Category: Lajme

Gjithnjë është vështirë të zgjedh më të mirët e sezonit televiziv, por ky vit ishte pak më me telashe. Vendosa të mos përfshijë serialet e huaja, të cilat këtë vit ishin më të shumta në numër, por megjithatë cilësia mungonte, sidomos komeditë dhe serialet për tinejxherë.

Pra, kam përfshirë vetëm programet që prodhojnë vet kanalet me përjashtim të ngjarjeve sportive që transmetojnë, e të cilat sigurisht nuk janë prodhim i kanalit, por një vendim i drejtë apo i gabuar për të sjell atë ngjarje.

Sasia e programeve është e bollshme, cilësia është shumë e pakënaqshme. Do të mund ta bëja edhe vetëm Top5 e Top10, apo sikur një vit edhe Top50, por disa programe nuk ja vlen as të përmenden.

Si zakonisht lista shpreh mendimin tim personal, dhe është rezultat i më shumë se 500 orë të kaluara para televizionit me programe vendore.

Është edicioni i pestë i kësaj përzgjedhjeje. Më shumë për renditjet e viteve të kaluara mund të gjeni tek Telekomanda.com

Për çfarëdo komenti në lidhje me listën, mospajtimeve, pakënaqësive e sendeve tjera mund të gjeni mënyrën të kontaktoni në morinaluan.com

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Lista e më të mirëve në kanalet tona këtë sezon televiziv është si në vijim:

Top 20 – Kosovë

20.  1st Minute (First Channel)

Të jem i sinqertë First Channel nuk ka shumë programe që më pëlqejnë. E di që jo të gjithë mendojnë si unë, dhe respektoj mendimin e tyre. 1st Minute e gjen veten në Top20 për vetëm një arsye. Ajo është debati ndërmjet Valon Malokut dhe Fisnik Ismailit. Debati kishte pasur një periudhë ‘parapërgatitore’ me kundërthëniet e tyre në Facebook, që mund të ketë krijuar një audiencë të mirë, ndoshta disa që e kanë shikuar edhe për të vetmen herë sikur unë.

19.  Stinë dashurie (RTK)

Dukej si projekt interesant. Ishte episod i parë i mirë, më pëlqeu. Por, nuk më tërhoqi të kthehem për më shumë episode. Tregim normal, dramë me ngjyra telenovele vetëm se e lokalizuar deri në një masë. Të gjithë ato xhirime jashtë vendit mendoj që kanë qenë të panevojshme. Nuk di që shumë veta e kanë përmendur për të mirë. Megjithatë është mirë të nxiten prodhimet vendore, por, me tema më të hareshme që na shmangin nga këto ‘njolla’ të historisë dhe shoqërisë sonë. Për këtë arsye komeditë kanë shkëlqyer, derisa dramat e kanë pasur një sezon dhe në arkiv.

18.  Ora 7 (Klan Kosova)

Akoma mbetet programi më i mirë i mëngjesit. I vetmi në këtë listë. Keka bën punë të mirë në rolin e moderatorit, diçka që nuk gjenden as tek ‘Sot’ i mbipopulluar me gjininë e kundërt, e as tek dy programet e mëngjesit në kanalet tjera kombëtare. Gjithnjë është zgjedhja e parë e imja për programin e mëngjesit.

17.  Telekino (RTK)

Vazhdon të mbetet programi më i mirë për film edhe më tutje. KTV ka pasur një tentim të bëj diçka të ngjashme, por mund të them lirisht se kanë dështuar. Telekino vazhdon të mbetet guida kryesore nëse dëshironi të merrni lajmet e fundit për filmin. Gjithashtu së fundmi janë popullarizuar edhe Maniakat n’Facebook.

16.  Pulsi (KTV)

Kalimi i Pulsit nga një program ekskluziv për shëndetësinë në një program debati me shtrirje më të gjerë ka qenë një vendim i mençur për mendimin tim. Mefail Bajqinovci është adaptuar lehtë nga intervistat 1me1 në debate, dhe po bën punë të mirë. Ideja më e mirë do të ishte që programi të mbetet i përqendruar në fushën e përafërt me shëndetësinë, të diskutoj edhe për tema shoqërore, pasi ka mjaft çka të diskutohet për këtë.

15.  Zona e Debatit (Klan Kosova)

Shumë më e mirë se Zona B. Baton Haxhiu është njëri ndër moderatorët më arrogant dhe të njëanshëm që do ti gjejmë në televizion. Është vetëm mendimi im, por ka njerëz që pajtohen me këtë mendim. Vetëm pse ke në dorë kameramanin dhe regjisorin, nuk mund të kyçësh e ç’kyçësh këdo kurdo, e të ofendosh e nënçmosh dikë në televizion siç ndodhi rasti me njërin nga kandidatët për kryetarë të Mitrovicës.

Por, ata që e vendosin në këtë vend janë moderatorët dhe mysafirët që përkundër të gjitha që përmenda më lart, akoma vazhdojnë të jenë mysafirë dhe panelistë shumë interesant.

14.  NBA në Kujtesa (K-Sport)

Që nga kur Kujtesa vendosi të bënte pakon e sportit, platforma ka arritur të sjell disa nga ngjarjet më të mira sportive në Kosovë. Dhe krejt kjo me një çmim jashtëzakonisht të favorshëm për ambientin tonë. La Liga pati njërin nga sezonet më fantastike, dhe kjo vetëm sa pritet të bëhet edhe më interesant vitin e ardhshëm. Ngjashëm ishte edhe me Ligue 1 dhe Euroligën.

Por, ajo që shkëlqeu këtë vit ishte NBA. Si një fans i sporteve amerikane në përgjithësi, dhe NBA në veçanti ka qenë një kënaqësi që Kujtesa ka sjell për të gjithë kosovarët këtë ngjarje. Ishte një sezon fantastik, dhe shpresoj që Kujtesa të sjell edhe më shumë këso lloj ngjarjesh.

13.  Njerëzit dhe kujtimet flasin (KTV)

Është programi më i mirë që ka të bëj me historinë e luftës. Nuk ka nevojë për muzikë folklorike në sfond, për thurje të vargjeve poetiko-patriotike nga persona që ndoshta nuk kanë lidhje fizike me atë për të cilën flasin. E kam llafin për shumë ‘dokumentar’ që vijnë në RTK kohë pas kohe, edhe në prime-time.

Ky program sjell përvojën tmerruese të njerëzve që kanë parë me sytë e tyre të bëmat e luftës së fundit. Është program ‘i rëndë’ për zemër dhe tru, por, është program jashtëzakonisht i realizuar mirë.

12.  Imazh (RTK)

Imazh ka kaluar një sezon të përzier të them. Disa herë ka lëvizur nga skema, ka shtuar disa rubrika, lojëra që nuk më kanë pëlqyer.  Është mirë i realizuar, por, po lëvizën në kahun e kundërt. Ka shumë talent dhe aftësi për të bërë më mirë.

