Category: Opinione

Gjithnjë është vështirë të zgjedh më të mirët e sezonit televiziv, por ky vit ishte pak më me telashe. Vendosa të mos përfshijë serialet e huaja, të cilat këtë vit ishin më të shumta në numër, por megjithatë cilësia mungonte, sidomos komeditë dhe serialet për tinejxherë.

Pra, kam përfshirë vetëm programet që prodhojnë vet kanalet me përjashtim të ngjarjeve sportive që transmetojnë, e të cilat sigurisht nuk janë prodhim i kanalit, por një vendim i drejtë apo i gabuar për të sjell atë ngjarje.

Sasia e programeve është e bollshme, cilësia është shumë e pakënaqshme. Do të mund ta bëja edhe vetëm Top5 e Top10, apo sikur një vit edhe Top50, por disa programe nuk ja vlen as të përmenden.

Si zakonisht lista shpreh mendimin tim personal, dhe është rezultat i më shumë se 500 orë të kaluara para televizionit me programe vendore.

Është edicioni i pestë i kësaj përzgjedhjeje. Më shumë për renditjet e viteve të kaluara mund të gjeni tek Telekomanda.com

Për çfarëdo komenti në lidhje me listën, mospajtimeve, pakënaqësive e sendeve tjera mund të gjeni mënyrën të kontaktoni në morinaluan.com

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Lista e më të mirëve në kanalet tona këtë sezon televiziv është si në vijim:

Top 20 – Kosovë

20.  1st Minute (First Channel)

Të jem i sinqertë First Channel nuk ka shumë programe që më pëlqejnë. E di që jo të gjithë mendojnë si unë, dhe respektoj mendimin e tyre. 1st Minute e gjen veten në Top20 për vetëm një arsye. Ajo është debati ndërmjet Valon Malokut dhe Fisnik Ismailit. Debati kishte pasur një periudhë ‘parapërgatitore’ me kundërthëniet e tyre në Facebook, që mund të ketë krijuar një audiencë të mirë, ndoshta disa që e kanë shikuar edhe për të vetmen herë sikur unë.

19.  Stinë dashurie (RTK)

Dukej si projekt interesant. Ishte episod i parë i mirë, më pëlqeu. Por, nuk më tërhoqi të kthehem për më shumë episode. Tregim normal, dramë me ngjyra telenovele vetëm se e lokalizuar deri në një masë. Të gjithë ato xhirime jashtë vendit mendoj që kanë qenë të panevojshme. Nuk di që shumë veta e kanë përmendur për të mirë. Megjithatë është mirë të nxiten prodhimet vendore, por, me tema më të hareshme që na shmangin nga këto ‘njolla’ të historisë dhe shoqërisë sonë. Për këtë arsye komeditë kanë shkëlqyer, derisa dramat e kanë pasur një sezon dhe në arkiv.

18.  Ora 7 (Klan Kosova)

Akoma mbetet programi më i mirë i mëngjesit. I vetmi në këtë listë. Keka bën punë të mirë në rolin e moderatorit, diçka që nuk gjenden as tek ‘Sot’ i mbipopulluar me gjininë e kundërt, e as tek dy programet e mëngjesit në kanalet tjera kombëtare. Gjithnjë është zgjedhja e parë e imja për programin e mëngjesit.

17.  Telekino (RTK)

Vazhdon të mbetet programi më i mirë për film edhe më tutje. KTV ka pasur një tentim të bëj diçka të ngjashme, por mund të them lirisht se kanë dështuar. Telekino vazhdon të mbetet guida kryesore nëse dëshironi të merrni lajmet e fundit për filmin. Gjithashtu së fundmi janë popullarizuar edhe Maniakat n’Facebook.

16.  Pulsi (KTV)

Kalimi i Pulsit nga një program ekskluziv për shëndetësinë në një program debati me shtrirje më të gjerë ka qenë një vendim i mençur për mendimin tim. Mefail Bajqinovci është adaptuar lehtë nga intervistat 1me1 në debate, dhe po bën punë të mirë. Ideja më e mirë do të ishte që programi të mbetet i përqendruar në fushën e përafërt me shëndetësinë, të diskutoj edhe për tema shoqërore, pasi ka mjaft çka të diskutohet për këtë.

15.  Zona e Debatit (Klan Kosova)

Shumë më e mirë se Zona B. Baton Haxhiu është njëri ndër moderatorët më arrogant dhe të njëanshëm që do ti gjejmë në televizion. Është vetëm mendimi im, por ka njerëz që pajtohen me këtë mendim. Vetëm pse ke në dorë kameramanin dhe regjisorin, nuk mund të kyçësh e ç’kyçësh këdo kurdo, e të ofendosh e nënçmosh dikë në televizion siç ndodhi rasti me njërin nga kandidatët për kryetarë të Mitrovicës.

Por, ata që e vendosin në këtë vend janë moderatorët dhe mysafirët që përkundër të gjitha që përmenda më lart, akoma vazhdojnë të jenë mysafirë dhe panelistë shumë interesant.

14.  NBA në Kujtesa (K-Sport)

Që nga kur Kujtesa vendosi të bënte pakon e sportit, platforma ka arritur të sjell disa nga ngjarjet më të mira sportive në Kosovë. Dhe krejt kjo me një çmim jashtëzakonisht të favorshëm për ambientin tonë. La Liga pati njërin nga sezonet më fantastike, dhe kjo vetëm sa pritet të bëhet edhe më interesant vitin e ardhshëm. Ngjashëm ishte edhe me Ligue 1 dhe Euroligën.

Por, ajo që shkëlqeu këtë vit ishte NBA. Si një fans i sporteve amerikane në përgjithësi, dhe NBA në veçanti ka qenë një kënaqësi që Kujtesa ka sjell për të gjithë kosovarët këtë ngjarje. Ishte një sezon fantastik, dhe shpresoj që Kujtesa të sjell edhe më shumë këso lloj ngjarjesh.

13.  Njerëzit dhe kujtimet flasin (KTV)

Është programi më i mirë që ka të bëj me historinë e luftës. Nuk ka nevojë për muzikë folklorike në sfond, për thurje të vargjeve poetiko-patriotike nga persona që ndoshta nuk kanë lidhje fizike me atë për të cilën flasin. E kam llafin për shumë ‘dokumentar’ që vijnë në RTK kohë pas kohe, edhe në prime-time.

Ky program sjell përvojën tmerruese të njerëzve që kanë parë me sytë e tyre të bëmat e luftës së fundit. Është program ‘i rëndë’ për zemër dhe tru, por, është program jashtëzakonisht i realizuar mirë.

12.  Imazh (RTK)

Imazh ka kaluar një sezon të përzier të them. Disa herë ka lëvizur nga skema, ka shtuar disa rubrika, lojëra që nuk më kanë pëlqyer.  Është mirë i realizuar, por, po lëvizën në kahun e kundërt. Ka shumë talent dhe aftësi për të bërë më mirë.

11.  Liga e Kampionëve (RTK)

Ka shumë pak gjëra në RTK për të cilat mund të flasim fjalë të mira. Ndër këto është departamenti i sportit. Si i vetmi kanal kombëtar që transmeton sport, RTK e ka dhënë provimin. Sjell dy garat më të mira në futboll, të gjitha ngjarjet e mëdha të kombëtareve, si dhe përvojën e skuadrave tona në skenën ndërkombëtare. Cilësia e garave është e mahnitshme, por komentimi mund të jetë shumë shumë më i mirë. Nuk mjafton vetëm Arben Berisha.

10.  O Sa Mirë (T Plus – Ipko)

Seriali i preferuar për shumë veta. E di që shumë flasin, e shikojnë dhe e duan këtë serial. Unë nuk jam në mesin e tyre. Ka shumëçka që nuk shkon me serialin. Ambienti i njëjtë, riciklimi i skenave komike, dhe mbi të gjitha të qeshurat artificiale tepër të shpeshta. Në asnjë serial nuk mund të qeshim për gjysmën e kohës së serialit që transmetohet. Tentimi i skenaristëve për të bërë çdo skenë komike, e duke vënë të qeshura artificiale në çdonjërën prej tyre më ka bërë që të mos përcjell këtë serial. Personalisht s’mund të duroj këto gjëra. Kasti i aktorëve është impresiv, ngjashëm si tek ‘Stinë dashurie’ por realizimi nuk është në nivel.

9.    Info Magazine (Klan Kosova)

Shumë më i mirë se Zonat e Batonit. Magazinë që prek temat e ditës dhe është një nga alternativat më të mira për të nisur mbrëmjen gjatë sezonit të dimrit. Shpesh janë debate me dy mysafirë 1me1 dhe moderatorin që dalin të jenë shumë të frytshme. Më pëlqen, sidomos në sezonin e dimrit.

8.    Drejtësia në Kosovë (RTK)

Emisioni që është spin-off i JnK-së ka bërë shumë gjëra të shkëlqyeshme viteve të fundit sa është në transmetim. Kontributi i tyre në këtë shoqëri nuk ka munguar as sezonin e kaluar televiziv. Emisioni vazhdon të prek tema të duhura, është i realizuar për mrekulli dhe padyshim që meriton vend në mesin e emisioneve më të mira në televizionet tona. Më pëlqen mjaft shumë, por ngjashëm si JnK preferoj ta shikoj në ueb.

7.    Oxygen (KTV)

Kalimi i Oxygen në KTV, i ka dhënë më shumë hapësirë kohore Besim Dinës. Por, të premten në mbrëmje unë s’do ti kaloj gati tri orë me vetëm një program televiziv. Ndeshja e futbollit zgjat 105 minuta, dhe nëse ti e tejkalon kohën që ka një ndeshje futbolli për një program televiziv atëherë teprohet. Më pëlqejnë debatet, shumica janë interesante, por stili i komedisë nuk është për qejfin tim. Kuptohet kjo i pëlqen një shumice, dhe e respektojmë këtë. Por, pjesa për lojën shpërblyese do të mund të ishte e ndarë veçmas dhe të transmetohet një ditë tjetër.

6.    Jeta në Kosovë (RTK-RTV21)

Personalisht nuk kam mundur të shikoj asnjë debat parazgjedhor. Në fakt, nuk kam dashur. Por, e di që shumica kanë lavdëruar punën e Jeta Xharrës gjatë kësaj periudhe. Unë s’do të ishte e drejtë të vlerësoja diçka që nuk kam parë, por kam shikuar disa debate të JnK këtë sezon, shumicën në ueb. Jeta Xharra është ajo e vjetra dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.

5.    Fehi’s Show (RTV21)

Komedieni më i mirë në televizionet tona për mendimin tim. Si një fans i ‘late-talk show’ amerikane, mund të them që nuk i afrohet askush më shumë se Fehi’s Show për kah cilësia. Është program qesharak, ka rubrika të mira, por sikur të kishte më shumë emisione do të ishte më mirë.

4.    Vikendi (RTK)

Dyshja e njërit ndër shout më të mirë të pasluftës – Meselation, Blerim Peci dhe Fehmi Ferati janë në Top 5. Edhe një herë Vikendi është para. Vazhdon të jetë emision argëtues, ka skena të mira, rubrika komike, por ka pasur kufizime të shumta në kohë këtë sezon. Realizohet për mrekulli dhe është ndër të paktë shou që ja vlen të shikohet. Shpresoj që përkushtimi mos të bie, pasi sezoni i parë mendoj që ka qenë më i mirë se ky i fundit.

3.    Te Linda (KTV)

KTV gjithnjë ka kontribuar në sjelljen e emisioneve të gatimit. Por, asnjëri nuk mund të kaloj ‘Te Linda’. Është emisioni më i mirë për gatimin që vjen në KTV, duke pasur parasysh edhe Nigellan e Jamien që kanë qenë transmetuar më parë. Te Linda ofron receta të thjeshta, të përshtatshme për ne në krahasim me ato që përmenda më lartë.

2.    Rubikon (KTV)

Adriatiku vazhdon të jetë lideri i debatave në emisionet tona. Si në debate si në intervista 1në1, falë përvojës që ka akumuluar tërë këto vite, Adriatiku ofron Rubikonin të përkryer si një emision debati. Nuk është lehtë të jesh kundrejt ti në debat e lëre më në intervista 1në1. Pyetjet e bëra janë gjithnjë sipas rendit të caktuar, të ndërlidhura me temën dhe me një kohështrirje që nuk të lë të kërkosh më shumë në fund.

Debatet nuk i sheh të eskalojnë nga tema dhe karakteri, nuk ka ngritje të zërash, nuk ka fytyra të ngrisura, e lëre më fjalë banale. Thjesht është lakmi dhe shembull për të tjerët.

Më pëlqen të shikoj kurdo që kam kohë të lirë dhe nuk kam asnjë dyshim që është më i mirë se të gjithë emisionet që përmenda më lart.

