Django Unchained (2012) – Recensim

vlcsnap-2013-02-12-14h56m48s119

Django Unchained (2012)

IMDB Rejtingu: 8.8
Premiera e shfaqjes: 28 dhjetor 2012
Kohëzgjatja: 141 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të dhunës
Zhanri: Dramë, Uestern
Regjia: Quentin Tarantino
Skenari: Quentin Tarantino
Aktrojnë: Jamie Foxx, Don Johnson, Leonardo DiCaprio, Kerry Washington, Samuel L. Jackson
Shtëpia filmike: The Weinstein Company

Me ndihmën e mentorit të tij, një skllav i kthyer në gjahtar pasurish vendos të shpëtoj gruan e tij nga një pronar plantacioni në Mississippi.

Mund të unifikosh filmat uestern të Clint Eastwood, ‘shpagetat’ e Bud Spencer, dhe romancën e ‘Gone with the Wind; ose mund të shikosh diçka që ka mundur ta bëj vetëm mendja e rrokullisur e Quentin Tarantinos. Ti thuash gjeni filmi mund të jetë nënçmim për njërin nga personalitetet më të çmendura në kinematografinë moderne. Quentin Tarantino vjen me një film tjetër hakmarrës pas Inglorious Basterds, me dallimin e vetëm se gjithçka është edhe më e përkryer se tri vite më parë. E më e mira e të gjithë kësaj është që ky ‘trip’ i Tarantinos është trilogji, që do të thotë se na pret edhe një kryevepër e tij në të ardhmen e afërt. Diçka për partizanët nëse besohen thashethemet e para.

Skenari i Django Unchained është më i miri i të gjithë filmave të vitit të kaluar, për këtë nuk kam dyshim. Tarantino ka shkruar një projekt madhështor, të cilin e ka perfeksionuar duke realizuar edhe regjinë e filmit. Jo vetëm dramë dhe uestern, por ka shumë edhe komedi që vjen vetëm si rezultat i punës së mrekullueshme në skenarin e filmit. Ka disa momente që të bëjnë të qeshësh me zhvillimin e ngjarjeve, edhe pse ndoshta nuk janë synuar të vlerësohen si komedi, por këtë më mirë ta vlerësojmë si një bonus për të gjithë ata që vendosin të shohin këtë film.

Njëra ndër skenat më të mrekullueshme që vë në pah edhe një herë aftësitë ‘mbinjerëzore’ të Tarantinos është tek minutat e 20ta kur kemi një kënd të kapur shkëlqyeshëm, me kamerën që lëviz fokusin brenda dhe jashtë në mënyrë statike me ndryshimin e skenave. Ka disa detaje që thjesht nuk janë të nevojshme, por kur bien në sy bëjnë më madhështor filmin.

E filmi madhështor nuk do të ishte pa kontributin e një kasti të mrekullueshëm të aktorëve. Christoph Waltz kthehet nën direktivat e Quentin Tarantinos për të ofruar njërin nga aktrimet më të mira të viteve të fundit. Karakteri i tij i Dr. Shulc më shumë ngjan si një rol kryesor, por pa marrë parasysh këtë ai është një nga karakteret më të krisura në filmat e vitit të kaluar, dhe nuk ka njeri që do të portretizonte këtë karakter më mirë se Christoph Waltz.

Dr. Shulc është ‘gjahtar’ kriminelësh, në të cilin mision angazhon edhe Xhangon, një skllav zezak i cili njeh disa nga viktimat e radhës. Ai do të thyej tabutë duke e vendosur Xhangon si një jo-të bardhë të barabartë në nivel shoqëror me të tjerët, si dhe do ta ndihmoj në zanatin e ri, për të kontribuar në fund në lirimin e gruas së tij e cila ngjashëm si Dr. Shulc ka prejardhje gjermane.

Në pika të shkurtra është tema e filmit e cila evoluon në disa nën-tregime jashtëzakonisht interesante dhe të përgatitura mirë para se të arrijnë tek tema kryesore e cila shfaqet në pjesën e dytë të filmit. Në këtë pjesë dle në pah karakteri i Leonardo Di Kaprios, Kallvin Kendi që njëherë është edhe pronari i gruas së Xhangos.

Leonardo DiCaprio shfaq njërën nga performancat më të mira si pronar i plantacionit të pambukut dhe i gruas së Xhangos. Në fakt pjesa e dytë e filmit, pothuajse në përgjithësi i takon atij. Nuk kam pritur të jetë aq i mrekullueshëm në atë aksent të ‘amerikanishtes’ së pastër, diçka që më ka mahnitur në maksimum. Por, jo vetëm gjuha, performanca e tij tek loja e bilardos, dhe darkës në shtëpinë e tij është prej më të mirave në film dhe ndoshta edhe të vitit të kaluar. Ka qenë jashtëzakonisht i shkëlqyeshëm. Mëkat që nuk është nominuar për Oskar, diçka që më bën të dyshoj në antipatinë eventuale të Akademisë ndaj tij.

Jamie Foxx ka rolin kryesor në film. Jemi mësuar me performanca të tij të shkëlqyeshme më parë, dhe as këtu nuk dështon në asnjë moment. ‘Kap skenën në dorë’ vonë në film, por mjafton që të kurorëzojë atë performancën disi të rezervuar të pjesës më të madhe të filmit, me një fund të shkëlqyeshëm. Edhe Kerry Washington ka pak hapësirë, hapësirë për të cilën shfaq një aktrim shumë të mirë. E çfarë të them për Samuel L. Jackson. Si një shërbëtorë besnik dhe më i mençur se pronari i tij, karakteri i Jackson shërben për ‘devijimin’ e stories, diçka që aktrohet për merak nga Samuel L. Jackson.

Aktrimi ka qenë në përgjithësi i përkryer. Por, gjithnjë nën hijen e punës së mrekullueshme të Quentin Tarantinos. Vetëm mendja e tij mund të ofroj kësisoj kryevepra artistike. Gjithashtu vetëm mendja e tij mund të krijoj skena aq të përgjakshme!

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...