11.  Liga e Kampionëve (RTK)

Ka shumë pak gjëra në RTK për të cilat mund të flasim fjalë të mira. Ndër këto është departamenti i sportit. Si i vetmi kanal kombëtar që transmeton sport, RTK e ka dhënë provimin. Sjell dy garat më të mira në futboll, të gjitha ngjarjet e mëdha të kombëtareve, si dhe përvojën e skuadrave tona në skenën ndërkombëtare. Cilësia e garave është e mahnitshme, por komentimi mund të jetë shumë shumë më i mirë. Nuk mjafton vetëm Arben Berisha.

10.  O Sa Mirë (T Plus – Ipko)

Seriali i preferuar për shumë veta. E di që shumë flasin, e shikojnë dhe e duan këtë serial. Unë nuk jam në mesin e tyre. Ka shumëçka që nuk shkon me serialin. Ambienti i njëjtë, riciklimi i skenave komike, dhe mbi të gjitha të qeshurat artificiale tepër të shpeshta. Në asnjë serial nuk mund të qeshim për gjysmën e kohës së serialit që transmetohet. Tentimi i skenaristëve për të bërë çdo skenë komike, e duke vënë të qeshura artificiale në çdonjërën prej tyre më ka bërë që të mos përcjell këtë serial. Personalisht s’mund të duroj këto gjëra. Kasti i aktorëve është impresiv, ngjashëm si tek ‘Stinë dashurie’ por realizimi nuk është në nivel.

9.    Info Magazine (Klan Kosova)

Shumë më i mirë se Zonat e Batonit. Magazinë që prek temat e ditës dhe është një nga alternativat më të mira për të nisur mbrëmjen gjatë sezonit të dimrit. Shpesh janë debate me dy mysafirë 1me1 dhe moderatorin që dalin të jenë shumë të frytshme. Më pëlqen, sidomos në sezonin e dimrit.

8.    Drejtësia në Kosovë (RTK)

Emisioni që është spin-off i JnK-së ka bërë shumë gjëra të shkëlqyeshme viteve të fundit sa është në transmetim. Kontributi i tyre në këtë shoqëri nuk ka munguar as sezonin e kaluar televiziv. Emisioni vazhdon të prek tema të duhura, është i realizuar për mrekulli dhe padyshim që meriton vend në mesin e emisioneve më të mira në televizionet tona. Më pëlqen mjaft shumë, por ngjashëm si JnK preferoj ta shikoj në ueb.

7.    Oxygen (KTV)

Kalimi i Oxygen në KTV, i ka dhënë më shumë hapësirë kohore Besim Dinës. Por, të premten në mbrëmje unë s’do ti kaloj gati tri orë me vetëm një program televiziv. Ndeshja e futbollit zgjat 105 minuta, dhe nëse ti e tejkalon kohën që ka një ndeshje futbolli për një program televiziv atëherë teprohet. Më pëlqejnë debatet, shumica janë interesante, por stili i komedisë nuk është për qejfin tim. Kuptohet kjo i pëlqen një shumice, dhe e respektojmë këtë. Por, pjesa për lojën shpërblyese do të mund të ishte e ndarë veçmas dhe të transmetohet një ditë tjetër.

6.    Jeta në Kosovë (RTK-RTV21)

Personalisht nuk kam mundur të shikoj asnjë debat parazgjedhor. Në fakt, nuk kam dashur. Por, e di që shumica kanë lavdëruar punën e Jeta Xharrës gjatë kësaj periudhe. Unë s’do të ishte e drejtë të vlerësoja diçka që nuk kam parë, por kam shikuar disa debate të JnK këtë sezon, shumicën në ueb. Jeta Xharra është ajo e vjetra dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.

5.    Fehi’s Show (RTV21)

Komedieni më i mirë në televizionet tona për mendimin tim. Si një fans i ‘late-talk show’ amerikane, mund të them që nuk i afrohet askush më shumë se Fehi’s Show për kah cilësia. Është program qesharak, ka rubrika të mira, por sikur të kishte më shumë emisione do të ishte më mirë.

4.    Vikendi (RTK)

Dyshja e njërit ndër shout më të mirë të pasluftës – Meselation, Blerim Peci dhe Fehmi Ferati janë në Top 5. Edhe një herë Vikendi është para. Vazhdon të jetë emision argëtues, ka skena të mira, rubrika komike, por ka pasur kufizime të shumta në kohë këtë sezon. Realizohet për mrekulli dhe është ndër të paktë shou që ja vlen të shikohet. Shpresoj që përkushtimi mos të bie, pasi sezoni i parë mendoj që ka qenë më i mirë se ky i fundit.

3.    Te Linda (KTV)

KTV gjithnjë ka kontribuar në sjelljen e emisioneve të gatimit. Por, asnjëri nuk mund të kaloj ‘Te Linda’. Është emisioni më i mirë për gatimin që vjen në KTV, duke pasur parasysh edhe Nigellan e Jamien që kanë qenë transmetuar më parë. Te Linda ofron receta të thjeshta, të përshtatshme për ne në krahasim me ato që përmenda më lartë.

2.    Rubikon (KTV)

Adriatiku vazhdon të jetë lideri i debatave në emisionet tona. Si në debate si në intervista 1në1, falë përvojës që ka akumuluar tërë këto vite, Adriatiku ofron Rubikonin të përkryer si një emision debati. Nuk është lehtë të jesh kundrejt ti në debat e lëre më në intervista 1në1. Pyetjet e bëra janë gjithnjë sipas rendit të caktuar, të ndërlidhura me temën dhe me një kohështrirje që nuk të lë të kërkosh më shumë në fund.

Debatet nuk i sheh të eskalojnë nga tema dhe karakteri, nuk ka ngritje të zërash, nuk ka fytyra të ngrisura, e lëre më fjalë banale. Thjesht është lakmi dhe shembull për të tjerët.

Më pëlqen të shikoj kurdo që kam kohë të lirë dhe nuk kam asnjë dyshim që është më i mirë se të gjithë emisionet që përmenda më lart.

  1. Interkativ (KTV)

Pas Rubikon, Interaktiv është emisioni i dytë nga KTV që fiton titullin e ‘kampionit’. Sa për një sezon fantastik, sa për cilësinë e akumuluar në të gjithë këto vite të transmetimit. Dhe çdo vit më duhet të përmend urrejtjen që kam pasur ndaj këtij programi kur zëvendësoi komeditë gjysmë-orëshe që sillte KTV para gjumit gjatë viteve tona të adoleshencës.

Por, tani ajo mbetet vetëm një kujtim i mirë, dhe një kohë e papërdorur në maksimum nga KTV siç ndodhi tani me Interaktiv. Më mirë nuk ka ku të shkoj. Xhema me kolegë po bën punë të mrekullueshme. Intervistat janë të shkëlqyeshme, panelistët e rregullt të mahnitshëm, e krejt kjo e bën njërin nga emisionet më të mira të shfaqura ndonjëherë në televizionet tona.

Interaktiv këtë vit ngjitet më së larti në podiumin e programeve më të mira kosovare.

 

 

Top 20 Shqipëri

20.  Vizioni i pasdites (Vizion Plus)

Vizioni i pasdites ka mbetur i vetmi emision që ia vlen të shihet në këtë pjesë të ditës. Pasdite në Top Channel nuk më ka pëlqyer kurrë me Lamën, derisa edhe më dobët i realizuar është Takimi i Pasdites me Magjistarin. Sigurisht që nuk jam audienca kryesore për këto emisione, mirëpo nëse më duhet të zgjedh nga këto tria, atëherë zgjedh Vizioni i Pasdites.