  1. Interkativ (KTV)

Pas Rubikon, Interaktiv është emisioni i dytë nga KTV që fiton titullin e ‘kampionit’. Sa për një sezon fantastik, sa për cilësinë e akumuluar në të gjithë këto vite të transmetimit. Dhe çdo vit më duhet të përmend urrejtjen që kam pasur ndaj këtij programi kur zëvendësoi komeditë gjysmë-orëshe që sillte KTV para gjumit gjatë viteve tona të adoleshencës.

Por, tani ajo mbetet vetëm një kujtim i mirë, dhe një kohë e papërdorur në maksimum nga KTV siç ndodhi tani me Interaktiv. Më mirë nuk ka ku të shkoj. Xhema me kolegë po bën punë të mrekullueshme. Intervistat janë të shkëlqyeshme, panelistët e rregullt të mahnitshëm, e krejt kjo e bën njërin nga emisionet më të mira të shfaqura ndonjëherë në televizionet tona.

Interaktiv këtë vit ngjitet më së larti në podiumin e programeve më të mira kosovare.

 

 

Top 20 Shqipëri

20.  Vizioni i pasdites (Vizion Plus)

Vizioni i pasdites ka mbetur i vetmi emision që ia vlen të shihet në këtë pjesë të ditës. Pasdite në Top Channel nuk më ka pëlqyer kurrë me Lamën, derisa edhe më dobët i realizuar është Takimi i Pasdites me Magjistarin. Sigurisht që nuk jam audienca kryesore për këto emisione, mirëpo nëse më duhet të zgjedh nga këto tria, atëherë zgjedh Vizioni i Pasdites.

19.  Kënga ime (Klan TV)

Shumë më mirë i realizuar se sa ‘The X-Factor’. Ndoshta ndihmon faktin që nuk kemi Alketën për të na shurdhuar me mbidozën e emocioneve që vijnë në shprehje në çdo moment që lëshohet mikrofoni i saj. Për nostalgjikët e Këngëve të shekullit, muzikës së mirëfilltë shqipe, është një emision që deri disi na mbulon atë mungesën që kemi për këtë lloj muzike.

18.  Amerikani i parë në lajme (Agon Channel)

Talent shou i realizuar në mënyrë shumë të mirë nga Agon Channel. Ka një juri të mirë, konkurrentë të denjë, dhe realizimi teknik është në nivelin e kënaqshëm. Juria është e mirëfilltë, profesionale, ngjashëm me moderatorët. Sezoni i parë i mirë për ‘Amerikani i parë në lajme’.

17.  Dita e shtatë (Agon Channel)

Kush do të shpenzonte një të diele të plotë për të shikuar vetëm një emision. Njëqind herë do të zgjidhja një ‘maratonë seriali’, apo transmetime sportive përpara ‘E diel’, ‘E diela shqiptare’ e ‘Dita e shtatë’. Mos harrova ndonjë?! Megjithatë, nëse ngjashëm si tek programet e pasdites, edhe këtu duhet të zgjedh njërën, atëherë padyshim që do të shkoj me ‘Dita e shtatë’. Sjell një atmosferë ndryshe, jo të çoroditur, të thjeshtë, dhe me përmbajtje më thelbësore.

16.  Agonland (Agon Channel)

Agonland është vetëm një emision shtesë në grumbullin e emisioneve të ngjashme që sjellin televizionet tona. Megjithatë arrin të jetë emision më ndryshe për botën e shoubizit. Gjëja kryesore që e bën special është koha që kalohet jashtë studiove të zakonshme, enterierit, duke u përqendruar më shumë në eksterier. Përmbajtja kurrë nuk mungon, e edhe stafi gjithnjë në krye të detyrës.

15.  Select (Top Channel)

Pak ndryshime kanë ndodhur në Select gjatë të gjithë këto sezoneve televizive. Megjithatë më pëlqen realizimi i emisionit. Vazhdon të jetë një realizim i mirë, interesant, dhe si gjithnjë shkëlqen si në realizimin teknik, ashtu edhe në përgatitjen e stafit. Gjithnjë i ndihmon dhe ndihmohet nga Top Fest duke bërë një korrelacion të shkëlqyeshëm ndërmjet tyre.

14.  Next (Vizion Plus)

Impresiv është zhvillimi i Next gjatë këtyre viteve të transmetimit. Është një realizim i shkëlqyeshëm dhe destinacioni kryesor për adoleshentët dhe interesat e tyre. Realizohet më mirë se emisionet konkurrente dhe gjithnjë sjell risi.

13.  Të parët (Agon Channel)

Emisioni i preferuar i mëngjesit. Është emision ‘për tokë’, i realizuar mirë, thjeshtë dhe shkëlqyeshëm. Na largon nga ‘bajatet’ që nuk ndryshojnë tashmë disa vite në emisione konkurrente. Moderatorët janë të mirë, realizim teknik po, sjellin tema interesante çdo mëngjes, dhe nuk teprohet.

12.  A Show (Agon Channel)

Aftësitë e Adi Krastës si autor emisionesh kurrë nuk kanë qenë në dyshim. Si gjithnjë ai vazhdon të jetë shembull i përkryer i një moderatori modern. Bisedat e tij me mysafirët, intervistat gjithnjë janë të shkëlqyeshme, të qeta, të kënaqshme për tu ndjekur. Pa marrë parasysh se kush është mysafiri, biseda gjithnjë është në nivelin e duhur.

11.  Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Është një formë e dokumentarit javor që kurrë nuk lë mungesë temash për të shtjelluar. Është një ndër programet më të mira në Vizion Plus, dhe me një orar tepër mirë të përcaktuar. Andi Bushati është më meritori që kemi një emision kaq mirë të përgatitur.

10.  Opinion (Klan TV)

Është dekada e dytë e Blendit në televizion. Sidoqoftë, gjithë ai numër i emisioneve gjatë një jave tepron dhe na bën bajate deri në një masë Opinionin. E kuptoj që i njëjti shikues nuk mund të shikoj të gjithë episodet në një javë, pasi thjeshtë të gjitha nuk janë tema që i interesojnë, por, rreziku është kur asnjë nga temat e javës, mysafirët, debatet nuk del të jetë interesante. Ekspozimi i tepërt mund të sjell edhe humbjen e shikueshmërisë. Nëse jo atë, atëherë humb interesimi.

9.    Exclusive (Top Channel)

Ish-kampioni këtë vit është në pozitën e tetë. Jo që ka rënie në cilësi, përkundrazi ka pasur disa nga emisionet më të mira në ekzistencën e tij, por kam vendosur të lë më lart emisionet më ‘argëtuese’. Exclusive kurrë nuk më dëshpëron. Temat, kohëzgjatja, termini, realizimi, gjithçka është e përkryer.

8.    Top Story (Top Channel)

Top Story është më lart se Opionin për herë të parë. Vazhdon të mban një nivel të lartë të realizimit. Mysafirët, temat, dhe më kryesorja, transmetimi një herë në javë e bëjnë Top Story, emisionin e debatit më të përzgjedhur. Sokol Balla ka bërë një punë të shkëlqyeshme tërë këto vite, duke mos manipuluar më shumë se që duhej me formatin, dhe si rrjedhojë kemi një ‘Top Story’ perfekt. Padyshim emisionin më i mirë i debatit në ekranet shqiptare.

7.    MasterChef Albania (Top Channel)

Si çdo herë, realizimi teknik i formateve ndërkombëtare që adaptohen nga Top Channel është i realizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk mungon as tek MasterChef Albania. Por, ka shumë gjëra që nuk shkojnë, dhe shpresoj të përmirësohen në sezonin e dytë. Së pari, sfidat për konkurrentët janë jo shumë të denja për kuzhinierë profesionist. Pastaj, juria provon të shtiret si e fortë, si një Gordon Ramsay, por, duket se kjo është vetëm sipërfaqësore. Gjithashtu çdo episod zgjat më shumë se që duhet, më shumë se versionet tjera ndërkombëtare.

6.    Portokalli (Top Channel)

Shumë gjëra kanë ndryshuar tek Portokalli gjithë këto sezone. Nuk është Portokallia e viteve të lavdit, por, megjithatë vazhdon të mbetet aty kah kreu. Akoma është në Top 10, pasi ka skeçe, elemente vërtetë interesante. E pastaj janë ajo pjesa e kotë, dëshpëruese, zhgënjyese, që i humb edhe emrin e mirë që ka fituar tërë këto sezone.

5.    Al Pazar (Vizion Plus)

Agron Llakaj po bën punë të mirë tek Al Pazar. Më pëlqen puna e tij. Gjithmonë më ka pëlqyer, dhe nuk ndjehem aspak i zhgënjyer as me episodet më pak interesante të Al Pazar. Mysafirë të mirë, skeçe të shkëlqyeshme, kast shumë mirë i përzgjedhur. Al Pazar është ndër emisionet më të mira të Vizion Plus.

4.    Ça Thu (Agon Channel)

Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli kanë bërë një dyshe të shkëlqyeshme në TV. Ishte koha e fundit që të ndahet dyshja e Fiks Fare pasi gati vetëm kishte nisur të plakej prezenca e tyre në Fiks Fare. Saimiri dhe Gentiani kanë një harmoni të shkëlqyeshme në Ça Thu. Kjo i jep shije emisionit dhe e bën të kënaqshëm për të shikuar. Kanë përfituar më së shumti nga ‘mosha televizive’ e Fiks Fare, të cilën ka disa vite që nuk e përcjell pos për ‘mostër’ të kësaj liste.

3.    Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Një shkapërderdhje e formës ‘Portokalli’ ka goditur këtë sezon 2XL. Por, për dallim nga ‘Portokalli’ formati e bën 2XL më pak të lëndueshëm ndaj dezertimeve. Megjithatë mungesa e Ermalit e Gentianit është më se e qartë, por angazhimi me kohë i Albanos, e Cubit të cilët tani janë në mesin e ‘veteranëve’ me trungun e vetëm Julianin kanë bërë që ikja e tyre mos të lë edhe aq shumë hapësirë të pambuluar. Gjithashtu largimi jo i menjëhershëm i të dyve ka ‘ndihmuar’ programin.

Sidoqoftë, me apo pa ata dy, 2XL vazhdon të mbetet një ndër programet më të mira shqiptare.

2. The Voice (Top Channel)

Padyshim formati më së miri i adaptuar. Realizimi teknik, siç e përmenda më lartë, nga Top Channel është i mahnitshëm. Juria me Sidritin, Eltonin e edhe Almën është gjithnjë në nivelin më të mirë. Largimi i Miriamit ka lënduar formatin. Aurela nuk është ndër artistet më të preferuar nga unë, prandaj nuk mund të them se ka mbuluar hapësirën e lënë nga Miriam. Presioni për të zëvendësuar atë, para përvojës së saj ka qenë i dukshëm qartazi. Gjithashtu do të ishte edhe më mirë sikur të kemi edhe një moderator më pak ‘energjetik’, më të qetë. Por…

1.    6 Ditë pa Ermalin (T Plus)

Edhe pozita e kampionit i takon njeriut më komik në televizion, Ermal Mamaqit. ‘6 Ditë pa Ermalin’ është programi më i mirë në televizionet shqiptare sezonin e kaluar. Ka një format të përkryer, i realizuar për mrekulli. Ermali prek temat e javës me një pikëpamje të tij të veçantë, që është ndër mënyrat më komike që mund të bëj çfarëdo personalitet televiziv. Audienca në studio, mysafirët, realizimi teknik, janë për mrekulli. Çdo herë kur është larguar nga projektet aktuale kam pasur frikë se kurrë s’mund të jetë më i suksesshëm se që ishte në momentin. Është hera e dytë që demantohem. Nuk do të them që ky është kulmi për të. Por, për momentin është kulmi i programeve televizive në botën e televizionit në Shqipëri.

Read Full Article

Top40Vitin e kaluar ishte Top 50 pas një Top 10 dhe Top 20. Këtë vit kam vendosur të reduktoj numrin në Top  si shenjë revolte për degradimin në cilësi të programeve televizive që shfaqen në kanalet tona.

Renditja është mendim personal i imi, nuk paraqet qëndrimet e redaksisë së Telekomandës apo çfarëdo mediumi tjetër ku mund të publikohet eventualisht. Është thjesht mendimi im i thjeshtë, i konstruktuar mbi shumë orë të kaluara duke shikuar televizion gjatë këtyre viteve, sidomos këtë sezon që për mua tashmë ka përfunduar.

 

40 Lugina e Ujqërve (Vizion Plus)

Padyshim seriali turk më i mirë i transmetuar në Vizion Plus deri më tani. Është një kult në televizionet turke dhe mund të vazhdoj për vite të tëra. Personalisht nuk është ndër serialet e mija të preferuara, por përshtatet me etjen e shikuesve shqiptarë.

