Creed (2015) – Recensim

Kurrë s’kam qenë tifoz i ‘sportit’ të boksit. Koncepti i këtij sporti si argëtim më duket i pakuptimtë. Por, megjithatë mbetet si sporti më i trajtuar në filmat hollywoodian. Për këtë arsye nuk kam parë krejt filmat e Rockyt. Por, tregimi për ‘Creed’ nuk ishte krejt i panjohur për mua. Duke nisur nga kjo, edhe tema e filmi më duke mbresëlënëse.

Sylvester Stallone kthehet me një profesion të ri që nuk përfshin shpërndarjen e grushteve që e bën ‘Creed’ shumë më të mirë dhe më të mençur se filmi i fundit për Rockyn. Tash, Rocky Balboa ka një mision tjetër, mision që të stërvit dhe mësoj Adonis Johnson, të birin e ish-mikut dhe rivalit të Rockyt, Apollo Creed.

Megjithëkëtë, Rocky nuk mbetet pa shfaqur disa nga talentet e tij, qofshin edhe vetëm të simuluara. Por, ajo çfarë e bën aktrimin e Stallones të veçantë është shfaqja e talentit të tij prej një aktori që di më shumë se sa të zhdëp grushte kundërshtarin, një aktori që portretizon një karakter me emocione për shfaqjen e të cilave duhet gropos thellë në brendinë e tij, emocione që arrijnë të përçojnë mesazhin e vet këtij projekti kinematografik.

Aktrimi i Stallones është më i miri në karrierën e tij dhe meriton një mirënjohje për të gjitha ato që i ka sjell kinematografisë ndër vite. Por, ky aktrim shoqëroret nga një talent tjetër që po zë, dhe me plotë fjalë meriton të trashëgoj franshizën e Rockyt që mund të vazhdoj për dekada nën ‘Creed’. Michael B. Jordan dhe talenti i tij është shfaqur për merak tek ‘Fruitvale Station’, për të vazhduar edhe tek ‘Fantastic Four’ – film i cili është prej më të këqijve të 2015tës, por jo për faj të aktrimit.

Tek ‘Fruitvale Station’, kinematografia ishte njohur edhe me Ryan Coogler si regjisor dhe skenarist. Bashkëpunimi i Coogler me Jordan ka vazhduar edhe tek ‘Creed’ dhe të dy kanë prodhuar një film goxha të mirë. Filmi mund të jetë pak më i gjatë se që duhet, por janë disa skena, sidomos e treta e fundit e filmit që është realizuar për mrekulli si në shkrim, ashtu edhe në realizim teknik.

‘Creed’ është një komponim i shkëlqyeshëm i përvojës së Stallone dhe talentit të Jordan e Coogler. Lirshëm mund ta konsiderojmë si bartje e stafetës së Rockyt nga Stallone tek këta të fundit. Një bartje stafete që nuk duhet të humbet si nga fansat e Rockyt e filmave sportiv-luftarak, ashtu edhe nga fansat e kinematografisë në përgjithësi. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...