19.  Kënga ime (Klan TV)

Shumë më mirë i realizuar se sa ‘The X-Factor’. Ndoshta ndihmon faktin që nuk kemi Alketën për të na shurdhuar me mbidozën e emocioneve që vijnë në shprehje në çdo moment që lëshohet mikrofoni i saj. Për nostalgjikët e Këngëve të shekullit, muzikës së mirëfilltë shqipe, është një emision që deri disi na mbulon atë mungesën që kemi për këtë lloj muzike.

18.  Amerikani i parë në lajme (Agon Channel)

Talent shou i realizuar në mënyrë shumë të mirë nga Agon Channel. Ka një juri të mirë, konkurrentë të denjë, dhe realizimi teknik është në nivelin e kënaqshëm. Juria është e mirëfilltë, profesionale, ngjashëm me moderatorët. Sezoni i parë i mirë për ‘Amerikani i parë në lajme’.

17.  Dita e shtatë (Agon Channel)

Kush do të shpenzonte një të diele të plotë për të shikuar vetëm një emision. Njëqind herë do të zgjidhja një ‘maratonë seriali’, apo transmetime sportive përpara ‘E diel’, ‘E diela shqiptare’ e ‘Dita e shtatë’. Mos harrova ndonjë?! Megjithatë, nëse ngjashëm si tek programet e pasdites, edhe këtu duhet të zgjedh njërën, atëherë padyshim që do të shkoj me ‘Dita e shtatë’. Sjell një atmosferë ndryshe, jo të çoroditur, të thjeshtë, dhe me përmbajtje më thelbësore.

16.  Agonland (Agon Channel)

Agonland është vetëm një emision shtesë në grumbullin e emisioneve të ngjashme që sjellin televizionet tona. Megjithatë arrin të jetë emision më ndryshe për botën e shoubizit. Gjëja kryesore që e bën special është koha që kalohet jashtë studiove të zakonshme, enterierit, duke u përqendruar më shumë në eksterier. Përmbajtja kurrë nuk mungon, e edhe stafi gjithnjë në krye të detyrës.

15.  Select (Top Channel)

Pak ndryshime kanë ndodhur në Select gjatë të gjithë këto sezoneve televizive. Megjithatë më pëlqen realizimi i emisionit. Vazhdon të jetë një realizim i mirë, interesant, dhe si gjithnjë shkëlqen si në realizimin teknik, ashtu edhe në përgatitjen e stafit. Gjithnjë i ndihmon dhe ndihmohet nga Top Fest duke bërë një korrelacion të shkëlqyeshëm ndërmjet tyre.

14.  Next (Vizion Plus)

Impresiv është zhvillimi i Next gjatë këtyre viteve të transmetimit. Është një realizim i shkëlqyeshëm dhe destinacioni kryesor për adoleshentët dhe interesat e tyre. Realizohet më mirë se emisionet konkurrente dhe gjithnjë sjell risi.

13.  Të parët (Agon Channel)

Emisioni i preferuar i mëngjesit. Është emision ‘për tokë’, i realizuar mirë, thjeshtë dhe shkëlqyeshëm. Na largon nga ‘bajatet’ që nuk ndryshojnë tashmë disa vite në emisione konkurrente. Moderatorët janë të mirë, realizim teknik po, sjellin tema interesante çdo mëngjes, dhe nuk teprohet.

12.  A Show (Agon Channel)

Aftësitë e Adi Krastës si autor emisionesh kurrë nuk kanë qenë në dyshim. Si gjithnjë ai vazhdon të jetë shembull i përkryer i një moderatori modern. Bisedat e tij me mysafirët, intervistat gjithnjë janë të shkëlqyeshme, të qeta, të kënaqshme për tu ndjekur. Pa marrë parasysh se kush është mysafiri, biseda gjithnjë është në nivelin e duhur.

11.  Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Është një formë e dokumentarit javor që kurrë nuk lë mungesë temash për të shtjelluar. Është një ndër programet më të mira në Vizion Plus, dhe me një orar tepër mirë të përcaktuar. Andi Bushati është më meritori që kemi një emision kaq mirë të përgatitur.

10.  Opinion (Klan TV)

Është dekada e dytë e Blendit në televizion. Sidoqoftë, gjithë ai numër i emisioneve gjatë një jave tepron dhe na bën bajate deri në një masë Opinionin. E kuptoj që i njëjti shikues nuk mund të shikoj të gjithë episodet në një javë, pasi thjeshtë të gjitha nuk janë tema që i interesojnë, por, rreziku është kur asnjë nga temat e javës, mysafirët, debatet nuk del të jetë interesante. Ekspozimi i tepërt mund të sjell edhe humbjen e shikueshmërisë. Nëse jo atë, atëherë humb interesimi.

9.    Exclusive (Top Channel)

Ish-kampioni këtë vit është në pozitën e tetë. Jo që ka rënie në cilësi, përkundrazi ka pasur disa nga emisionet më të mira në ekzistencën e tij, por kam vendosur të lë më lart emisionet më ‘argëtuese’. Exclusive kurrë nuk më dëshpëron. Temat, kohëzgjatja, termini, realizimi, gjithçka është e përkryer.

8.    Top Story (Top Channel)

Top Story është më lart se Opionin për herë të parë. Vazhdon të mban një nivel të lartë të realizimit. Mysafirët, temat, dhe më kryesorja, transmetimi një herë në javë e bëjnë Top Story, emisionin e debatit më të përzgjedhur. Sokol Balla ka bërë një punë të shkëlqyeshme tërë këto vite, duke mos manipuluar më shumë se që duhej me formatin, dhe si rrjedhojë kemi një ‘Top Story’ perfekt. Padyshim emisionin më i mirë i debatit në ekranet shqiptare.

7.    MasterChef Albania (Top Channel)

Si çdo herë, realizimi teknik i formateve ndërkombëtare që adaptohen nga Top Channel është i realizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk mungon as tek MasterChef Albania. Por, ka shumë gjëra që nuk shkojnë, dhe shpresoj të përmirësohen në sezonin e dytë. Së pari, sfidat për konkurrentët janë jo shumë të denja për kuzhinierë profesionist. Pastaj, juria provon të shtiret si e fortë, si një Gordon Ramsay, por, duket se kjo është vetëm sipërfaqësore. Gjithashtu çdo episod zgjat më shumë se që duhet, më shumë se versionet tjera ndërkombëtare.

6.    Portokalli (Top Channel)

Shumë gjëra kanë ndryshuar tek Portokalli gjithë këto sezone. Nuk është Portokallia e viteve të lavdit, por, megjithatë vazhdon të mbetet aty kah kreu. Akoma është në Top 10, pasi ka skeçe, elemente vërtetë interesante. E pastaj janë ajo pjesa e kotë, dëshpëruese, zhgënjyese, që i humb edhe emrin e mirë që ka fituar tërë këto sezone.

5.    Al Pazar (Vizion Plus)

Agron Llakaj po bën punë të mirë tek Al Pazar. Më pëlqen puna e tij. Gjithmonë më ka pëlqyer, dhe nuk ndjehem aspak i zhgënjyer as me episodet më pak interesante të Al Pazar. Mysafirë të mirë, skeçe të shkëlqyeshme, kast shumë mirë i përzgjedhur. Al Pazar është ndër emisionet më të mira të Vizion Plus.