 

39 Drejtpërdrejt (TVSH)

I vetmi program që ja vlen të shikohet në televizionin publik shqiptar. Sinqerisht, programet tjera nuk ja vlejnë të shikohen, pos ndoshta kuizit të ri të Enkel Demit, i cili ka filluar pak më vonë se koha kur vlerësoj se meritojnë një vend në sezonin televiziv. Drejtpërdrejt mbetet simboli dhe ku të ishte ai fat që të ketë edhe më shumë programe të të njëjtës cilësi në TVSH.

 

38 Top Fest (Top Channel)

Ka filluar të plaket edhe ky format. Nuk është në majat siç ishte më parë. Nuk mund ti fajësojmë, edhe brende si American Idol nuk po mund të mbijetojnë në dekadën e dytë. Po, Top Fest-in, sidomos ato edicionet fillestare do të mund ti krahasoja me American Idol. Ka qenë një finale jo shumë eksituese sipas disa analistëve tjerë, dhe me shtimin e konkurrencës si The Voice e X Factor Albania, nuk besoj që kemi hapësirë për tri programe talentesh muzikore.

 

37 Champions League (Klan TV)

Edhe tri vite gara më e madhe ekipore në botë vjen falas për shqiptarët në TV Klan. Nuk ka pasur alternativë më të mirë se kjo, dhe është fat që nuk është me pagesë edhe të mërkurave siç ndodh për shembull në Francë. Është politikë e UEFA-s që vetëm një mbrëmje të shfaqet futboll në kanalet pa pagesë, prandaj nuk është fajtor Klani pse nuk ka Champions të martave. Sidoqoftë, tani zgjedhja e parë e mbrëmjes që ofrojnë është një ngritje në krahasim me sezonet e kaluara.

 

36 Takimi i pasdites (Klan TV)

Epo nuk më ka pëlqyer në sezonet e kaluara. Nuk ka ndryshuar diçka për të mirë as këtë sezon për mua. E di që nuk jam targeti demografik, por nëse do ta krahasoja me programet tjera simotra do ta vendosja pas tyre, por edhe Pasdite ka mbetur ngjashëm tani. Nuk ka diçka të veçantë, por e di që shumë veta nga demografia e këtij emisioni pëlqejnë Takimi i pasdites.

 

skaner-kampionat35 Skaner Kampionat (Albanian Screen TV)

Më pëlqen që vazhdon traditën edhe pas tërë këtyre viteve. Nuk ka humbur shumë nga origjinaliteti, dhe kjo mendoj që e bën të mbijetoj. Shpesh bëhen debate të frytshme dhe interesante. Besoj që ka ruajtur audiencën e vet përkundër shfaqjes së formateve të ngjashme të reja.

 

34 Pasdite në Top Channel (Top Channel)

Ku është Lira Burgija?! Seriozisht çfarë menduan krerët e Top Channel duke sjell Ulpiana Ramën në vend të Lirës?! Nuk ka sjell asgjë më të mirë dhe më cilësore për mendimin tim. Nuk ka dëmtuar imazhin dhe formatin e emisionit, por, Lira Burgija ka bërë punë të shkëlqyeshme. Meritonte të mbetej në pozitën e autores së këtij emisioni.

 

33 Sulltani – Shekulli i madhërishëm (Albanian Screen TV)

Sulltani është kthyer në kohë rekorde tek audienca shqiptare. Kjo na është thënë nga AS TV, por edhe në një mënyrë pasqyrën urinë e shikuesve për seriale të tilla. Nuk e mohon askush që është seriali më i madh turk për momentin, dhe sezoni i katërt i jep edhe më shumë siguri në të ardhmen AS TV. Meriton të jetë në mesin e dyzet programeve më të mira në kanalet tona.

 

32 The Good Wife (Klan TV)

Nuk është drama që kam pritur, por është dramë lart e vlerësuar në Klan TV. Ka pasur alternativa tjera, mendoj, por megjithatë edhe ‘The Good Wife’ nuk është për tu hedhur poshtë. Besoj që mund të gjej audiencën e saj, e gjithashtu rinovimi për sezonin e ardhshëm i jep Klanit një siguri më të madhe në spektrin e dramave amerikane në primetime. Sidoqoftë, prurjet e reja nuk do të ishin kurrë të padëshiruara.

 

31 Select (Top Channel)

Edhe një program stemë i Top Channel. Ardhja e programeve debatuese, talk-show, në programacionin e pasdites, si dhe prania e telenovelave nuk ka arritur të çmontoj këtë program. Më pëlqen si një alternativë më ndryshe, më e lehtë, më e këndshme pas një paraditeje të lodhshme. Shpresoj të vazhdoj edhe për sezone tjera.

 

30 Wake Up (Top Channel)

Destinacioni më i mirë për mëngjes, padyshim është çifti i Wake Up. Ofrojnë alternativën më të këndshme për të nisur ditën, falë energjisë së tyre të parezervuar ndonjëherë, lajmeve të freskëta, rubrikave, dhe muzikës të zgjedhur. Programet konkurrente ose janë jostabile ose të dala mode.

 

game-of-thrones-season-429 Game of Thrones (3Plus/Digi Plus)

Vetëm në maj ky serial ka krijuar një hallakamë që i shtyn të gjithë të interesohen më shumë për të. Versioni në 3Plus dhe Digi Plus, më duket se nuk ka qenë i censuruar ashtu si në Top Channel. Megjithatë mungesa e HBO-së në Shqipëri, shkakton vonesa të shumta në prurjen e këtij seriali, diçkaje që i kontribuojnë edhe kanalet që blejnë këtë serial.

Megjithatë, qoftë edhe me vonesë dikush po kujdeset të sjell dramën më të mirë në televizion për momentin (shih edhe rejtingun e IMDB-së, dhe komentet e fansave) në Shqipëri.

 

28 Once Upon a Time (Albanian Screen TV)

Më pëlqen menyja e serialeve të huaja që transmetohen në Albanian Screen. Once Upon a Time është një nga dramat më të mira që mund të shfaqen në televizionet tona. Është një ‘gërshetim përrallash’ që nuk e ka të vështirë për të gjetur audiencën. Megjithatë nuk do të thosha të njëjtën gjë edhe për komeditë. Shumica e tyre janë komedi një-kamere dhe nuk përshtaten shumë me audiencën tonë, mendoj.

 

27 1001 net (Albanian Screen TV)

Halit Ergenc vazhdon të mbetet në ekranet e AS TV. Diçka më e butë se Sulltani, një dramë e butë turke, diçka që nuk është vërejtur deri më tani në kanalet shqiptare. Më ka pëlqyer për kohën sa është shfaqur në KTV. Ka një kast të mrekullueshëm, aktorë me përvojë, dhe një temë jo aq të rëndë. Ide e mirë e Albanian Screen TV për të sjell 1001 net.

 

26 The Voice Kids (Top Channel)

Sigurisht nuk është aq i popullarizuar sa formati kryesor, por megjithatë ofron një alternativë për të gjithë zërat aspirues që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre. Është më i ‘dëmtuar’ prej formatit kryesor, por ia arrin t’ia dal. Më pëlqen më shumë se ‘Gjeniu i vogël’, por akoma nuk ka arritur të njëjtin nivel të popullaritetit. Me më shumë seriozitet nga stafi realizues, mund të bëhet edhe më i madh.

 

25 Fiks Fare (Top Channel)

Fiks Fare është format që po i reziston mplakjes. Komedia nuk ka qenë kurrë primare, por tani shpesh duket se është zhdukur. Pra, nëse e shihni për komedi, atëherë kërkoni alternativë tjetër. Megjithatë formati investigues, përkundër mungesës së ‘boom’-ave të nivelit të mëparshëm vazhdon të jetë në nivel të lakmueshëm. Kjo vazhdon ta mbaj në mesin e kanaleve më të mira në televizionet shqiptare.

 

tjetri24 Tjetri (Top Channel)

Kuiz interesant. Shtesë e mirë në programin e pasdites të Top Channel. Besoj që në sezonin e dytë stafi do të ketë më shumë përvojë dhe do të realizoj një program më të mirë. Është interesante të shohim Manushin në rolin e autorit të një emision që s’ka të bëj me Barcelonën!

 

23 100 Milionë (Top Channel)

Po mbijeton akoma pa Adi Krastan. Në fakt nuk kam parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Eno Popi ka bërë punë të mirë. Është kuiz joshës, nuk teprohet falë vetëm një transmetimi në javë, nuk kërkon shumë kohë dhe mendime, është i thjeshtë dhe lehtësues.

 

22 Mad Men (Albanian Screen TV)

Njëra nga dramat më të mira, ose le të them drama më e mirë e shkruar që për momentin transmetohet në televizion vjen tek shqiptarët në një kanal kombëtar. Kjo është një dobi që duhet ta shfrytëzojmë të gjithë fansat e skenarëve të këndshëm dramatik. Nuk di sa rrezon tek ne kjo dramë, por e di që cilësia është prej më të mirave që mund të shohim në kanalet tona. I lumtë Albanian Screen që transmeton ‘Mad Men’.

 

21 Shqip (Top Channel)

Edhe një program simbol i brendit të Top Channel. Akoma vazhdon të qëndroj në transmetim përkundër shumimit ‘kërpudhor’ të debateve televizive. Shqip ka ruajtur origjinalitetin, formatin më ndryshe nga të tjerat që shënjohet me debate shumë të qeta dhe të kulturuara, pa britma, tema që nuk prekin të tjerët, por janë të rëndësishme, si dhe intervista e reportazhe të shkëlqyeshme kohë pas kohe.

 

20 Dribbling (Vizion Plus)

Ishte çështje kohe kur do të niste Dribbling, apo një program i ngjashëm sportiv në Vizion Plus. Kjo ndodhi këtë vit dhe si sezoni debutues nuk kam shumë çka për të kritikuar, pos që më pëlqen konkurrenca dhe do tu nevojitet punë dhe kohë për të gjetur një audiencë vërtetë konkurrente dhe fanse të emisionit. Mendoj që kjo mund të nis të vërehet në sezonin e dytë që është ‘fito ose shko’ sezoni për shumë emisione.

 

19 Desperate Housewives (Top Channel)

Seriali simbol i Top Channel ka përfunduar. Pas ‘Lost’ tani edhe ‘Desperate Housewives’ largohet për të lënë një hapësirë që assesi nuk mund të plotësohet nga një ‘Game of Thrones’ i redaktuar në masë të madhe. I radhis këtu si një mirënjohje për sjelljen tek publiku shqiptar i serialeve që i kanë dhënë identitet Top Channel. ‘Lost’ dhe ‘Desperate Housewives’.

 

Ora-5PM18 Ora 5PM (Vizion Plus)

Tani, programi im i preferuar i pasdites në kanalet shqiptare. Ka arritur të mbetet origjinal, ashtu siç ishte projektuar, ka pasur ndoshta ndryshime jo të mëdha, por esenca, trajtimi i temave, zhvillimi i debateve, mbetet i shkëlqyeshëm sikur vitin e kaluar. Është zgjedhja ime primare për programet e pasdites për momentin.

 

17 Proçesi sportiv (Top Channel)

Këtë vit është përqendruar më shumë në futbollin shqiptar. Për më tepër besoj që duhet të kemi një spin-off për ligat ndërkombëtare. Këto që më interesojnë më shumë mua personalisht vinin në transmetim rreth orës 1 pas mesnate, që është vonë nëse ju nevojitet të zgjoheni të martën herët në mëngjes. Gjithashtu edhe repriza nuk të jep alternativë reale.

 

16 A Show (Vizion Plus)

Adi Krasta bën atë që bën më së miri. Është i lindur për këto lloje të programeve televizive, dhe thjesht shkëlqen. Ka pasur disa emisione jashtëzakonisht të mira, intervista të shkëlqyeshme që të kanë ngjitur para ekranit. Ka një termin jo të mirë, sidomos për neve fansave të futbollit për shkak të së martës së Champions, pra, gjysmën e emisioneve të sezonit ndoshta duhet ti shohim reprizë, ose të harrojmë të tërën. Por, sa herë që shohim, nuk mund të them që zhgënjehemi, së paku jo unë personalisht.

 

15 Top Story (Top Channel)

Akoma konkurron me Opinion, por thjesht nuk ka arritur pjekurinë që ka emisioni i Blendi Fevziut. Mungojnë debatet interesante, të baraspeshuara, të pavarura. Është emision i mirë që josh një pjesë të shikueshmërisë, por, akoma nuk ka arritur të mposht paragjykimet. Sidoqoftë, është mirë konkurrenca direkte dhe ‘guximi’ për të shkuar kokë me kokë me Opinion e mos të ikë në një ditë tjetër të javës. Më pëlqen që po ruajnë ‘të enjten politike’ të dyja kanalet. Është alternativë perfektë për ata që nuk shikojnë ‘Opinion’.

 

14 Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Vazhdon të jetë njëri ndër emisionet më të mira me ngjyrë politike. Më pëlqejnë shumica e reportazheve, sidomos ato që lundrojnë në të kaluarën. Ka një orar të mirë transmetimi, nuk ka konkurrencë të fortë në termin, dhe thjesht nuk ka asgjë të keqe. Të mirat mund ti numërojmë sa herë të duam. Më pëlqen si format dhe uroj të ketë jetëgjatësi.

