Bridge of Spies (2015) – Recensim

Coenat janë ‘loqkë’ skenaristë! Por, e kanë një zakon të pashkruar – një film të mirë, një jo edhe aq të mirë. Pasi vitin e kaluar kishim ‘Unbroken’ me regjisoren e ‘madhe’ Angelina Jolie, këtë vit ishte radha të shpaguanin veten. A ka mënyrë më të mirë shpagimi se të kesh për regjisor Steven Spielbergun. Kur merr Spielbergun, shto edhe Tom Hanks dhe ke njërin nga filmat më të mirë të vitit. Por, ylli i befasishëm ‘Bridge of Spies’, ndoshta edhe më i madhi nga ky film, është Mark Rylance.

Rudolf Abel është një spiun rus i kapur nga shërbimet amerikane në territorin amerikan. I portretizuar nga Rylance, Abel është një karakter shumë i qetë përkundër situatës në të cilën është dhe disa nga fjalitë e tij në këtë film janë tepër mbresëlënëse, fjali këto që vijnë në pako me një aktrim të mahnitshëm që meriton të shpërblehet edhe me Oskar. Harmonia skenike e Rylance me Tom Hanks është e mahnitshme. Hanks portretizon rolin e avokatit publik James B. Donovan, i cili nuk pajtohet me ‘udhëzimet’ për të qenë avokat sa për sy faqe. Krejt ndryshe nga opinioni publik, Donovan merr masat më të skajshme për të mbrojtur Abelin. Ky vendim nuk do të pritet me duartrokitje as nga popullsia, e as nga hierarkia e tyre. Plani i Hanks është më i madh, dhe kur vjen koha për ta jetësuar, atëherë vetëm sa ‘ndizet’ tema, derisa aktrimi i Hanks edhe para kësaj pjese është goxha madhështor. Alan Alda e Amy Ryan janë dy që vlen të përmenden nga pjesa tjetër e kastit. Aktrimi është në nivel, derisa skenari e sidomos regjia ka ato nuancat e zakonshme të Coenëve e Spielbergut. Këta sjellin aftësitë e tyre nga të gjitha veprat e bukura që kanë bërë me dekada në botën e filmit duke mos lënë asnjë hapësirë zhgënjimi.

Me tërë këta emra të angazhuar, me përvojën që kanë, ‘Bridge of Spies’ ofron një tregim ngazëllues nga fillimi deri në fund. Është një tregim që sjell një periudhë të pasluftës, një periudhe akoma në fazat e para të rehabilitimit. Është një tregim i shtjelluar për merak nga të gjitha figurat e përfshira. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...