4.    Ça Thu (Agon Channel)

Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli kanë bërë një dyshe të shkëlqyeshme në TV. Ishte koha e fundit që të ndahet dyshja e Fiks Fare pasi gati vetëm kishte nisur të plakej prezenca e tyre në Fiks Fare. Saimiri dhe Gentiani kanë një harmoni të shkëlqyeshme në Ça Thu. Kjo i jep shije emisionit dhe e bën të kënaqshëm për të shikuar. Kanë përfituar më së shumti nga ‘mosha televizive’ e Fiks Fare, të cilën ka disa vite që nuk e përcjell pos për ‘mostër’ të kësaj liste.

3.    Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Një shkapërderdhje e formës ‘Portokalli’ ka goditur këtë sezon 2XL. Por, për dallim nga ‘Portokalli’ formati e bën 2XL më pak të lëndueshëm ndaj dezertimeve. Megjithatë mungesa e Ermalit e Gentianit është më se e qartë, por angazhimi me kohë i Albanos, e Cubit të cilët tani janë në mesin e ‘veteranëve’ me trungun e vetëm Julianin kanë bërë që ikja e tyre mos të lë edhe aq shumë hapësirë të pambuluar. Gjithashtu largimi jo i menjëhershëm i të dyve ka ‘ndihmuar’ programin.

Sidoqoftë, me apo pa ata dy, 2XL vazhdon të mbetet një ndër programet më të mira shqiptare.

2. The Voice (Top Channel)

Padyshim formati më së miri i adaptuar. Realizimi teknik, siç e përmenda më lartë, nga Top Channel është i mahnitshëm. Juria me Sidritin, Eltonin e edhe Almën është gjithnjë në nivelin më të mirë. Largimi i Miriamit ka lënduar formatin. Aurela nuk është ndër artistet më të preferuar nga unë, prandaj nuk mund të them se ka mbuluar hapësirën e lënë nga Miriam. Presioni për të zëvendësuar atë, para përvojës së saj ka qenë i dukshëm qartazi. Gjithashtu do të ishte edhe më mirë sikur të kemi edhe një moderator më pak ‘energjetik’, më të qetë. Por…

1.    6 Ditë pa Ermalin (T Plus)

Edhe pozita e kampionit i takon njeriut më komik në televizion, Ermal Mamaqit. ‘6 Ditë pa Ermalin’ është programi më i mirë në televizionet shqiptare sezonin e kaluar. Ka një format të përkryer, i realizuar për mrekulli. Ermali prek temat e javës me një pikëpamje të tij të veçantë, që është ndër mënyrat më komike që mund të bëj çfarëdo personalitet televiziv. Audienca në studio, mysafirët, realizimi teknik, janë për mrekulli. Çdo herë kur është larguar nga projektet aktuale kam pasur frikë se kurrë s’mund të jetë më i suksesshëm se që ishte në momentin. Është hera e dytë që demantohem. Nuk do të them që ky është kulmi për të. Por, për momentin është kulmi i programeve televizive në botën e televizionit në Shqipëri.

Read Full Article

Hannibal - Season 1Kompania Gaumont International Television ka siguruar shpërndarjen e dy nga tri serialet e saja kryesore.

‘Hannibal’ do të transmetohet nga Mediaset në Itali dhe Televisa në Meksikë. Ndërkohë Tele Munchen Group ka siguruar të drejtat për serialin ‘Hemlock Grove’ në Gjermani.

Seriali i NBC-së, ‘Hannibal’ sjell Mads Mikkelsen në roli ne të famshmit Dr. Hanibal Lekter. Sezoni i parë prej 13 episodeve është mbyllur në qershor, derisa kthehet në vitin 2014.

‘Hemlock Grove’ është transmetuar në Netflix. Gjithashtu një serial horror, ndjek ngjarjet në një qytet të vogël në Pensilvani, bazuar në librin me të njëjtin emër të Brain McGreevy. Gjithashtu kthehet për sezonin e dytë prej 10 episodeve dikur në vitin 2014. /Telekomanda/

Read Full Article

The 40th Annual Daytime Emmy Awards - ShowKanali amerikan CBS ka dominuar në shpërblimet Emmy për programet ditore duke fituar 21 kategori përfshirë edhe ato nga ceremonia e Arteve Kreative e organizuar javën e kaluar. PBS e ka ndjekur me 14 fitore.

Drama ditore ‘The Bold and the Beautiful’ ka fituar më së shumti kategori, katër; derisa ‘The Young and the Restless’, ‘General Hospital’ dhe Days of Our Lives’ kanë fituar nga dy. Legjenda e Star Wars, George Lucas ka fituar Emmy-n e parë për serialin e animuar ‘Star Wars: The Clone Wars’ që transmetohet në Cartoon Network.

Emmy kanë fituar edhe ‘The Dr. Oz Show’, dhe ‘The Ellen DeGeneres Show’.

 

Fituesit nëpër kategori:

-Serial dramë: “Days of Our Lives” (NBC)

-Game Show: “The Price is Right” (CBS)

-Programi i mëngjesit: CBS Sunday Morning (CBS)

-Talk Show Argëtues: “The Ellen DeGeneres Show” (sindikim)

-Talk Show Informativ: “The Dr. Oz Show” (sindikim)

-Program kuzhine: “The Best Thing I Ever Ate” (Food Network) dhe “Trisha’s Southern Kitchen” (Food Network)

-Programi i animuar – klasi special: “Star Wars: The Clone Wars” (Cartoon Network)

-Aktori kryesor në dramë: Doug Davidson (“The Young and the Restless,” CBS)

-Aktorja kryesore në dramë: Heather Tom (“The Bold and the Beautiful,” CBS)

-Aktori dytësor në dramë: Scott Clifton (“The Bold and the Beautiful,” CBS) dhe Billy Miller (“The Young and the Restless,” CBS)

-Aktorja dytësore në dramë: Julie Marie Berman (“General Hospital,” ABC)

-Aktori i ri në dramë: Chandler Massey (“Days of Our Lives,” NBC)

-Aktorja e re në dramë: Kristen Alderson (“General Hospital,” ABC)

-Moderator i Talk Show: Ricki Lake (“Ricki,” i sindikuar)

-Moderator i Game-Show: Ben Bailey (“Cash Cab,” Discovery)

-Moderator kuzhine: Lidia Bastianich (“Lidia’s Kitchen,” PBS)

-Regjia për dramë: “The Bold and the Beautiful” (CBS)

-Skenaristët për dramë: “The Bold and the Beautiful” (CBS)

-Kënga origjinale: “Good Afternoon” (“Good Morning America,” ABC)

Read Full Article

Top40Vitin e kaluar ishte Top 50 pas një Top 10 dhe Top 20. Këtë vit kam vendosur të reduktoj numrin në Top  si shenjë revolte për degradimin në cilësi të programeve televizive që shfaqen në kanalet tona.