 

13 Bar Sport (SuperSport)

Më pëlqen fakti që SuperSport po përqendrohet në realizimin e programeve origjinale, jo vetëm transmetimeve të ndeshjes. Bar Sport është program interesant, shpesh ka mysafir interesant, por mund të jetë edhe më i mirë. Më tepër koncentrohet në ‘bukurinë’ e prezantueseve se sa në opinionet e ekspertëve.

 

12 X Factor Albania (Klan TV)

Zhgënjimi im me adaptimin e këtij formati tek ne nuk mund të shprehet në këtë paragraf. Ka shumëçka që nuk shkon, që nuk funksionon duke nisur nga moderimi i Alketës, deri tek juria me anëtar si Tuna. Seriozisht, Tuna?! Kurrë nuk kanë munguar superlativët për performancat që rrallëherë do të kalonin mesatare, gjykime joreale, si dhe mosmarrëveshje në pikat kryesore si tek eliminimi se kush do të shkoj e kush do të mbetet. Si një fans i madh i X Factor-it britanik, versioni shqip më bën të vjellë.

 

gjeniu-i-vogel11 Gjeniu i vogël (Klan TV)

I njëjti problem që kam tek X Factor ekziston edhe këtu. Seriozisht Klan TV, seriozisht Genta të na gjej gjeni neve shqiptarëve!!! Atëherë vallë halli për neve. Nuk është një model të cilin duhet të lakmojnë fëmijët gjeni (disa prej këngëve të saja kanë prejardhje të dyshimtë), e lëre më ekspertizën e saj në fushën e muzikës. Qyshdoqoftë rikthimi i Gjeniut po që është një veprim i duhur i Klanit, por kanë mundu të bëjnë gjë shumë më të mirë, e gjithashtu Rudina Magjistari më mirë do të ishte të mbetej me formatin e saj të pasdites.

 

10 Opinion (Klan TV)

Vazhdon të mbetet programi debatues më i frytshëm në kanalet shqiptare. Përvoja e Blendit e bën të veten, dhe nuk duket në horizont dikush që mund t’ia marr primatin. Më pëlqen ndarja e formatit, dy intervista 1n1, dhe një debat i gjerë të enjteve. I lejon hapësirë më shumë Klan TV që të vendos programe më argëtuese në primetime. Sidoqoftë nëse do të shihja politikë, apo debat, atëherë zgjedhja ime e parë në kanalet e Shqipërisë mbetet Opinion.

 

9 1001 Pse (Top Channel)

E shtuna ka kuptim në vjeshtë në Top Channel. Njëri ndër formatet më të këndshme në këtë kanal. Thjeshtë disa nga pyetjet e fëmijëve janë të mrekullueshme. Më pëlqen çiltërsia dhe pafajësia e tyre kundër personaliteteve të ndryshme. E edhe më të këndshme janë kur nuk ka kamera, e kur disa nuk çajnë kokën për mysafirët – ec e mos e pëlqe po mundje.

 

8 Kuzey Guney (Klan TV)

Tek Klan TV po arrijnë të ruajnë shijen e zgjedhjes së serialeve turke. ‘Kuzej Gynej’ veçse radhit edhe një sukses, për mendimin tim në sjelljen e serialeve turke në primetime. Është pasardhës i denjë për ‘Ezel’, dhe ka gjithçka që e karakterizon një serial të suksesshëm turk, pra gjithçka që ngop apetitet e fansave të këtyre programeve televizive. Më shumë jam i interesuar të shoh se çfarë do të sjellin pas ‘Kuzej Gunej’, të shoh se a do të mund të qëndrojnë në një linjë të duhur. Unë e kam emrin që do të kishte sukses, por a e kanë ata tek Klan, atë do ta shohim në sezonin e ri televiziv. Jo, sigurisht që nuk është ‘Shtëpiaket e dëshpëruara (turke)’ alternativa ime.

 

nga-e-para7 Nga e para (Vizion Plus)

Njëri nga emisionet më të dashura për shqiptarët. Gjithashtu edhe më të lakmuara. Për humanitetin, ndihmën që jep ky emision as nuk mund të mendohet për një pozitë tjetër pos asaj të parës. Por, realizimi mund të jetë një çikë më i mirë, e gjithashtu disa episode më shumë ndoshta do të kushtonin, rrjedhimisht, më shumë, por edhe do ta bënin edhe më të përkryer. Tashmë është një nga emisionet më të mira që mund të shihni në televizion, nga emisionet që ju bëjnë të ndiheni mirë.

 

6 Exclusive (Top Channel)

Kampioni ‘fatlum’ i vitit të kaluar zhvendoset në pozitën e gjashtë. Jo që nuk është në nivelin e sezonit të kaluar, por thjeshtë kemi një performancë më të mirë të Top 5. Exclusive ka sjell disa reportazhe të shkëlqyeshme këtë sezon, nuk ka dëshpëruar aspak, dhe gjithnjë kur kam kohë e shikoj. Mbetet një ndër programet më të mira të zhanrit të tij.

 

5 Ezel (Klan TV)

Si mëson shqiptarët të shohin seriale turke në prime-time?! Ju servon ‘Ezel’-in dhe krijohet një zakon që mund të vazhdojë me vite. Prej serialeve turke që kam ndjekur (e vërtetë ndjek, por shumica janë komedi), Ezel renditet në serialet më të mira turke të transmetuara në kanalet shqiptare. Meriton pozitën në Top10 serialet e transmetuara sezonin e kaluar në televizionet shqiptare. Ka krijuar një avantazh të madh për Klan TV, që po përcillet me ‘Kuzej/Gynej’ e që do të vazhdoj besoj me ‘Karadayi’ gjatë verës. Thjesht nuk ka alternativë më të mirë për momentin për të dominuar primetime e javës.

 

4 Portokalli (Top Channel)

Evoluimi i Portokallisë ndër vite nuk ka qenë ashtu siç ishte në fillim. Le të kthehemi në 4-5 sezonet e para. Zgjerimi, përmirësimi, i Portokallisë jo nga viti në vit, por edhe nga java në javë shkonte mirë e mirë. Për mua majat i ka pasur në vitin 2010, që nga atëherë kemi riciklim të skeçeve jo shumë komike (jo për mua si kosovar). Problem tjetër ka mbetur sjellja e talenteve të reja që nuk kanë arritur nivelin e yjeve që kanë bërë të famshëm këtë format. Vazhdon të mbijetojë falë karaktereve të Policit e Gjinit, por deri kur?!

 

al-pazar3 Al Pazar (Vizion Plus)

Nuk është Agoni i Portokallisë, por nuk është edhe diçka e dështuar. Në fakt është format mjaft i suksesshëm që na ofron alternativë të shtunave që më parë dominoheshin nga Këngët e Shekullit (s’më intereson Big Brother). Agoni ka sjell disa nga karakteret më të pëlqyera që ka pasur tek Portokalli, por, ndoshta ka mundur të mbledh një ansambël më të suksesshëm. Vetëm edhe një emër nga Portokalli mund ta bënte akoma më interesant. Skeçet janë komike, janë të mira, nuk ka shumë banalitet. Megjithatë ajo pjesa kur Agoni është moderator është ajo…. si të them… ajo pjesa që na ‘qetëson’ dhe na detyron të pushojnë të qeshurat, të cilat duhet ti rinisim menjëherë në skeçin tjetër. Kjo nuk bën punë për mua, derisa pjesa tjetër është shumë e mirë.

 

2 Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Vendim i mençur për të heq qafe ‘Sketch Show’. Por, vendim aspak i mençur për pushimin e Ermalit. Megjithatë kasti i shkëlqyeshëm vazhdon të ofroj humor cilësor të dielave, më cilësorin në televizionet shqiptare. Transmetimi direkt në YouTube më ka ndihmuar mjaft personalisht mua, por shpresoj edhe shikuesve të tjerë të cilët kanë qenë në numër të bollshëm. Cilësia e komedisë nuk mungon, është format mijëra herë më i mirë se Sketch Show, një projekt që shyqyr që nuk u kthye. Finalja e madhe më në fund me Saliun do ti plotësojë ëndjet e kastit. Kujt do ti këndojnë më pas?! Berlusconit?!

 

the-voice1 The Voice (Top Channel)

Pa dyshim programi më i mirë në kanalet shqiptare. Formati i adaptuar në mënyrë fantastike. Zgjedhin talente dhe jo persona për turpërim publik si në garat e ngjashme. Suksesi i konkurrentëve nuk mungon. Juria është njëra ndër më së miri të përpiluara ndonjëherë në ekranet tona. Pjesa teknike është e mahnitshme. Të gjitha këto mjaftojnë për ta vendosur në pozitën e programit më të mirë televiziv në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2012-13. Vështirë të lëkundet nga kjo pozitë edhe sezonin e ardhshëm nëse vazhdojnë kështu.

Luan Morina

Kritik për TV & Film

Read Full Article

Më të mirët e 2012 – Mendimi juaj ka rëndësi

Portali i vetëm televiziv në gjuhën shqipe, Telekomanda.com këtë vit ka vendosur të shkoj një hap para dhe si zakonisht të vazhdoj me risitë që sjell në tregun shqiptar. Për herë të parë, vizitorët e uebfaqes tonë do të kenë mundësinë të zgjedhin më të mirët e vitit.

Janë tri kategori të udhëhequra nga kategoria për televizionin. Në këtë kategori ju do të mund të votoni për programet më të mira dhe kanalet e operatorët kabllor/satelitor/IPTV më të mirë. Kategoria e filmit dhe muzikës janë më të reduktuara dhe përfshihen simbolikisht në këtë vlerësim vjetor.

Janë dy periudha votimi. E para nis të hënën me 3 dhjetor dhe përfundon të premten me 7 dhjetor. Gjatë kësaj periudhe ju jeni të lirë të nominoni çfarëdo alternative në të gjitha kategoritë. Nga data 9 dhjetor deri më datën 23 dhjetor ju do të mund të votoni për alternativat e paracaktuara që vijnë si rezultat i votës tuaj në periudhën e parë. Alternativat do të jenë nga 3 deri në 6 sosh në çdo kategori varësisht prej popullaritetit të kategorisë.

Në listën e të nominuarve regjistrohen vetëm programet, titujt e filmave, serialeve etj që kanë qenë aktive apo janë shfaqur për herë të parë nga data 1 janar deri më datë 1 dhjetor 2012. Kjo është mënyra e vetme dhe më e besueshme për të shprehur mendimin tuaj, andaj ju ftojmë të ndani pak kohë për të shprehur mendimin tuaj aty ku vlerësohet më së larti.

Vërejtje: Në rrethin e parë të nominimeve jeni të lirë të nominoni çfarëdo akti që mendoni se meriton të renditet në kategorinë e caktuar. Mund të nominoni vetëm në një kategori dhe alternativa të pakufizuara. Mënyra e nominimit bëhet duke komentuar në këtë artikull në faqet Telekomanda.com, Televizioni.al, Shqipmedia.com, dhe Facebook-faqen Media&Televizioni Sondazhe, në rrjetet shoqërore në Facebook, Tumblr, dhe me replikë në Twitter. Gjithashtu mund të shkruani email në telekomanda@gmail.com, info@telekomanda.com, info@televizioni.al dhe 2012@telekomanda.com

Gjithashtu për shkak se tregu televiziv kontrollohet nga tre autoritete të ndara, KKRT në Shqipëri, KPM në Kosovë, dhe Autoriteti Maqedonas për Media në Maqedoni, në kategori të caktuara si programet, kanalet kombëtare, platformat kabllore mund të votoni ndaras për vendin të cilit i takoni.

Mënyra më e lehtë për të votuar është të kopjoni listën nga këtu dhe të shtoni nominimet poshtë kategorisë së caktuar. Ndjehuni të lirë ta shpërndani.

Ky projekt i Telekomandas përkrahet nga portali më i madh shqip në Maqedoni, Shqipmedia.com dhe Facebook faqja informative më e madhe në Shqipëri, Media&Televizioni Sondazhe.

