur ato karakteret nga Amerika e pasluftës civile, megjithatë do të jetë vështirë që ta përsërit suksesin e vitit të kaluar.

Aktorja më e mirë – Best Actress

Të nominuar: Annette Bening – The Kids Are All Right; Nicole Kidman – Rabbit Hole; Jennifer Lawrence – Winter’s Bone; Natalie Portman – Black Swan; Michelle Williams – Blue Valentine

 

Në kategorinë e aktores më të mirë duket se gjithçka është e ditur moti kohë, që para daljes së nominimeve. Natalie Portman është favorite absolute për Oscar në nominin e saj të dytë. Ajo pati një aktrim të mrekullueshëm në filmin Black Swan ku luan rolin e një balerinë të turbulluar në aspektin psiqik të cilën dashuria e madhe për të fituar rolin në shfaqjen Liqeni i mjellmave i shkakton presion të tepërt duke e detyruar të marrë hapa fatal. Kandidate serioze është konsideruar edhe aktorja Annette Bening për paraqitjen e saj në filmin The Kids Are All Right ku luan rolin e një nëne lezbike që përballet me sfidën për të mbrojtur familjen e saj gjatë shqetësimeve të ndryshme jetësore. Hiç më keq nuk aktron as Julianne Moore, por që nuk ka arritur të nominohet për shpëblimin për aktoren më të mirë.

Edhe Michelle Williams ka luajtur një rol jashtëzakonisht intrigues në filmin Blue Valentine. Ajo paraqet një nënë e cila gjendet në një sfidë në mes të dashurisë dhe fatit të saj jo aq të mbarë gjatë jetës saj. Ndoshta njëri ndër aktrimet më të përsosura nga Michelle Williams.

Jennifer Lawrence ka bërë një punë të shkëlqyeshme në aktrimin e karakterit të saj dhe ka merituar të nominohet për aktoren më të mirë, por nuk është një aktrim që mund të konkurronte kandidatet tjera. Nicole Kidman më herët ka fituar shpërblimin për aktoren më të mirë dhe nuk besoj që këtë vit ka ndonjë mundësi të fitoj për rolin e një nëne që humb fëmijën e saj në filmi Rabbit Hole. Bazohem në shkrimet e ndryshme pasi personalisht nuk kam parë këtë film.

 

 

Aktori më i mirë dytësor – Best Supporting Actor

Të nominuar: Christian Bale – The Fighter; John Hawkes – Winter’s Bone; Jeremy Renner – The Town; Mark Ruffalo – The Kids Are All Right; Geoffrey Rush – The King’s Speech

Jemi mësuar të shohim Christian Bale në rolin e Bruce Wayne tek Batman, por ta shohësh në rolin e Dicky Eklund, një karakter hipik nga periudha e viteve të ‘70ta, një boksier i dështuar që ka marrë rrugën e argëtimit që nganjëherë kalon edhe ligjin ishte diçka sa jofamiljare aq edhe interesante. Ngjashëm qëndron edhe Geoffrey Rush. Në filmat Pirates of Caribbean ai luan rolin e Barbarosas, piratit të çmendur, por tek The King’s Speech ai është një karakter serioz që depërton aq thellë në miqësinë mbretërore sa mbretin e thirr në emrin përkdhelës Bertie. John Hawkes luan rolin një xhaxhai problematik tek Winter’s Bone, Jeremy Renner është banditi i një bande nga Boston, ndërsa Mark Ruffalo luan rolin e një donori sperme që takon fëmijët e tij pas disa viteve, por në fund arrin të prish edhe atë rehati që kishin. Këta tre nuk janë aq kandidatë serioz për Oscar, por kanë patur paraqitje të mirë, e veçanërisht Renner për të cilin ky është nominimi i dytë pas vitit të kaluar kur u nominua për The Hurt Locker.

 

Aktorja më e mirë dytësore – Best Supporting Actress

Të nominuar: Amy Adams – The Fighter; Helena Bonham Carter – The King’s Speech; Melissa Leo – The Fighter; Hailee Steinfeld – True Grit; Jacki Weaver – Animal Kingdom

Për mendimin tim kjo kategori është kategoria më e paqartë sa i përket fitueses. Vetëm Jacki Weaver mund ta largoja nga lista e ngushtë e kandidateve për të fituar Oscar, ndoshta për atë që nuk kam arritur të shoh me kohë filmin. Të filloj me Hailee Steinfeld. Vetëm 14 vjeçare dhe luan një karakter aq të pjekur dhe serioz në filmin True Grit përkrah ikonës së filmit Jeff Bridges, dhe Matt Damonit. Performanca e saj më ka mahnitur dhe pak a shumë më ka kujtuar Ellen Page në filmin Juno. Steinfeld do të ishte njëra ndër kandidatet kryesore për Oscar, por kanë një konkurrencë të madhe sidomos nga dy aktoret nga filmi The Fighter. Amy Adams dhe Melissa Leo luajnë karaktere të ndryshme, e para e dashura, e dyta e ëma dhe menaxherja e karakterit të Mark Wahlberg, por që të dyja kanë qenë të shkëlqyeshme. Leo konsiderohet si më favorite, dhe ndoshta me të drejtë, por s’dua të lë anash as Helena Bonham Carter. Dikujt ndoshta i kujtohet nga mjuzikëlli Sweeney Todd, dikujt nga trilleri Fight Club, e unë e mbaj në mend nga filmat e Harry Potter. Sidoqoftë ta shihje në rolin e princeshës/mbretëreshës s’do të mund ta veçoje nga një mbretëreshë e vërtetë. E meritoi BAFTA-n, e meriton edhe Oscar-in.