Renditja është mendim personal i imi, nuk paraqet qëndrimet e redaksisë së Telekomandës apo çfarëdo mediumi tjetër ku mund të publikohet eventualisht. Është thjesht mendimi im i thjeshtë, i konstruktuar mbi shumë orë të kaluara duke shikuar televizion gjatë këtyre viteve, sidomos këtë sezon që për mua tashmë ka përfunduar.

 

40 Lugina e Ujqërve (Vizion Plus)

Padyshim seriali turk më i mirë i transmetuar në Vizion Plus deri më tani. Është një kult në televizionet turke dhe mund të vazhdoj për vite të tëra. Personalisht nuk është ndër serialet e mija të preferuara, por përshtatet me etjen e shikuesve shqiptarë.

 

39 Drejtpërdrejt (TVSH)

I vetmi program që ja vlen të shikohet në televizionin publik shqiptar. Sinqerisht, programet tjera nuk ja vlejnë të shikohen, pos ndoshta kuizit të ri të Enkel Demit, i cili ka filluar pak më vonë se koha kur vlerësoj se meritojnë një vend në sezonin televiziv. Drejtpërdrejt mbetet simboli dhe ku të ishte ai fat që të ketë edhe më shumë programe të të njëjtës cilësi në TVSH.

 

38 Top Fest (Top Channel)

Ka filluar të plaket edhe ky format. Nuk është në majat siç ishte më parë. Nuk mund ti fajësojmë, edhe brende si American Idol nuk po mund të mbijetojnë në dekadën e dytë. Po, Top Fest-in, sidomos ato edicionet fillestare do të mund ti krahasoja me American Idol. Ka qenë një finale jo shumë eksituese sipas disa analistëve tjerë, dhe me shtimin e konkurrencës si The Voice e X Factor Albania, nuk besoj që kemi hapësirë për tri programe talentesh muzikore.

 

37 Champions League (Klan TV)

Edhe tri vite gara më e madhe ekipore në botë vjen falas për shqiptarët në TV Klan. Nuk ka pasur alternativë më të mirë se kjo, dhe është fat që nuk është me pagesë edhe të mërkurave siç ndodh për shembull në Francë. Është politikë e UEFA-s që vetëm një mbrëmje të shfaqet futboll në kanalet pa pagesë, prandaj nuk është fajtor Klani pse nuk ka Champions të martave. Sidoqoftë, tani zgjedhja e parë e mbrëmjes që ofrojnë është një ngritje në krahasim me sezonet e kaluara.

 

36 Takimi i pasdites (Klan TV)

Epo nuk më ka pëlqyer në sezonet e kaluara. Nuk ka ndryshuar diçka për të mirë as këtë sezon për mua. E di që nuk jam targeti demografik, por nëse do ta krahasoja me programet tjera simotra do ta vendosja pas tyre, por edhe Pasdite ka mbetur ngjashëm tani. Nuk ka diçka të veçantë, por e di që shumë veta nga demografia e këtij emisioni pëlqejnë Takimi i pasdites.

 

skaner-kampionat35 Skaner Kampionat (Albanian Screen TV)

Më pëlqen që vazhdon traditën edhe pas tërë këtyre viteve. Nuk ka humbur shumë nga origjinaliteti, dhe kjo mendoj që e bën të mbijetoj. Shpesh bëhen debate të frytshme dhe interesante. Besoj që ka ruajtur audiencën e vet përkundër shfaqjes së formateve të ngjashme të reja.

 

34 Pasdite në Top Channel (Top Channel)

Ku është Lira Burgija?! Seriozisht çfarë menduan krerët e Top Channel duke sjell Ulpiana Ramën në vend të Lirës?! Nuk ka sjell asgjë më të mirë dhe më cilësore për mendimin tim. Nuk ka dëmtuar imazhin dhe formatin e emisionit, por, Lira Burgija ka bërë punë të shkëlqyeshme. Meritonte të mbetej në pozitën e autores së këtij emisioni.

 

33 Sulltani – Shekulli i madhërishëm (Albanian Screen TV)

Sulltani është kthyer në kohë rekorde tek audienca shqiptare. Kjo na është thënë nga AS TV, por edhe në një mënyrë pasqyrën urinë e shikuesve për seriale të tilla. Nuk e mohon askush që është seriali më i madh turk për momentin, dhe sezoni i katërt i jep edhe më shumë siguri në të ardhmen AS TV. Meriton të jetë në mesin e dyzet programeve më të mira në kanalet tona.

 

32 The Good Wife (Klan TV)

Nuk është drama që kam pritur, por është dramë lart e vlerësuar në Klan TV. Ka pasur alternativa tjera, mendoj, por megjithatë edhe ‘The Good Wife’ nuk është për tu hedhur poshtë. Besoj që mund të gjej audiencën e saj, e gjithashtu rinovimi për sezonin e ardhshëm i jep Klanit një siguri më të madhe në spektrin e dramave amerikane në primetime. Sidoqoftë, prurjet e reja nuk do të ishin kurrë të padëshiruara.

 

31 Select (Top Channel)

Edhe një program stemë i Top Channel. Ardhja e programeve debatuese, talk-show, në programacionin e pasdites, si dhe prania e telenovelave nuk ka arritur të çmontoj këtë program. Më pëlqen si një alternativë më ndryshe, më e lehtë, më e këndshme pas një paraditeje të lodhshme. Shpresoj të vazhdoj edhe për sezone tjera.

 

30 Wake Up (Top Channel)

Destinacioni më i mirë për mëngjes, padyshim është çifti i Wake Up. Ofrojnë alternativën më të këndshme për të nisur ditën, falë energjisë së tyre të parezervuar ndonjëherë, lajmeve të freskëta, rubrikave, dhe muzikës të zgjedhur. Programet konkurrente ose janë jostabile ose të dala mode.

 

game-of-thrones-season-429 Game of Thrones (3Plus/Digi Plus)

Vetëm në maj ky serial ka krijuar një hallakamë që i shtyn të gjithë të interesohen më shumë për të. Versioni në 3Plus dhe Digi Plus, më duket se nuk ka qenë i censuruar ashtu si në Top Channel. Megjithatë mungesa e HBO-së në Shqipëri, shkakton vonesa të shumta në prurjen e këtij seriali, diçkaje që i kontribuojnë edhe kanalet që blejnë këtë serial.

Megjithatë, qoftë edhe me vonesë dikush po kujdeset të sjell dramën më të mirë në televizion për momentin (shih edhe rejtingun e IMDB-së, dhe komentet e fansave) në Shqipëri.

 

28 Once Upon a Time (Albanian Screen TV)

Më pëlqen menyja e serialeve të huaja që transmetohen në Albanian Screen. Once Upon a Time është një nga dramat më të mira që mund të shfaqen në televizionet tona. Është një ‘gërshetim përrallash’ që nuk e ka të vështirë për të gjetur audiencën. Megjithatë nuk do të thosha të njëjtën gjë edhe për komeditë. Shumica e tyre janë komedi një-kamere dhe nuk përshtaten shumë me audiencën tonë, mendoj.

 

27 1001 net (Albanian Screen TV)

Halit Ergenc vazhdon të mbetet në ekranet e AS TV. Diçka më e butë se Sulltani, një dramë e butë turke, diçka që nuk është vërejtur deri më tani në kanalet shqiptare. Më ka pëlqyer për kohën sa është shfaqur në KTV. Ka një kast të mrekullueshëm, aktorë me përvojë, dhe një temë jo aq të rëndë. Ide e mirë e Albanian Screen TV për të sjell 1001 net.