 

 

Televizioni

Programet

Seriali televiziv vendor më i mirë

Aktori më i mirë në serial televiziv vendore

Aktorja më e mirë në serial televiziv vendore

 

Seriali televiziv i huaj më i mirë

Aktori më i mirë në serial televiziv të huaj

Aktorja më e mirë në serial televiziv të huaj

 

Seriali televiziv turk më i mirë

Aktori më i mirë në serial televiziv turk

Aktorja më e mirë në serial televiziv turk

 

Telenovela më e mirë

Aktori më i mirë në telenovelë

Aktorja më e mirë në telenovelë

 

Shou më i mirë informativ

Moderatori më i mirë në shou informativ

 

Edicioni më i mirë i lajmeve

Moderatori/ja më e mirë në edicion lajmesh

 

Programi më i mirë kulturor

Moderatori/ja më e mirë në program kulturor

 

Talk-Show më i mirë ditor

Moderatori/ja më e mirë në talk-show ditor

 

Programi më i mirë i mëngjesit

Moderatori/ja më e mirë në program të mëngjesit

 

Reality-show më i mirë

Moderatori/ja më e mirë në reality show

Garuesi/ja më e mirë në reality show

 

Talent-show më i mirë

Moderatori/ja më e mirë në talent-show

Garuesi/ja më e mirë në talent-show

 

Talk-show më i mirë i mbrëmjes

Moderatori/ja më e mirë në talk-show të natës

 

Programi muzikor më i mirë

Moderatori/ja më e mirë në program muzikor

 

Programi më i mirë për fëmijë

Moderatori/ja më e mirë në program për fëmijë

 

Programi më i mirë dokumentar

Moderatori/ja më e mirë në program për fëmijë

 

Kanalet

Kanali më i mirë kolazh

Kanali më i mirë filmik

Kanali më i mirë sportiv

Kanali më i mirë muzikor

Kanali më i mirë lifestyle

Kanali më i mirë dokumentar

Kanali më i mirë për fëmijë

Kanali më i mirë kabllor

Kanali më i mirë satelitor

 

Platforma më e mirë satelitore

Platforma më e mirë kabllore

Platforma më e mirë IPTV

 

 

Film

Filmi më i mirë në TV

Filmi më i mirë i vitit

Aktori më i mirë i vitit

Aktorja më e mirë e vitit

 

Filmi më i mirë shqiptar në TV

Filmi më i mirë shqiptar i vitit

Aktori më i mirë shqiptar i vitit

Aktorja më e mirë e shqiptare e vitit

 

Muzikë

Kënga më e mirë shqipe

Këngëtari më i mirë shqiptar

Këngëtarja më e mirë shqiptare

Bendi më i mirë shqiptar

Kënga më e mirë e huaj

Këngëtari më i mirë i huaj

Këngëtarja më e mirë e huaj

Bendi më i mirë i huaj

 

 

Read Full Article

Shpërblimet e 64ta Emmy mbahen të dielën në ora 20 sipas kohës lokale, ora 2 pas mesnate sipas kohës tonë. Si zakonisht Emmyt shpërblejnë më të mirët në televizionet amerikane gjatë vitit të kaluar dhe zakonisht organizohen vetëm një ditë para fillimit të sezonit të ri.

Kjo ceremoni shpërblen më të mirët në televizion nga data 1 qershor 2011 deri më 31 maj 2012. Ceremonia organizohet në Nokia Theatre në Los Anxhelos derisa moderator është Jimmy Kimmel.

Më poshtë do të gjeni një analizë të shkurtër për kategoritë kryesore derisa nominimet e plota mund ti gjeni këtu.

Komedia më e mirë:

Big Bang Theory (CBS)

Curb Your Enthusiasm (HBO)

Girls (HBO)

Modern Family (ABC)

30 Rock (NBC)

Veep (HBO)

Modern Family ka fituar dy vitet e fundit dhe është favorit edhe këtë vit. Sigurisht është njëra ndër komeditë më të mira, por mendoj që këtë vit është koha që The Big Bang Theory të kap më në fund shpërblimin pasi pos shikueshmërisë këtë vit ka shënuar rritje edhe në cilësi në krahasim me Modern Family. Komeditë e HBO-së janë komedi por nuk janë qesharake, ngjashëm si 30 Rock që dominonte para ardhjes së Modern Family. Favoritët e mi janë The Big Bang Theory dhe Modern Family, por mendoj që kjo e dyta ka gjasa më të mëdha për të fituar.

 

Drama më e mirë:

Boardwalk Empire (HBO)

Breaking Bad (AMC)

Downton Abbey (PBS)

Game of Thrones (HBO)

Homeland (Showtime)

Mad Men (AMC)

Krejt vëmendja tek kjo kategori është e drejtuar kah dy dramat e AMC. Sigurisht njëra nga ato do të merr primatin. Breaking Bad po kalon çastet më të mira të serisë me sezonin e fundit, por, fansat e Mad Men, përfshirë edhe mua e dinë që sezoni i fundit ishte diçka e jashtëzakonshme. E meriton titullin e pestë radhazi në po aq sezone, por edhe Breaking Bad ka gjasa të mira. Nuk guxoj të përjashtoj as Homeland dhe Downton Abbey, dy drama të shkëlqyeshme. Në përgjithësi këtë vit të gjitha dramat e meritojnë titullin përfshirë edhe Game of Thrones e Boardwalk Empire, por nuk mendoj që asnjë e meriton më shumë se Mad Men, të cilës mendoj që i ka ardhur fundin në primatin e kësaj kategorie.

Miniseria/TV Filmi më e mirë:

American Horror Story (FX)

Game Change (HBO)

Hatfields & McCoys (History Channel)

Hemingway & Gellhorn (HBO)

Luther (BBC America)

Sherlock: A Scandal in Belgravia (Masterpiece) (PBS)

Tek kategoria e miniserive ka një që ka bërë zhurmë. Është Hatfields & McCoys që ka thyer disa rekorde shikueshmëri në kohën e shfaqjes së saj në History Channel. Prodhimet e BBC-së, Luther dhe Sherlock janë prodhime të mira, por nuk besoj që mund të marrin një Emmy para Game Change apo edhe American Horror Story. Do të veçoja si favorite Hatfields & McCoys.

Shou më i mirë:

The Colbert Report (Comedy Central)

The Daily Show With Jon Stewart (Comedy Central)

Jimmy Kimmel Live (ABC)

Late Night With Jimmy Fallon (NBC)

Real Time With Bill Maher (HBO)

Saturday Night Live (NBC)

Edhe një herë kategoria për shoun më të mirë më dëshpëron. Craig Ferguson nuk është i nominuar përsëri, ndër favoritët e mi absolut. Por, shou që ndjek me kënaqësi vazhdimisht janë edhe shout e Comedy Central me Jon Stewart dhe Stephen Colbert. Nuk dyshoj që Stewart do të fitoj edhe këtë vit siç ka bërë viteve të fundit.

Animacioni më i mirë:

The Simpsons (Fox)

American Dad (Fox)

Futurama (Comedy Central)

The Penguins of Madagascar (Nickelodeon)

Bob’s Burgers (Fox)

S’dyshoj që The Simpsons janë një ndër gjërat më të mira të shfaqura në televizion ndonjë herë. Por, shumë veta nuk pajtohen me këtë mendim prandaj ka edhe prej atyre që shohin diçka qesharake, edhe pse ka shumëçka të pështirë tek Bob’s Burgers. American Dad është prodhim i mirë, ngjashëm edhe Penguinët e Madagaskarit që nuk i afrohen atyre në filmat origjinal, por janë mjaftë qesharak. Do të dëshiroja të fitonte The Simpsons.

Aktori më i mirë në komedi

Alec Baldwin, 30 Rock

Don Cheadle, House of Lies

Louis C.K., Louie

Jon Cryer, Two and a Half Men

Larry David, Curb Your Enthusiasm

Jim Parsons, Big Bang Theory

A duhet të përsërisë ‘dashurinë’ time ndaj The Big Bang Theory dhe karakterit të Shelldonit përsëri. Mendoj që meriton ‘treshen’ pas largimit të Alec Baldwin për të cilin nuk besoj që është afër të fitoj këtë vit. Në mos Parson atëherë Louis C.K. ka një bazë të madhe fansash dhe e shoh si favorit. Jon Cryer ka shkëlqyer me largimin e Charlie Sheen tek ‘Dy burra e gjysmë’ dhe do të më vinte edhe po të fitonte. Cheadle ka pasur sezonin debutues tek komedia jo fortë qesharake e Showtime. Ngjashëm edhe Larry David nuk më ka pëlqyer kurrë. Janë komedi, por nuk janë qesharake. Mendoj dhe dëshiroj të fitoj Jim Parsons, por s’do të befasohesha edhe pse do të dëshpërohesha më pak se për të tjerët po të fitonte Louis C.K. apo Jon Cryer.

Aktorja më e mirë në komedi

Zooey Deschanel, New Girl

Lena Dunham, Girls

Edie Falco, Nurse Jackie

Tina Fey, 30 Rock

Melissa McCarthy, Mike & Molly

Amy Poehler, Parks and Recreation

Melissa McCarthy triumfoi vitin e kaluar, sigurisht pak ndoshta edhe me ndihmën e filmit Bridesmaids. Padyshim është njëra ndër aktoret më të mira në njërën nga komeditë e preferuara të mija, Mike&Molly. Punë të mirë këtë vit ka bërë edhe Zooey Deschanel, por nuk mendoj që mund të bind jurinë para Amy Poehler, Tina Fey, e Edie Falco e cila nuk mendoj që ka një rol shumë ‘qesharak’ në të ashtuquajturën komedi ‘Nurse Jackie. Ngjashëm është nominuar edhe Lena Dunham e cila bën pothuajse gjithçka tek Girls duke nisur nga regjia, skenari e deri tek aktrimi. Do të preferoja të fitonte McCarthy ose Deschanel, por mendoj që Poehler është favorite këtë vit, ndoshta edhe Dunham.

Aktori më i mirë në dramë

Hugh Bonneville, Downton Abbey

Steve Buscemi, Boardwalk Empire

Bryan Cranston, Breaking Bad

Michael C. Hall, Dexter

John Hamm, Mad Men

Damian Lewis, Homeland

Ngjashëm si tek dramat, edhe kategoria e aktorit më të mirë në dramë është tepër e paqartë. Bryan Cranston është rikthyer me Breaking Bad dhe veçohet si favoriti kryesor. Unë do të preferoja ndoshta më shumë Jon Hamm që ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm tek Mad Men. Më pas do të vendosja Steve Buscemi dhe Damian Lewis që ka pasur një sezon të parë fantastik tek Homeland. Edhe Hall e Bonneville kanë pasur sezona të shkëlqyeshme vitin e kaluar, por nuk mendoj që janë favoritë për Emmy. Tekefundit mendoj që ‘kulti’ të cilit i përkasin votuesit do të sjell edhe fituesin.

Aktorja më e mirë në dramë

Kathy Bates, Harry’s Law

Glenn Close, Damages

Claire Danes, Homeland

Michelle Dockery, Downton Abbey

Julianna Margulies, The Good Wife

Elisabeth Moss, Mad Men

Favoritja ime dhe favoritja e pakontestueshme është Claire Danes nga Homeland. Ju që keni parë Homeland e dini që nuk ka pasur diçka më të mirë se ajo nëpër seriale drama vitin e kaluar. Ndjej keqardhje që është anuluar pas dy sezoneve Harry’s Law me Kathy Bates pasi mendoj që ajo ka bërë një punë të shkëlqyeshme aty, por nuk besoj që asnjëra nga konkurrentet mund të kaloj Danes këtë vit. Elisabeth Moss në Mad Men ka qenë më pak e vërejtur këtë vit dhe nominimi i saj më ka befasuar paksa, por kjo kategori duket të jetë më e qeta viteve të fundit. Close ka fituar më parë dhe është mundësia e fundit të fitoj me Damages, e nuk bën të përjashtohet as Margulies.

Aktori më i mirë dytësorë në komedi

Ty Burrell, Modern Family

Jesse Tyler Ferguson, Modern Family

Max Greenfield, New Girl

Bill Hader, Saturday Night Live

Ed O’Neill, Modern Family

Eric Stonestreet, Modern Family

Bill Hader ka një segment të mrekullueshëm në SNL, i cili i bën të qeshë edhe vet aktorët e lëre më shikuesit. Max Greenfeld ka luajtur njërin ndër rolet më të mira në New Girl në sezonin e parë. Ka qenë tepër i mirë. Megjithatë klani i Modern Family dominon këtë kategori. Burrell dhe Stonestreet tashmë kanë fituar një Emmy dhe këtë vit mendoj që është koha e Ed O’Neill. Ferguson bën punë të mirë, por do ta renditja vetëm pas treshes tjetër të Modern Family dhe aspak para Greenfield dhe Hader. Favoriti im është Ed O’Neill për të cilin mendoj që është më së afërmi Emmyt.

Aktorja më e mirë dytësore në komedi

Mayim Bialik, Big Bang Theory

Julie Bowen, Modern Family

Kathryn Joosten, Desperate Housewives

Sofia Vergara, Modern Family

Merritt Wever, Nurse Jackie

Kristen Wiig, Saturday Night Live

Edhe tek kjo kategori mendoj që Emmy do të shkoj tek Modern Family, më saktë tek Sofia Vergara e cila pritet të ketë një rol edhe më të madh në sezonin e ardhshëm dhe për faktin që Julie Bowen tashmë ka fituar Emmy vitin e kaluar. Kristen Wiig ka dështuar vitin e kaluar, edhe pse ka pasur filmin Bridesmaids për ta ‘ndihmuar’, dhe për atë nuk mendoj që as këtë vit mund të fitoj. Mayim Bialik ka pasur rol më të madh tek Big Bang Theory, por ngjashëm si aktoret tjera nuk mendoj që është në rrethin e ngushtë të favoriteve edhe pse duket të jetë kategoria më e paqartë dhe e qetë.