 

 

Skenari më i mirë origjinal – Best Writing Original Screenplay

Të nominuar: Another Year – Mike Leigh; The Fighter – Scott Silver, Paul Tamasy, Eric Johnson; Inception – Christopher Nolan; The Kids Are All Right – Lisa Cholodenko,  Stuart Blumberg; The King’s Speech – David Seidler

Të shkruash skenar për një film që trajton çështjet e mbretërisë s’është aspak lehtë. E lëre më kur trajton një të metë të mbretit të vendit. David Seidler ka arritur ta bëj këtë në një mënyrë të shkëlqyeshme duke nxjerrë në pah të gjitha detajet e vuatjeve të një njeriu në të cilin mbështet i tërë kombi.

Megjithatë Christopher Nolan ka bërë një punë të mrekullueshme. Edhe pse filmat fantastiko-shkencor nuk janë të preferuarit e anëtarëve të Akademisë, të krijosh një ide të tillë si ajo në Inception kërkon goxha punë dhe më së tepërmi imagjinatë. Nolan e ka bërë për mrekulli këtë, por nuk besoj që do të çmohet nga Akademia. Nuk është hera e parë që Nolan bën skenare të papara më parë. Ka qenë Memento më parë, por edhe skenarët gjysmë-real të filmave të Batman ishin të jashtëzakonshëm. Personalisht fituesin e shoh tek këta dy filma.

Megjithatë skenar mjaft interesant ishte edhe ai tek The Kids Are All Right. Lisa Cholodenko në mënyrë të përkryer përshkruan problemet familjare që mund të has një familje lezbikesh. Kemi storien e një familje të lumtur, por me daljen në pah të babait të vërtetë, jo vetëm që ndryshohet jeta e fëmijëve së pari për së mirë e pastaj merr tatëpjetën, ashtu siç është ndodh edhe me jetën bashkëshortore të nënave të familjes.

 

Skenari më i mirë i adaptuar – Best Writing Adapted Screenplay

Të nominuar: 127 Hours – Danny Boyle, Simon Beaufoy; The Social Network – Aaron Sorkin; Toy Story 3 – Michael Arndt, John Lasseter, Andrew Stanton, Lee Unkrich; True Grit – Ethan dhe Joel Coen; Winter’s Bone – Debra Granik

Favorit kryesor në këtë kategori është Aaron Sorkin me The Social Network. Arsyeja themelore është që Sorkin nuk është bazuar tërësisht në storien e Ben Mezrich në librin e tij The Accidental Billionaires. Edhe pse as storia në libër, e as në film nuk është e tëra e vërtetë, megjithatë Sorkin ka arritur të përfshijë të gjitha karakteret duke shfaqur emocione të ndryshme ndërmjet tyre gjatë tërë filmit. Një punë goxha të madhe ka bërë edhe Danny Boyle me filmin 127 Hours duke adaptuar pothuajse në mënyrë të përkryer storien nga libri Between a Rock and a Hard Place i Aron Ralston. Nuk ka shumë dialogje, nuk ka edhe shumë ngjarje dhe lokacione në film, por megjithatë tregimi është impresionues dhe deri diku shumë prekës. Tre filmat tjerë nuk besoj që janë konkurrentë të nxehtë për të fituar Oscar, por mjafton edhe nominimi i tyre.

Filmi më i mirë i animuar – Best Animated Feature

Të nominuar: How to Train Your Dragon; The Illusionist; Toy Story 3

Në këtë kategori nuk ka fare dyshim për emrin e fituesit. Pa dyshim që do të jetë Toy Story 3 që është nominuar edhe në shumë kategori tjera. Tashti të jem i sinqertë nuk kam parë Toy Story 3 pos ndonjë traileri dhe sekuencave të ndryshme, por ka marrë shumë kritika pozitive. Në anën tjetër kam shikuar How to Train Your Dragon. Është një realizim i shkëlqyeshëm, një storie e bukur, dhe me një kast që përfshin Gerard Butlerin dhe Craig Fergussonin, dy favoritë të mijë nga bota e shoubizit. Megjithatë HTYD nuk besoj që do të fitoj Oscar. As për filmin francez The Illusionist nuk besoj që ka ndonjë gjasë për Oscar. Një karakteristikë e filmit është që ka kushtuar plot 17 milionë euro, derisa ka inkasuar vetëm 3 milionë të varfër.

 

Gjithashtu mos humbni Rubikonin sot me datë 27 shkurt e diel, ora 16:00 në KTV, ku kam pasur nderin të jem njëri ndër të ftuarit e panelit diskutues. Te dielën – RUBIKON pa kravatë. Tema: Çmimet Oscar… dhe ne. Feat. Ilire Vinca Çelaj, Fatos Berisha, Jeton Budima, Arben Kastrati & Luan Morina (KTV 16:00)

 

Përgatiti:

Luan Morina

Bllogues dhe recensues për TV&Film

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

 

Mund të ju interesoj edhe...