 

26 The Voice Kids (Top Channel)

Sigurisht nuk është aq i popullarizuar sa formati kryesor, por megjithatë ofron një alternativë për të gjithë zërat aspirues që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre. Është më i ‘dëmtuar’ prej formatit kryesor, por ia arrin t’ia dal. Më pëlqen më shumë se ‘Gjeniu i vogël’, por akoma nuk ka arritur të njëjtin nivel të popullaritetit. Me më shumë seriozitet nga stafi realizues, mund të bëhet edhe më i madh.

 

25 Fiks Fare (Top Channel)

Fiks Fare është format që po i reziston mplakjes. Komedia nuk ka qenë kurrë primare, por tani shpesh duket se është zhdukur. Pra, nëse e shihni për komedi, atëherë kërkoni alternativë tjetër. Megjithatë formati investigues, përkundër mungesës së ‘boom’-ave të nivelit të mëparshëm vazhdon të jetë në nivel të lakmueshëm. Kjo vazhdon ta mbaj në mesin e kanaleve më të mira në televizionet shqiptare.

 

tjetri24 Tjetri (Top Channel)

Kuiz interesant. Shtesë e mirë në programin e pasdites të Top Channel. Besoj që në sezonin e dytë stafi do të ketë më shumë përvojë dhe do të realizoj një program më të mirë. Është interesante të shohim Manushin në rolin e autorit të një emision që s’ka të bëj me Barcelonën!

 

23 100 Milionë (Top Channel)

Po mbijeton akoma pa Adi Krastan. Në fakt nuk kam parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Eno Popi ka bërë punë të mirë. Është kuiz joshës, nuk teprohet falë vetëm një transmetimi në javë, nuk kërkon shumë kohë dhe mendime, është i thjeshtë dhe lehtësues.

 

22 Mad Men (Albanian Screen TV)

Njëra nga dramat më të mira, ose le të them drama më e mirë e shkruar që për momentin transmetohet në televizion vjen tek shqiptarët në një kanal kombëtar. Kjo është një dobi që duhet ta shfrytëzojmë të gjithë fansat e skenarëve të këndshëm dramatik. Nuk di sa rrezon tek ne kjo dramë, por e di që cilësia është prej më të mirave që mund të shohim në kanalet tona. I lumtë Albanian Screen që transmeton ‘Mad Men’.

 

21 Shqip (Top Channel)

Edhe një program simbol i brendit të Top Channel. Akoma vazhdon të qëndroj në transmetim përkundër shumimit ‘kërpudhor’ të debateve televizive. Shqip ka ruajtur origjinalitetin, formatin më ndryshe nga të tjerat që shënjohet me debate shumë të qeta dhe të kulturuara, pa britma, tema që nuk prekin të tjerët, por janë të rëndësishme, si dhe intervista e reportazhe të shkëlqyeshme kohë pas kohe.

 

20 Dribbling (Vizion Plus)

Ishte çështje kohe kur do të niste Dribbling, apo një program i ngjashëm sportiv në Vizion Plus. Kjo ndodhi këtë vit dhe si sezoni debutues nuk kam shumë çka për të kritikuar, pos që më pëlqen konkurrenca dhe do tu nevojitet punë dhe kohë për të gjetur një audiencë vërtetë konkurrente dhe fanse të emisionit. Mendoj që kjo mund të nis të vërehet në sezonin e dytë që është ‘fito ose shko’ sezoni për shumë emisione.

 

19 Desperate Housewives (Top Channel)

Seriali simbol i Top Channel ka përfunduar. Pas ‘Lost’ tani edhe ‘Desperate Housewives’ largohet për të lënë një hapësirë që assesi nuk mund të plotësohet nga një ‘Game of Thrones’ i redaktuar në masë të madhe. I radhis këtu si një mirënjohje për sjelljen tek publiku shqiptar i serialeve që i kanë dhënë identitet Top Channel. ‘Lost’ dhe ‘Desperate Housewives’.

 

Ora-5PM18 Ora 5PM (Vizion Plus)

Tani, programi im i preferuar i pasdites në kanalet shqiptare. Ka arritur të mbetet origjinal, ashtu siç ishte projektuar, ka pasur ndoshta ndryshime jo të mëdha, por esenca, trajtimi i temave, zhvillimi i debateve, mbetet i shkëlqyeshëm sikur vitin e kaluar. Është zgjedhja ime primare për programet e pasdites për momentin.

 

17 Proçesi sportiv (Top Channel)

Këtë vit është përqendruar më shumë në futbollin shqiptar. Për më tepër besoj që duhet të kemi një spin-off për ligat ndërkombëtare. Këto që më interesojnë më shumë mua personalisht vinin në transmetim rreth orës 1 pas mesnate, që është vonë nëse ju nevojitet të zgjoheni të martën herët në mëngjes. Gjithashtu edhe repriza nuk të jep alternativë reale.

 

16 A Show (Vizion Plus)

Adi Krasta bën atë që bën më së miri. Është i lindur për këto lloje të programeve televizive, dhe thjesht shkëlqen. Ka pasur disa emisione jashtëzakonisht të mira, intervista të shkëlqyeshme që të kanë ngjitur para ekranit. Ka një termin jo të mirë, sidomos për neve fansave të futbollit për shkak të së martës së Champions, pra, gjysmën e emisioneve të sezonit ndoshta duhet ti shohim reprizë, ose të harrojmë të tërën. Por, sa herë që shohim, nuk mund të them që zhgënjehemi, së paku jo unë personalisht.

 

15 Top Story (Top Channel)

Akoma konkurron me Opinion, por thjesht nuk ka arritur pjekurinë që ka emisioni i Blendi Fevziut. Mungojnë debatet interesante, të baraspeshuara, të pavarura. Është emision i mirë që josh një pjesë të shikueshmërisë, por, akoma nuk ka arritur të mposht paragjykimet. Sidoqoftë, është mirë konkurrenca direkte dhe ‘guximi’ për të shkuar kokë me kokë me Opinion e mos të ikë në një ditë tjetër të javës. Më pëlqen që po ruajnë ‘të enjten politike’ të dyja kanalet. Është alternativë perfektë për ata që nuk shikojnë ‘Opinion’.

 

14 Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Vazhdon të jetë njëri ndër emisionet më të mira me ngjyrë politike. Më pëlqejnë shumica e reportazheve, sidomos ato që lundrojnë në të kaluarën. Ka një orar të mirë transmetimi, nuk ka konkurrencë të fortë në termin, dhe thjesht nuk ka asgjë të keqe. Të mirat mund ti numërojmë sa herë të duam. Më pëlqen si format dhe uroj të ketë jetëgjatësi.

 

13 Bar Sport (SuperSport)

Më pëlqen fakti që SuperSport po përqendrohet në realizimin e programeve origjinale, jo vetëm transmetimeve të ndeshjes. Bar Sport është program interesant, shpesh ka mysafir interesant, por mund të jetë edhe më i mirë. Më tepër koncentrohet në ‘bukurinë’ e prezantueseve se sa në opinionet e ekspertëve.