Aktori më i mirë dytësorë në dramë

Peter Dinklage, Game of Thrones

Jared Harris, Mad Men

Jim Carter, Downton Abbey

Brendan Coyle, Downton Abbey

Giancarlo Esposito, Breaking Bad

Aaron Paul, Breaking Bad

Dinklage mund ta mbroj titullin edhe këtë vit, por dyshja e Breaking Bad nuk është lehtë të mbetet pa Emmy. Paul ka fituar para dy viteve, derisa Esposito ka mundësinë e parë për titull. Edhe pse mendoj që Breaking Bad mund të jetë favorit vitin e ardhshëm në sezonin e fundit, nuk bën të përjashtohen as këtë vit. Jared Harris ka mundësinë e fundit të fitoj për Mad Men ku përfundoi pothuajse më shumë se dy sezone të shkëlqyeshme.

Aktorja më e mirë dytësore në dramë

Christine Baranski, The Good Wife

Joanne Froggat, Downton Abbey

Anna Gunn, Breaking Bad

Christina Hendricks, Mad Men

Archie Panjabi, The Good Wife

Maggie Smith, Downton Abbey

Do të doja dhe mendoj që Maggie Smith është njëra ndër favoritet për të fituar Emmy këtë vit. Por, si dy favorite të ngushta do të cilësoja Anna Gunn nga Breaking Bad dhe Christina Hendricks nga Mad Men, të dyja me sezone shumë të mira në serialet e tyre. Edhe dyshja e The Good Wife gjithnjë futet në mesin e më të mirave, Panjabi ka fituar para dy viteve derisa Baranski akoma nuk ka Emmy për këtë serial.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Read Full Article

Në pjesën e parë të muajit maj në Telekomanda.com kemi renditur 50 programet më të mira në kanalet kosovare. Lista është përpiluar nga kryeredaktori dhe krijuesi i Telekomanda.com, Luan Morina, kritik për TV&Film si dhe kolumnist i rregullt për televizion në gazetën Zëri.

Gjatë javës së kaluar kemi radhitur 50 programet më të mira në kanalet që transmetojnë në Shqipëri. Nga e hëna deri të enjten janë publikuar nga 10 programe duke filluar nga pozita e 50 deri në pozitën e 11. Tani është radha për 10 programet më të mira, të cilat do ti gjeni nëpër faqe një nga një deri tek programi më i mirë në pozitën e parë.

Pajtoheni me këtë listë? Ju duket e padrejtë? Keni mendime tjera? Shprehuni me anë të komenteve, në Facebook, Twitter apo edhe duke dërguar email në redaksi.

Read Full Article

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

30 Smallville (Top Channel)

Fundi i një ndër historitë me të cilën është rritur një gjeneratë adoleshentësh shqiptarë. Historia e Kentit ka përfunduar tashmë, por kujtimet do të ndjekin përgjithnjë fansat e këtij seriali. Ndoshta edhe ishte koha e duhur të përfundonte. Megjithatë duhet të vlerësohet durimi i Top Channel për të sjell të gjitha episodet duke mos lënë të dëshpëruar audiencën, përkundër ndryshimeve të shumta në orar.

29 Dritëhije (Albanian Screen TV)

Një nga emisionet debatuese që veçohet në Albanian Screen TV. Ajo çfarë e bën më të theksuar se emisionet tjera është moskufizimi në vetëm debate politike. Jonida Shehu ka arritur të gjej tema shumë të qëlluar për të trajtuar në emision së bashku me ekspertë të njohur përkatës. Meriton të vendoset në mesin e 30 emisioneve më të mira në kanalet shqiptare.

28 Fiks Fare (Top Channel)

Njëri nga ato emisionet epike. Përkundër moshës vazhdon të mbijetoj. Por, pikërisht ndoshta mosha është arsyeja kryesore pse rrallë shikoj këtë emision. Kohë pas kohe zgjohet interesimi për të përcjell ndonjë episod, zakonisht pasi të zbulojnë ndonjë skandal dhe bën bujë në media.

27 Zonë e Lirë (Klan TV)

Njëri ndër emisionet që më prish nervat. Arjan Çani është nga moderator më neveritës për mendimin tim në televizionet tona. Qëndrimi i tij duke nisur nga mysafirët e për të vazhduar gjatë tërë kohës sa zgjat emisioni nuk më pëlqen fare. Mos të harrojmë edhe banalitetin e kohëpaskohshëm. Por, janë mysafirët ata që nganjëherë i japin shije emisionit. Për këtë arsye edhe zë një vend në mesin e emisioneve solide.

26 Dita ime (Vizion Plus)

Kur jemi tek Dita ime, mos të harroj të përmend edhe emisionin Zip. Edhe pse emeton shumë më herët se Dita ime, Zip jep ato informatat e nevojshme që të duhen posa të hapësh televizorin. E Dita ime ka bërë një mini-revolucion në kanalet shqiptare duke ofruar një program të mëngjesit/drekës që nis shumë më vonë se programet tjera të mëngjesit, por edhe ka audiencën më ndryshe, amvise për të cilat Dita ime ofron gjithçka që do të ju mund tu interesonte. Format dhe ide e shkëlqyeshme.

25 Extreme (Top Channel)

Një ndër emisionet e pakta, mos të them të vetme që sjell imazhe ekstreme në kanalet tona. Më pëlqen koncepti i emisionit dhe termini i transmetimit është goxha i përshtatshëm. Ka një autor në nivel, ngjashëm si përmbajtja që për fansat e këtij emisioni pothuajse asnjëherë nuk dëshpëron.

24 Top Show (Top Channel)

Top Show ka rënë nga njëri prej emisioneve simbole të Top Channel në një emision solid. Përkundër studios së shkëlqyeshme, nuk kam një ndjenjë si më parë për këtë emision. Më pëlqen jashtëzakonisht mënyra e realizimit, trajtimi i temave, por thjesht çdo herë duket de është ai katrori që mungon në enigmë.

23 Nga e para (Vizion Plus)

Edhe pse ndoshta me vonesë, adaptimi i versionit shqiptar të Extreme Makeover është një ndër hapat më të mençur në industrinë e televizionit. Ky emision ka qenë i domosdoshëm për një ambient si tek ne ku ekzistojnë me mijëra raste të përshtatshme për këtë format. Puna humanitare gjithnjë është e mirë, por kur realizohet në mënyrë të shkëlqyeshme, atëherë ka një shije më të ëmbël. Stafi i Nga e para ka bërë një punë të shkëlqyeshme, dhe shpresoj të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.

22 Mad Men (Albanian Screen TV)

Në sondazhin e realizuar nga Telekomanda, Mad Men nuk ka marrë as 1% të votave. Është mëkat që ky prodhim fantastik amerikan nuk shikohet më shumë. Personalisht mendoj që është ndër dramat më të mira në historinë e fundit të televizionit, e këtë e vërtetojnë edhe çmimet e shumta. Albanian Screen TV ka bërë një punë të shkëlqyeshme me sjelljen e këtij seriali tek shikuesit e gjerë, e edhe më i shkëlqyeshëm ka qenë vendimi për ta ofruar në uebfaqen e tyre zyrtare, hera e parë për serialet e huaja në kanalet shqiptare.

21 Shqip (Top Channel)

Përkundër zhvendosjes nga koha e rregullt dhe kalimi në emision të dorës së dytë pas fillimit të Top Story, Shqip me Rudina Xhungan vazhdon të transmetohet me mjaft sukses. Nuk ka ndonjë orar të ngjeshur në skemë, konfrontohet vetëm me Milionerin, prandaj edhe nuk ka ndonjë arsye për tu brengosur për suksesin e emisionit. Ajo që i ndihmon është trajtimi jo vetëm i temave politike, gjë që e bën më të gjerë edhe gamën e shikuesve të këtij emisioni.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore shqiptare.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Read Full Article

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

vazhdon nga dje

40 Next (Vizion Plus)

Ngjashëm si programet e pasdites për audiencën familjare, edhe programet për të rinj që transmetohen në pasditen e hershme janë shtuar në kanalet tona. Next është njëri nga programet e reja të Vizion Plus dedikuar audiencës për të cilën nuk kishte shumë alternativa në këtë kanal. Është një realizim solid, trajton tema interesante dhe arrin të josh të rinjtë me rubrikat që ofrojnë informata të freskëta gjithnjë.

39 Sulltani – Shekulli i madhërishëm (Albanian Screen TV)

Ky serial do të duhej të ishte katalizatori kryesor i audiencës së Albanian Screen TV. Deri në një masë ka arritur të përmbush detyrat e tij. Gjëja më e mirë që AS TV ka bërë me këtë serial ka qenë mostransmetimi i tij çdo mbrëmje. Në të njëjtën kohë kjo ka mundur të lëndoj audiencën e këtij kanali pasi me anë të Digitalb, Tring Digital dhe kabllorëve tjerë të interesuarit e këtij seriali kanë mundur të përcjellin atë në RTV21. Do të jetë interesante të shohim nëse AS TV do të vazhdoj me seriale turke apo të heq dorë ngjashëm siç bëri V+.

38 House (Klan TV)

Njëri ndër serialet epike të zhanrit dramë mjekësore. Janë dy të tilla në Klan TV, dhe të dyja janë në mesin e serilaeve më të njohura në këtë zhanër. Edhe pse personalisht nuk jam fans i madh i këtij zhanri, House bën përjashtim. Është vet karakteri i Hugh Laurie që ja jep shijen speciale këtij seriali, e Klan TV ka bërë punë të shkëlqyeshme duke e sjell tek shikuesit shqiptar. Shpresojmë të sjell edhe sezonin e fundit i cili sapo ka përfunduar në SHBA.

37 Aldo Morning Show (Klan TV)

Njëri nga formatet më të vjetra në kanalet shqiptare. Të jem i sinqertë kohëve të fundit nuk kam shikuar edhe aq këtë program, por përsëri është ndër ato programet që kanë një audiencë të krijuar gjatë gjithë këto viteve të transmetimit.

36 Menekshe dhe Halili (Klan TV)

Një ndër serialet më të mira turke së fundmi. Karakteret kryesore luhen nga dy prej fytyrave më të bukura në industrinë kinematografike turke. Tregimi është paksa i komplikuar, si zakonisht në seritë turke, por nëse krahasojmë me Ezel, atëherë nuk guxojmë të ankohemi. Diçka që bëri bujë të madhe duke vazhduar një orar të skemës programore që mendoj se dominohet në tërësi nga Klan TV.

35 Top Select (Top Channel)

Edhe një nga programet simbole të Top Channel. Ndoshta jo sikur në ditët e hershme, por Top Select vazhdon të mbetet larg konkurrencës për kah cilësia. Për këtë ndihmon edhe tradita që vazhdimisht kryqëzohet me kreativitetin që vjen nga producentët e këtij programi. Top Fest vazhdon të jetë ndër specialet e këtij programi.

34 Kutia (Klan TV)

Me suksesin e Ezel, mendoj që Kutinë s’do ta shohim më në televizion. Nuk më ka pëlqyer ndryshimi i formatit me ofertuesin që shfaqej para publikut edhe pse më dukej se kishte një funksion më ndryshe. Emisioni ofronte argëtim solid, por ajo që më mundonte ishte mungesa e guximit për të shkuar në shuma më të mëdha. Do të nevojitej të rikthehej ndonjëherë edhe pse në orar tjetër. Ia vlen të kemi një format të tillë në TV.

33 Wake Up (Top Channel)

Adi Krasta nis një format, e rrit, zhvillon, forcon dhe e lë. Së paku janë tri emisione të tilla në Top Channel që mund të konsiderohen zhvillime apo më mirë adaptime të përkryera të Adi Krastas (100 milionë është format ndërkombëtar). Wake Up ka arritur të vazhdoj punën e shkëlqyeshme dhe për mua është zgjedhja e parë e programeve të mëngjesit në kanalet shqiptare.

32 Gymysh (Klan TV)

Pionieri i serialeve turke në kanalet shqiptare. Nuk është një ndër serialet e preferuara të mija. Megjithatë të gjithë e dimë se si është hera e parë. Akoma ka njerëz që e kujtojnë Aci Hayat në Kosovë, pasi ka qenë seriali që bëri thjesht revolucion. Ngjashëm mund ta konsideroja edhe Gymysh, por ndoshta më mirë do të ishte ta vlerësonim si një ngrohës audience para ngjarjes së madhe, Ezel. Ajo çfarë më pëlqen tek Klan TV është orari kur transmetohen këto seri. Është një termin i përkryer dhe nuk të bën të humbasësh ndonjë gjë tjetër me rëndësi në atë kohë në televizionet tjera nëse jeni fans i serialeve turke.

