Concussion (2015) – Recensim

Për fansat e futbollit amerikan fjala ‘concussion’ është ndër më të frikshmet. Nëse një lojtar i ekipit tuaj diagnostifikohet me ‘tronditje’ mund të humbas edhe tërë sezonin. Dhe mungesa e një kuarterbeku qoftë edhe vetëm për disa ndeshje mund të humbas krejt sezonin. Por, mjaft me futboll amerikan. Ti kthehemi filmit.

Vërtetë më vjen mirë që Will Smith më në fund e ka gjetur rrugën e duhur. Pas disa filmave të tmerrshëm, së pari erdhi ‘Focus’ dhe më pas ‘Concussion’. Edhe pse të dytë me tema goxha të ndryshme, rrjedhimisht edhe aktrim të ndryshëm, Will Smith bën punë të shkëlqyeshme në të dytë. Për më tepër aktrimi i tij tek ‘Concussion’ ka qenë i denjë edhe për tu nominuar për Oskar.

Tek ky film, Will Smith portretizon një mjek të quajtur Bennett Omalu i cili arrin të mësoj arsyen për humbjen fatale të jetës së disave nga futbollistët më të mirë të cilët në kohë të ndryshme pas pensionimit edhe i marrin jetën vetes për shkak të problemeve me tru. Prejardhja dhe raca e Dr. Omalu, i cili nis luftën kundër argëtimit të preferuar të një kombi të tërë, e bëjnë misionin e tij të pamundur. Lufta e ftohtë ndërmjet liderëve që udhëheqin dhe përfitojnë nga ky sport në shpinë të futbollistëve të pasiguruar mjaft për shëndetin e tyre, dhe Dr. Omalut i cili ka qëllim human, shpeshherë kalon edhe kufijtë e normales.

Ky tregim vjen i përpunuar për mrekulli Peter Landesman i cili arrin që një artikull të thjeshtë reviste ta kthej në një film dy orësh për merak. Puna pas kamerave nuk ka ndonjë gjë të veçantë, por më ka pëlqyer tepër fotografia e filmit e cila arrin të përshtatet me temën që trajton në shumicën e rasteve. Megjithatë gjithçka mbetet nën hijen e aktrimit. Pos Will Smith, kasti është i pasur edhe me rolet e portretizuara nga Alec Baldwin, Albert Brooks, e Gugu Mbatha-Raw.

‘Concussion’ mbetet një film i rëndësishëm për sportin e futbollit amerikan dhe historinë e tij. Një film që sjell në pah edhe një herë talentin që ka Will Smith për të aktruar. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...