 

12 X Factor Albania (Klan TV)

Zhgënjimi im me adaptimin e këtij formati tek ne nuk mund të shprehet në këtë paragraf. Ka shumëçka që nuk shkon, që nuk funksionon duke nisur nga moderimi i Alketës, deri tek juria me anëtar si Tuna. Seriozisht, Tuna?! Kurrë nuk kanë munguar superlativët për performancat që rrallëherë do të kalonin mesatare, gjykime joreale, si dhe mosmarrëveshje në pikat kryesore si tek eliminimi se kush do të shkoj e kush do të mbetet. Si një fans i madh i X Factor-it britanik, versioni shqip më bën të vjellë.

 

gjeniu-i-vogel11 Gjeniu i vogël (Klan TV)

I njëjti problem që kam tek X Factor ekziston edhe këtu. Seriozisht Klan TV, seriozisht Genta të na gjej gjeni neve shqiptarëve!!! Atëherë vallë halli për neve. Nuk është një model të cilin duhet të lakmojnë fëmijët gjeni (disa prej këngëve të saja kanë prejardhje të dyshimtë), e lëre më ekspertizën e saj në fushën e muzikës. Qyshdoqoftë rikthimi i Gjeniut po që është një veprim i duhur i Klanit, por kanë mundu të bëjnë gjë shumë më të mirë, e gjithashtu Rudina Magjistari më mirë do të ishte të mbetej me formatin e saj të pasdites.

 

10 Opinion (Klan TV)

Vazhdon të mbetet programi debatues më i frytshëm në kanalet shqiptare. Përvoja e Blendit e bën të veten, dhe nuk duket në horizont dikush që mund t’ia marr primatin. Më pëlqen ndarja e formatit, dy intervista 1n1, dhe një debat i gjerë të enjteve. I lejon hapësirë më shumë Klan TV që të vendos programe më argëtuese në primetime. Sidoqoftë nëse do të shihja politikë, apo debat, atëherë zgjedhja ime e parë në kanalet e Shqipërisë mbetet Opinion.

 

9 1001 Pse (Top Channel)

E shtuna ka kuptim në vjeshtë në Top Channel. Njëri ndër formatet më të këndshme në këtë kanal. Thjeshtë disa nga pyetjet e fëmijëve janë të mrekullueshme. Më pëlqen çiltërsia dhe pafajësia e tyre kundër personaliteteve të ndryshme. E edhe më të këndshme janë kur nuk ka kamera, e kur disa nuk çajnë kokën për mysafirët – ec e mos e pëlqe po mundje.

 

8 Kuzey Guney (Klan TV)

Tek Klan TV po arrijnë të ruajnë shijen e zgjedhjes së serialeve turke. ‘Kuzej Gynej’ veçse radhit edhe një sukses, për mendimin tim në sjelljen e serialeve turke në primetime. Është pasardhës i denjë për ‘Ezel’, dhe ka gjithçka që e karakterizon një serial të suksesshëm turk, pra gjithçka që ngop apetitet e fansave të këtyre programeve televizive. Më shumë jam i interesuar të shoh se çfarë do të sjellin pas ‘Kuzej Gunej’, të shoh se a do të mund të qëndrojnë në një linjë të duhur. Unë e kam emrin që do të kishte sukses, por a e kanë ata tek Klan, atë do ta shohim në sezonin e ri televiziv. Jo, sigurisht që nuk është ‘Shtëpiaket e dëshpëruara (turke)’ alternativa ime.

 

nga-e-para7 Nga e para (Vizion Plus)

Njëri nga emisionet më të dashura për shqiptarët. Gjithashtu edhe më të lakmuara. Për humanitetin, ndihmën që jep ky emision as nuk mund të mendohet për një pozitë tjetër pos asaj të parës. Por, realizimi mund të jetë një çikë më i mirë, e gjithashtu disa episode më shumë ndoshta do të kushtonin, rrjedhimisht, më shumë, por edhe do ta bënin edhe më të përkryer. Tashmë është një nga emisionet më të mira që mund të shihni në televizion, nga emisionet që ju bëjnë të ndiheni mirë.

 

6 Exclusive (Top Channel)

Kampioni ‘fatlum’ i vitit të kaluar zhvendoset në pozitën e gjashtë. Jo që nuk është në nivelin e sezonit të kaluar, por thjeshtë kemi një performancë më të mirë të Top 5. Exclusive ka sjell disa reportazhe të shkëlqyeshme këtë sezon, nuk ka dëshpëruar aspak, dhe gjithnjë kur kam kohë e shikoj. Mbetet një ndër programet më të mira të zhanrit të tij.

 

5 Ezel (Klan TV)

Si mëson shqiptarët të shohin seriale turke në prime-time?! Ju servon ‘Ezel’-in dhe krijohet një zakon që mund të vazhdojë me vite. Prej serialeve turke që kam ndjekur (e vërtetë ndjek, por shumica janë komedi), Ezel renditet në serialet më të mira turke të transmetuara në kanalet shqiptare. Meriton pozitën në Top10 serialet e transmetuara sezonin e kaluar në televizionet shqiptare. Ka krijuar një avantazh të madh për Klan TV, që po përcillet me ‘Kuzej/Gynej’ e që do të vazhdoj besoj me ‘Karadayi’ gjatë verës. Thjesht nuk ka alternativë më të mirë për momentin për të dominuar primetime e javës.

 

4 Portokalli (Top Channel)

Evoluimi i Portokallisë ndër vite nuk ka qenë ashtu siç ishte në fillim. Le të kthehemi në 4-5 sezonet e para. Zgjerimi, përmirësimi, i Portokallisë jo nga viti në vit, por edhe nga java në javë shkonte mirë e mirë. Për mua majat i ka pasur në vitin 2010, që nga atëherë kemi riciklim të skeçeve jo shumë komike (jo për mua si kosovar). Problem tjetër ka mbetur sjellja e talenteve të reja që nuk kanë arritur nivelin e yjeve që kanë bërë të famshëm këtë format. Vazhdon të mbijetojë falë karaktereve të Policit e Gjinit, por deri kur?!

 

al-pazar3 Al Pazar (Vizion Plus)

Nuk është Agoni i Portokallisë, por nuk është edhe diçka e dështuar. Në fakt është format mjaft i suksesshëm që na ofron alternativë të shtunave që më parë dominoheshin nga Këngët e Shekullit (s’më intereson Big Brother). Agoni ka sjell disa nga karakteret më të pëlqyera që ka pasur tek Portokalli, por, ndoshta ka mundur të mbledh një ansambël më të suksesshëm. Vetëm edhe një emër nga Portokalli mund ta bënte akoma më interesant. Skeçet janë komike, janë të mira, nuk ka shumë banalitet. Megjithatë ajo pjesa kur Agoni është moderator është ajo…. si të them… ajo pjesa që na ‘qetëson’ dhe na detyron të pushojnë të qeshurat, të cilat duhet ti rinisim menjëherë në skeçin tjetër. Kjo nuk bën punë për mua, derisa pjesa tjetër është shumë e mirë.