31 Sketch Show (Vizion Plus)

Vazhdoj të habitem me vetveten pse nuk më pëlqen Sketch Show dhe tejmase e dua 2XL (vitin e kaluar ishte i pari në këtë listë)! Jam munduar disa herë të kapem nga ky program, por pa sukses. Disa e kanë të vështirë ta bëjnë dallimin, dhe rrjedhimisht mendoj që e pëlqejnë. Për mua ndryshon. Sketch Show ofron skeçe të ‘skicuara’ më herët dhe në një mënyrë gjithçka është e programuar. Nuk ndihmon as audienca e regjistruar që shfaqet pas skeçeve të realizuara në ambient të hapur në mungesë audience. Tek 2XL ka më shumë liri dhe komedi të çastit.

S’dua ta pranoj, por më duhet – Sketch Show vetëm që ka prishur një imazh të përkryer të grupit i cili me përsosmëri na sjell Apartamentin 2XL.

vijon nesër

Read Full Article

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

 

50 Grey’s Anatomy (Klan TV)

Personalisht nuk jam shumë i dhënë pas serive mjekësore, megjithatë Anatomia e Greit sjell një prodhim elitë në ekranet tona. Edhe pse departamenti i serive amerikane në Klan TV mund të konsiderohet si i plakur, nëse nuk marrim parasysh 90210, ata kanë arritur të vazhdojnë deri në fund me ato seritë klasike si CSI:NY, House, Heroes.

49 E diela shqiptare (Klan TV)

Të qëndrojmë gjashtë orë para televizorit është tepër. Kjo është mangësia kryesore e këtyre emisioneve. Marrë si shembull nga televizionet italiane, E diela shqiptare dhe E diel kanë arritur të krijojnë një shikueshmëri sidomos në ditët e dimrit dhe ato me shi, por nuk besoj që shumë njerëz do të dedikonin ditën e diel para një ekrani. Gjithashtu është neveritëse kur presim një rubrikë apo mysafir të caktuar dhe gjithnjë na thuhet “pas pak”. E diela shqiptare është një tentim i mirë, por nuk do ta vendosja më lartë se kjo pozitë.

48 Orkidea (Albanian Screen TV)

Një program i thjeshtë pasditeje i cili ka provuar të konkurrojë me programet tjera të ngjashme në kanalet rivale. Kanë sprovuar veten, por nuk besoj se ia kanë dal, por as nuk kanë dështuar. Studio e thjeshtë, format i thjeshtë pa publik që edhe e bën më të qetë. Megjithatë nuk do ta zgjedhja më të mirin në zhanrin e programeve të tilla dhe do të duhej ndonjë temë apo mysafirë special që të më joshte ta shihja para programeve tjera në atë kohë.

47 Pop Channel (Top Channel)

Një program satirik që provon të sjell versionin shqiptar të The Onion. Për mua nuk funksionojnë këto programe, pasi thjesht më duken të kota dhe jo aq qesharake. Më shumë e shoh këtë program si një hap për të konkurruar me Bypass Show se sa një program kreativ. Ndoshta më mirë do të ishin Just for Laughs të shtunave në mbrëmje.

46 E diel (Top Channel)

Ngjashëm si E diela shqiptare dhe E diel është diçka që zgjat tepër. Vitin e kaluar ishte Formula 1 që na jepte pushim, derisa këtë vit është Moto GP që për nja një orë është më i shkurtër. E vendos më lartë se E diela shqiptare pasi ka një studio me kontrast më të bukur ngjyrash, rubrika që mundohen të jenë kreative dhe autorë e moderatorë më me numër dhe më të mirë.

45 Formula 1 në Vizion Plus (Vizion Plus)

Një goditje e fortë e Tring Digital ndaj Top Channel ishte marrja e të drejtave të Formula 1, një ndër programet themelore që i japin identitet brendit të Top Channel. Ajo çfarë ka qenë prezentë tek Top Channel ishte komentimi tepër emocional, sidomos për Ferrarin nga ana e komentatorëve të cilët tani kanë Rossin si të favorshim e tyre. Tek Vizion Plus atmosfera është më e qetë dhe ndoshta më e baraspeshuar. Ana negative e kësaj marrëveshje është që Vizion Plus nuk transmeton Formula 1 në 70% të Kosovës, për ku deklaron se i ka marrë të drejtat.

44 Takimi i pasdites (Klan TV)

Takimi i pasdites ka rikthyer në ekran Rudina Magjistarin. Tematika, themelet e realizimit të emisionit janë shumë të ndërlidhura mirë, e për autoren nuk nevojiten shumë fjalë për të shkruar pasi të gjithë jemi të njohur me punën e saj të shkëlqyeshme. Ajo çfarë nuk më pëlqen tek emisioni është ambienti, studioja. Mendoj që Klan TV ka mundur të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

43 Chic Plus (Vizion Plus)

Ndoshta jo i vetmi, por pa dyshim programi më i mirë dedikuar kulturës dhe shoubizit në kanalet shqiptare. Ka arritur të krijoj një audiencë të besueshme si dhe një traditë të pashoqe në kategorinë e programeve kulturore. Për mendimin tim është emisioni/magazina e përkryer që mbulon fushën e kulturës dhe shoubizit. Edhe koha e transmetimit është e përkryer.

42 Skaner Kampionat (Albanian Screen TV)

Njëri nga pak programet origjinale të Alsat që ka mbijetuar edhe në Albanian Screen TV. Është njëri ndër emisionet që ka ofruar reportazhe dhe mbulim të futbollit shqiptar shumë kohë para se të filloni transmetimet në TV. Akoma vazhdon të mbaj një nivel të lartë informatash sportive, por konkurrenca nga Proçesi sportiv sigurisht po lëndon shikueshmërinë. Personalisht më pëlqen, por, ndër problemet kryesore është koha e transmetimit që nuk më përshtatet.

41 Ora 5PM (Vizion Plus)

Edhe një program pasditeje që mundohet të marr shikuesit e mbetur në këtë termin. Gjatë dy viteve të fundit të gjitha kanalet shqiptare kanë arritur të krijojnë programe që vërtetë sjellin një alternativë më të mirë se sa serialet latine apo ato turke. Ora 5PM është një emision solid, i mirë, me një atmosferë joshëse dhe autore cilësore. Megjithatë do ta rendis në pozitën e dytë në këtë kategori të programeve.

(vijon nesër)

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore shqiptare.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Read Full Article

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

vijon nga dje

10 Drejtësia në Kosovë (RTK)

Një spin-off program nga Jeta në Kosovë që ka arritur të gjej audiencë lojale brenda një viti të transmetimit. Ajo çfarë nuk pajtohem me këtë emision është koha e transmemit pasi thjesht të dielat mendoj që duhet të jenë për programe argëtuese. Vet formati i emisionit është i shkëlqyeshëm. Sjell intervista interesante me tema dytësore të Jeta në Kosovë e të cilat në fakt nganjëherë janë edhe më interesante se ato të JNK. Rubrika Policia mendoj që është pjesa më e preferuar e këtij emisioni jo vetëm për mua por edhe për numrin e konsiderueshëm të shikuesve. Mua më kujton në një mënyrë emisionin Cops. Për momentin emisionin është duke shkuar mirë dhe me plotë meritë vendoset në Top 10 emisionet kosovare për sezonin e kaluar televiziv.

9 Fehi’s Show (RTV21)

Emisioni më i mirë në RTV21. Në fakt i vetmi që kalon serialet turke. Fehmi Ferati ka arritur të sjell një format të ri të emisioneve në ekranet tona. Njërin ndër formatet më të preferuara për mua të programeve amerikane, ato të natës së hershme. Ka provuar të marr shembull nga Jay Leno, që në fakt nuk është ndër të preferuarit e mi, por, nuk ka shtuar edhe kreativitetin e tij në emision, me të cilin jemi mësuar në prodhimet e tij të mëhershme ku thjesht ka qenë i shkëlqyeshëm. Personalisht mendoj që ka shumë punë për të bërë në perfeksionizmin e Fehi’s Show nëse krahasohet me ato emisionet simotra amerikane. Por, për vitin e parë ka bërë mjaft duke u adaptuar në një rol jo të lehtë, e krahasuar me emisionet tjera kosovare, sigurisht që meriton të jetë në mesin e dhjetë më të mirave.

8 Liga e Kampionëve (RTK)

Sa kuptim ka RTK pa Ligën e Kampionëve? Imagjinojeni të martat edhe të mërkurat pa futboll, ashtu siç ndodh nga mesi i dhjetorit deri në mes të shkurtit. Kemi dhjeëtra emisione informative dhe një ton dokumentarësh për luftën e fundit. Herë pas here ka ndonjë film, dhe nganjëherë episod të ndonjë seriali që nuk ja vlen të filloni ta ndiqni pasi kushedi se kur do të transmetohet episodi vijues. RTK pa Ligën e Kampionëve nuk ekziston të martën dhe të mërkurën.

Kur ka futboll është ndryshe. Këtë vit ka pasur shumë ndeshje interesante në vjeshtë, përballje gjigantësh, e finalet e pranverës kanë ofruar ajkën e futbollit evropian. Nuk dyshoj që disa ndeshje kanë sjell shumë shikues para ekranit të RTK-së, por duhet të bëjnë diçka që të ngushtojnë formatin 16/9 në 4/3 pasi shpesh nuk duket topi në fushë. Këtë problem e ka edhe KTV. Gjithashtu edhe më shumë ndeshje të komentuara të Agron Berishas do të ishte e mirëseardhur, kuptohet nëse fitojnë të drejtat për tri vitet e ardhshme.

7 Lajmet e KTV-s (KTV)

Lajmet më të pavarura në televizionet tona padyshim. KTV ka arritur të ruaj një paanshmëri dhe rezistencë ndaj pushtetit duke ofruar gjithnjë lajmet më të pavarura dhe më të sakta tek shikuesit tanë. Mbulimi i protestave të shkurtit ka qenë ndër pikat më të forta të departamentit të informacionit të KTV-së këtë sezon. Gjithashtu transmetimi i lajmeve në ora 7 në mbrëmje vazhdon të jetë orari më i mirë për mendimin tim në televizion. Edhe Klan Kosova është munduar të mbuloj gjerësisht ngjarjet e sezonit të kaluar, përfshirë edhe protestat. Megjithatë transmetimi i lajmeve në ora 8 në mbrëmje, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit kur bie terri në ora 4-5 na bën të ndihemi si spanjoll që han darkë në ora 22. Nëse janë të guximshëm le të vendosin të gjitha televizionet lajmet në të njëjtën kohë, dhe jo tu lejojnë ithtarëve të politikës (disa pleqve zakonisht) nga 3 orë lajme të vazhdueshme në mbrëmje.

6 Milioneri (RTK)

Më duhet të pranoj, Milioneri ka filluar të humb “zjarrin”. Fillimi i Agron Llakajt, njëri nga personalitet e preferuara të mija në televizion ishte i mahnitshëm. Ai akoma vazhdon të jetë ai që ka qenë gjithmonë, i hareshëm me batuta të kohëpaskohshme dhe tregime joshëse dhe interesante për shikuesin. Por, ajo çfarë më pengon mua dhe shumë të tjerëve është ndihma që u jepet disave sidomos në pesë pyetjet e para në lojë. Po të mos ishte frika që do të gaboja në pesë pyetjet e para, edhe unë do të konkurroja në Milioner. Dua të them që standardi i kuizit më duket se ka rënë me këtë pasi ka filluar të duket si një emision që të jep rastin e dytë dhe nëse je i shpejtë në përzgjedhje siguron 250 euro. E kur jemi tek 250 euro, shumat të cilat shpërndahen janë komike. Nëse vlerësojmë një mesatare prej 3500 eurove për çdo emision (dy veta të arrijnë në pyetjen e 10të pasi edhe nuk do të mjaftonte më shumë kohë), bën një total prej 14 mijë eurove në muaj që është më pak se sa që paguan RTK për një episod që transmeton. Grand Media është koha të shpërndani më shumë para, pasi për këto vite vetëm dy veta kanë arritur në pyetjen e 15të nëse s’gabohem.

5 Oxygen (RTK)

Emisioni i vitit të ri i Oxygen ishte më i miri i sezonit. Që nga atëherë emisioni ka ndryshuar goxha shumë, është larguar Jehona Ferati, është ndryshuar sponsori dhe moderimi i emisionit vetëm nga Besim Dina na është dukur risi. Mysafirët kanë qenë të përzier, por duhet të urojmë punën e Besim Dinës për ti dhënë hapësirë shtresave të ndryshme sociale duke rritur edhe vetëdijën e qytetarëve për ato shtresa. Ka pasur mysafirë shumë interesant dhe të njohur, të cilët thjesht na kanë kënaqur me tregimet e tyre. Emisioni zgjat paksa shumë, shpeshherë deri në ora 1 gjë që ka bëër në zvogëlimin e interesimit për shikuesit e hershëm. Megjithatë rikthimi të premteve në ora 10 është shumë më mirë dhe më i frytshëm se vendosja në ora 3 të dielave. Por, mund të vendoset edhe më herët, diku rreth orës 9 dhe të mbyllej siç duhet, para mesnate, pasi thjesht kujt i interesojnë debatet politike të premtave.

4 Jeta në Kosovë (RTK)

Dy sezonave të fundit Jeta Xharra po është shumë më pak e angazhuar në këtë emision. Pa marrë parasysh se sa të suksesshëm janë udhëheqësit e rinj të emisionit, debatet me Jeta Xharrën në rolin e moderatores janë më ndryshe, më të veçantë. Emisioni vazhdon të debatoj dhe të trajtoj tema të ndryshme aktuale që zgjojnë interesim tek shikuesit. Gjithashtu pjesa hulumtuese është në nivelin më të lartë që ka qenë ndonjëherë duke e vënë emisionin në njërën nga shtyllat kryesore kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Vizita nëpër qendrat spitalore nëpër Kosovë ka qenë ndër rubrikat që më ka pëlqyer më së shumti këtë sezon në këtë emision. Edhe këtë vit Jeta në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër emisionet më të mira në Kosovë dhe padyshim më i miri në kanalin publik, RTK.

3 Kafeneja Jonë (RTK)

Programi më i mirë i dy viteve të kaluara sivjet është renditur vetëm në pozitën e tretë. Kjo jo medoemos ka lidhje direkte me rënien në cilësi të serialit pasi edhe dy emisionet që renditen më lartë kanë pasur suksese të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe. Megjithatë Kafeneja Jonë nuk është ajo Kafeneja Jonë e para dy viteve. Me keqardhje e them që seriali ka filluar të plaket. Kjo vjen si pasojë e kreativitetit të pamjaftueshëm dhe adaptimit ndaj ndryshimeve. Sezoni nisi me Lejlan duke premtuar risi, të cilat për disa javë u bënë bajat pasi i vetmi person që nuk u lidh me të ishin karakteret femra. Më pas ishte ai ndryshimi me karakterin e Bekimit. Ndryshimi i karakterit të tij nuk më kishte pëlqyer as herën e kaluar. Gjithnjë kam sugjeruar që të zhvendosin serialin në katund duke i dhënë më shumë hapësirë Fekës dhe një pjese të vogël të karaktereve. Kjo do të bënte shikuesit të ndjenin mungesë për shumicën e karaktereve të zakonshme dhe pas një aventure 10-15 episodesh të rikthejnë serialin në ambientin ku tashmë zhvillohet për disa vite. Mendoj që kjo do të funksiononte duke ia zgjatur jetën serialit para se të shuhet kah sezonet e fundit siç kishte ndodhur me Kafeneja Jonë.

2 Interaktiv (KTV)

Interaktiv është bërë edhe më interaktiv këtë vit. Me përfshirjen e komenteve nga Facebook dhe Twitter, ky emision ka arritur të krijoj një mini-revolucion në mediat tona. Ndoshta edhe është emisioni më i mirë në televizionet tona, por shumë herë na ka lënë pa gjumë dhe për këtë s’do ta vendos në pozitën e parë. Dhe për arsye se akoma ndjej nostalgji për komeditë e orës 11:30 në mbrëmje të KTV-së. Shakatë mënjanë ky emision është i mrekullueshëm. Është diçka si “Natën e mirë, fëmijë”, por, për të rritur. Nuk keni nevojë të dëgjoni asnjë lajm apo debat gjatë ditës, pasi të gjitha i gjeni të përmbledhura në Interaktiv para se të shkoni të fleni. Lajmet kryesore të ditës të shtjelluara dhe të diskutuara, pos ndërmjet moderatorëve edhe me mysafirin që ka lidhje direkte me temën kryesore të ditës. Sporti në KTV ka ruajtur formatin duke u zgjeruar edhe me diskutim ndërmjet moderatorëve. Rubrika për fotografitë e ditës, përmbledhja e shtypit, e deri tek komentet dhe pyetjet e shikuesve jo vetëm me e-mail e SMS por tani edhe me Facebook e Twitter, e bëjnë këtë emision prej më të mirëve në Kosovë. E mbi të gjitha udhëheqja nga moderatorët më të mirë kosovar të udhëhequr nga Xhemajl Rexha dhe Aurora Susuri e bën këtë emision thjesht të pakrahasueshëm me të tjerët.

1 Rubikon (KTV)

Të transmetosh tri herë në javë emision debatues mund të duket e tepërt. Në fakt edhe personalisht kam pas dyshime nëse do të ketë sukses ky format i ri. Duhet të pranoj që jam befasuar me suksesin që ka arritur ta tregoj Adriatik Kelmendi me Rubikon. Cikle të reja si Rishikimi i Historisë dhe Pa Kravatë kanë arritur të sjellin disa nga episodet më interesante në televizionet tona. Adelina Ismaili, Blendi Fevziu, dhe dy herë Hashim Thaçi kanë mjaftuar për të ofruar episodet më cilësore të Rubikon këtë sezon. Është mënyra se si Adriatik Kelmendi udhëheq emisionin duke mos ndërprerë fjalën e mysafirëve dhe në të njëjtën kohë duke mos i lejuar hapësirë të tepërt. Shpërndarja e kohës ndërmjet debatuesve dhe zgjedhja e temave, sidomos tek Pa kravatë, kanë qenë anë të suksesshme të këtij emisioni. Është e pamundur të gjesh ndonjë fjalë apo koment negativ për emisionin, pos nëse ndjehesh “i lënduar” dhe në hall si bashkëpartiakun yt. Nëse flasim për paanësi dhe korrektësi në debate politike atëherë mos kërkoni ndokund tjetër. Këtë e gjeni në programin më të mirë në kanalet kosovare për sezonin 2011-2012.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Read Full Article

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

vijon nga dje

20 2 Plus (KTV)

Promoja, sigla fillestare ka qenë ndër më të dobëtat që kishte përgatitur stafi artistik i KTV-së. Sigurisht ka qenë një ditë me shi, apo pa diell që ka rezultuar me mungesë kreativiteti e që më pas është përmirësuar! Ideja e emisionit është e mirë, ka potencial, vërehet vullnet tek prezantueset, por akoma nuk është rahatuar, nuk ka krijuar identitet. Arsyeja kryesore koha e shkurtër dhe rubrikat e tepërta. Më mirë ka qenë prej 2 deri në 12, sesa 2Plus. Nuk nevojiten 10 orë, por mjafton 2 orë për të krijuar një emision fantastik që do të mund të dominonte mesditën e të dielave.

19 Ora e pasdites/Info-Magazine  (Klan Kosova)

Pozita e 18 do të ndahet ndërmjet dy emisioneve të Klan Kosovas që pothuajse janë të ngjashme në disa përmasa. Debate frytdhënëse, informata aktuale dhe të freskëta në një termin mjaft të qëlluar. Moderimi ka qenë në nivel të lartë, duke e ngritur edhe cilësinë e emisionin. Ngjashëm edhe temat e trajtuara kanë qenë tema interesante për shikuesit dhe gjithnjë kanë qenë aktuale. Ora e pasdites dhe Info-Magazine janë emisionet e vetme që ndajnë një pozitë.

18 Express (KTV)

Vazhdon të mbetet njëri nga emisionet shtylla të KTV-së. Ka arritur të zhvillohet me kalimin në kohës duke vazhduar të ruaj primatin për magazinën më informative dhe më të mirë në televizionet tona. Gjithçka që ju intereson nga bota e filmit, muzikës, shoubizit dhe kulturës në përgjithësi nga skena vendore ofrohen në një pjatë që është Express. Mendoj që është emisioni më i mirë i këtij zhanri në kanalet kosovare.

17 Ezel (RTV21)

Pa dyshim seriali më i mirë turk në kanalet tona deri më tani. Serial të zhanrit dramë në gjuhën turke nuk kam parë gjatë tërë jetës. Dinamika nëpër të cilën zhvillohet ngjarja, misteri, storia, drama që ofron ky serial e bën një kryevepër të produksioneve televizive turke. Ka qenë i vetmi serial të cilin e kam shikuar deri në një pikë kur nuk kam arritur të ec me ritmin në të cilin transmetohet. Thjesht 10 orë serial turk në javë është tepër për mua. Fundin dhe pjesën tjetër kam arritur të përcjell në vete, dhe nuk jam i zhgënjyer aspak. Si çdo fund turk edhe ky nuk ishte më i duhuri, por ndryshe nga ato latinet, këto nuk të gëzojnë në fund. Suksesi më i madh i RTV21 me serialet turke të cilat janë bërë simbiozë me këtë televizion kombëtar.

16 Pa Skenar (RTK)

Njëri ndër programet më të mira në RTK padyshim. Autorja, Antigona Qena sjell nostalgjinë televizive për të gjithë ata që kanë shikuar televizion edhe para këtij shekulli. Ka pasur disa emisione shumë të mira, interesante, e sidomos e kujtoj atë me dy komedienët e paraluftës, Ibrahim Krajkovas dhe Rasim Thaçit. Ky emision mendoj që ka qenë qershia mbi tortë për këtë sezon të Pa Skenar, në mesin e disa emisioneve të shkëlqyeshme. Shpresoj të rikthehet edhe sezonin e ardhshëm duke na freskuar edhe më shumë kujtimet tona.

15 Europa League (KTV)

Më në fund edhe Europa League erdhi në kanalet kombëtare kosovare. Me nga një ndeshje në javë zakonisht, KTV arriti të mbaj një balancim duke ofruar vetëm ndeshjen më interesante për shikuesit. Ishte fati i KTV-së që disa nga skuadrat më të forta u mënjanuan nga Liga e Kampionëve duke sjell derbi edhe më të mëdhenj në Europa League. Kjo garë doli të jetë një blerje e shkëlqyeshme e Kohavisionit.

14 Ora 7 (Klan Kosova)

Përkundër stafit që shpesh di të mbaj një qëndrim indiferent dhe mendjemadh ndaj shikuesit ky emision është njëri ndër më alternativët në televizionet tona. Mënyra inovative e realizimit, interkonektimi ndërmjet moderatorëve, interaktiviteti me shikuesit, mbulimi i temave të gjithanshme, dhe një “mirëmëngjesi” i veçantë për të gjithë poseduesit e kabllorëve ose satelitorëve ka qenë ajo që e bën këtë emision special dhe dukshëm më të suksesshëm se të tjerët. RTV21 ka një program mëngjesi solid, ngjashëm si RTK, derisa ajo që dëshpëron është KTV, që nis lajmet në një ambient që duket si i përgjumur dhe seriozisht pas Interaktivit të një nate më herët kush është i interesuar për lajme në mëngjes, thuajse ka ndodhur diçka ndërmjet atyre 6 orëve të natës. Ora 7 mbizotëron mbi emisionet tjera në mëngjes.

13 038 Live (KTV)

Definitivisht magazina më e mirë për kryeqytetin. Edhe për këtë emision kam pasur dyshime nëse do të funksiononte pesë herë në javë. Jam gabuar, pasi po funksionon për mrekulli së paku deri tani. Pos temave ditore ka trajtuar edhe tema për historinë e kryeqytetit duke ofruar informata të reja që jo domosdo kanë qenë të lidhura me aktualitetet. Megjithatë transmetimi shumë i ngushtë ndërmjet reprizës dhe origjinalit, që nuk është problem vetëm për këtë program, është i panevojshëm. Përndryshe një program shumë informativ.

12 Exclusive (Klan Kosova)

Njëri ndër emisionet më të mira në kanalet tona. Një dokumentar që nuk përqendrohet vetëm në luftën e fundit siç ndodh me dokumentarët e RTK-së, por që thellohet nëpër tema të ndryshme të cilat kanë relacion ndërmjet epokave të ndryshme. Dikush mund ta përziej emrin me atë emisionin që transmetohet në Top Channel, por duhet të pranoj që të dyja janë të shkëlqyeshme, të ndërtuara ashtu secila në mënyrën e vet. Padyshim emisionin më i mirë në Klan Kosova.

11 Cosmo (KTV)

Shumë lëvizje nëpër skemën programore të KTV-së për tu pozicionuar në fund të javës punuese, të premteve në ora 22:30. Përkundër orarit jo shumë të favorshëm, Cosmo ka arritur të sjell disa tema shumë interesante, e më së shumti duket të ketë zgjuar interesim intervistomi i Besarta Jasharit në fillim të marsit. Është një emision i mirë që meriton një orar më të mirë, ndoshta para lajmeve kryesore në ndonjë ditë të caktuar të javës.

vazhdon nesër…

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Read Full Article