 

2 Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Vendim i mençur për të heq qafe ‘Sketch Show’. Por, vendim aspak i mençur për pushimin e Ermalit. Megjithatë kasti i shkëlqyeshëm vazhdon të ofroj humor cilësor të dielave, më cilësorin në televizionet shqiptare. Transmetimi direkt në YouTube më ka ndihmuar mjaft personalisht mua, por shpresoj edhe shikuesve të tjerë të cilët kanë qenë në numër të bollshëm. Cilësia e komedisë nuk mungon, është format mijëra herë më i mirë se Sketch Show, një projekt që shyqyr që nuk u kthye. Finalja e madhe më në fund me Saliun do ti plotësojë ëndjet e kastit. Kujt do ti këndojnë më pas?! Berlusconit?!

 

the-voice1 The Voice (Top Channel)

Pa dyshim programi më i mirë në kanalet shqiptare. Formati i adaptuar në mënyrë fantastike. Zgjedhin talente dhe jo persona për turpërim publik si në garat e ngjashme. Suksesi i konkurrentëve nuk mungon. Juria është njëra ndër më së miri të përpiluara ndonjëherë në ekranet tona. Pjesa teknike është e mahnitshme. Të gjitha këto mjaftojnë për ta vendosur në pozitën e programit më të mirë televiziv në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2012-13. Vështirë të lëkundet nga kjo pozitë edhe sezonin e ardhshëm nëse vazhdojnë kështu.

Luan Morina

Kritik për TV & Film

Read Full Article

ertQeveria greke në tentim për të shkurtuar harxhimet publike mbrëmë ka mbyllur televizionin publik ERT.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Simos Kedikoglou njoftoi që mbyllja e tri kanaleve televizive vjen si rezultat i jotransparencës dhe të hyrave të pabesueshme. Sipas tij, ERT harxhon tre herë më shumë para se kanalet tjera, ka trefishin e punëtorëve, produksione të shtrenjta të jashtme dhe numër shumë të vogël të shikuesve.

Që nga mesnata Greqisë i shtohen edhe 2656 të papunësuar të cilët do të marrin para edhe për njohë dhe do të mund të konkurrojnë në organizatat tjera. Gjithashtu grekët nuk do të paguajnë taksën e transmetuesit publik me faturat e energjisë elektrike, taksë që ishte në lartësi prej 4.30 euro.

Kedikoglou deklaroi që ERT do të kthehet në transmetim, por në një kohë tjetër dhe me më pak punëtor.

ERT ka nisur punën në vitin 1938 me anë të radios, derisa transmetimet testuese televizive nisën me 1965. /Telekomanda/

Read Full Article

sportdigitalKanali sportiv gjerman, sportdigital do të nis kanalin dedikuar fansave të sporteve amerikane Sportamerica HD, pasi ky i fundit fitoi licencë dhjetë vjeçare.

Sportamerica do të provoj të mbuloj në tërësi mungesën që do të lë largimi i ESPN America që do të mbyll transmetimet në Evropë me 31 korrik. Kanali i ri do të jetë pjesë e operatorëve kabllor, satelitor, dhe IPTV në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Do të nis transmetimin me 1 gusht për të siguruar tranzicion të lehtë nga ESPN America që përfundon një ditë më herët.

Pos këtij kanali me licencë janë pajisur edhe kanali për të rinj – Joiz, dhe radioja sportive Sport1.fm që do të transmetoj ndeshjet e Bundesligës në internet nga sezoni i ardhshëm. /Telekomanda/

Read Full Article

2013-06_plagiatsbalkans_fr3-info2008Një bllog francez në një shkrim ekskluziv sjell me fakte plagjiaturën që televizionet tona po e shfaqin me ‘kreativitetin’ e tyre.

Shkrimi nis me ‘loja e shtatë gabimeve’…. duke vazhduar me “Shqipëria dhe Kosova nuk janë as 1500 km larg Francës, apo më pak se 4 orë me avion, por televizionet atje nuk do të ju lejojnë të mërziteni për atdheun,” shkruan në bllogun në fjalë.

Shkrimi citon forumet e këtij bllogu që dëshmon se kanalet shqipe si Klan Kosova, Vizion Plus, ABC News dhe kanalet tjera nuk hezitojnë për të gjetur inspirim në kanalet franceze, në veçanti ato të France Televisions.

Shembulli kryesor është ngjashmëria e edicionit kryesor të lajmeve në France 3 me Klan Kosova. Ngjashmëri ka edhe ndërmjet introve të France 2 dhe atyre të Klan Kosova, e ngjashëm si kanali turk, Powerturk, edhe Vizion Plus duket se ka kopjuar në masë të madhe kanalin privat francez M6.

Video montazhi i bllogut hedh në pah ngjashmëritë e produkteve të kanaleve shqipe me kanalet franceze si TF1, Canal+, France 5, M6, W9, LCI, RTL9 etj. /Telekomanda/

2013-06_plagiatsbalkans_frise 2013-06_plagiatsbalkans_fr2-autopromo2011

Read Full Article

true dramaNë satelitin Eutelsat 28A në 28.5 shkallë në Lindje ka nisur me transmetim kanali True Drama. Kanali ka zëvendësuar True Entertainment +1 dhe do të shfaq filma artistik pa pagesë.

True Drama fokusohet në dramat klasike, serialet, dhe filmat amierkan. Kanali është pjesë e CBS Media Group që në pronësi ka edhe disa kanale tjera si True Entertainment, True Movies 1 dhe 2; kanalet muzikore Bliss, Chart Show TV, Chart Show Dance, Buz Muzik, Flava, Scizz dhe The Vault; si dhe kanalet për fëmijë Kix!, Pop, Pop Girl dhe Tiny Pop.

True Drama transmeton si kanal i lirë, FTA, në satelitin Eutelsat 28A në 28.5 shkallë në Lindje në frekuencën 11307/Vertikal/SR:27500/FEC:2/3. /Telekomanda/

Read Full Article

neil-patrick-harrisAktori Neil Patrick Harris do të udhëheq shoun e shpërndarjes së çmimeve të 65ta Emmy që do të transmetohen me datë 22 shtator në kanalin CBS.

Pak ditë më parë, Harris u konfirmua edhe si moderator për çmimet Tony që shfaqen të dielën e ardhshme. Për herë të parë ai kishte moderuar këto dy ngjarje në vitin 2009.

“S’mund të jem më i nderuar dhe ngazëllyer për udhëheqjen e çmimeve Emmy. Dhe çfarë kohë e përkryer për konfirmim, do të bëj të njëjtën skript si tek Tony,” tha Harris.

Read Full Article

artaKanali i parë kosovar që gati 4 vjet transmeton 24 orë lajme, ARTA, nga sot ka ndryshuar pamjen. Me një dizajn grafik të ri, kanali që ju sjell lajme në çdo minutë, freskon pamjen vizuale me ndryshimin e ngjyrës nga e kuqe në të bardhë. Shikuesit e kanalit ARTA do të vazhdojnë të informohen në kohë reale me lajmet e fundit për ngjarjet në vend, rajon dhe botë. Imazhi me grafikë të re ofron edhe më shumë informacione të shkruara.

Kanali ARTA përveç në platformat kabllore në Kosovë mund ta ndiqni edhe 24 orë online në internet nëpërmes ueb faqes koha.net. /Koha.net/

Read Full Article