Blue Jasmine (2013) – Recensim

Cate Blanchett in Woody Allen's Blue JasmineTë jem i sinqertë, ‘Elizabeth’ nuk është kushedi çfarë filmi. Ndoshta fajin e ka Cate Blanchett që arrin të vjedh vëmendjen me një paraqitje të shkëlqyeshme. Sigurisht ka hapësirë edhe për Geoffrey Rush, por, vet filmi nuk është diçka i jashtëzakonshëm.

Ngjashëm edhe tek ‘Blue Jasmine’. Filmi, tregimi nuk është diçka e veçantë. Regjia e skenari është i tipit të Woody Allen. Kemi atë lloj dialogu që e hasim shpesh në filmat e Allenit, e ngjashëm është me regjinë. Interesante është lëvizja e kamerës në skenë e cila kalon nga karakteret që bëjnë dialog para kamerës tek një skenë tjetër me karakteret mbrapa kamerës që vazhdojnë të dialogojnë sikur në një formë narrative.

Ajo çka e veçon filmin, i jep shije filmit janë dy karakteret femra, motrat Ginger dhe Jasmine, sidomos kjo e fundit. Tashti, Jasmine është një grua pasanike e martuar me një financier – Hal (Alec Baldwin) që del të jetë mashtrues. Derisa Hal ka mbytur veten në burg, Jasmine ka humbur gjithçka, përfshirë të birin dhe kthehet tek e motra, Ginger (Sally Hawkins), e cila jeton në San Francisco dhe gjithashtu ka humbur gjithçka, përfshirë burrin disi për fajin e Jasmine pas biznesit të pasuksesshëm me ish-burrin e saj, Halin.

Këtu fillon i tërë tregimi, për Jasmine e cila akoma nuk mund të pajtohet me realitetin e ri që është krijuar. Këto i vërejmë qysh në skenën fillestare kur ajo zbret nga aeroplani me biletë të klasit të parë, çantë me markë, dhe ndihmësin e saj. Kjo është e vetmja skenë me baraspeshë para se të luhatemi me skenë që na e tregojnë Jasminen si retrospektivë nga kur kishte nisur biznesin që kishte shkatërruar jetën e Ginger deri tek e vërteta për humbjen e burrit dhe tërë pasurisë.

Vet historia e bën Jasminen një karakter që kalon nëpër të gjitha fazat emocionale të jetës. E secila fazë, secili emocion përsosmërisht interpretohet nga Cate Blanchett. Jo me pahir ajo është njëra ndër favoritet për të dominuar çdo ceremoni shpërblimesh të mëdha në kategorinë e aktoreve më të mira këtë sezon. Në film kemi dy Jasmine – të parën që shfaqet në skenat retrospektive ku kemi një Jasmine e shtresës së lartë, mendjemadhe, nënçmuese ndaj të motrës së saj; dhe të dytën e cila ka të gjitha ato veti, vetëm se të lënduara, dobësuara, e të fshehura. Ajo vazhdon të nënçmoj të motrën duke ia rrënuar edhe atë lidhje që ka, gjithnjë në premtim se ajo mund të arrij më shumë, më lart, diçka që vet Jasmine dëshiron, dhe eventualisht do ta gjej, ndoshta, gjithnjë sipas aspiratave të saj.

Blanchett mishërohet për mrekulli me karakterin e saj. E vërejmë në disa skena të historisë aktuale në film kur dërgon vete në limite që kurrë s’kishte përfytyruar. I duhet të punoj si asistente dentisti, për tu ngacmuar në punë, i duhet të rikthehet në shkollë duke provuar të kompensoj tërë kohën dhe risitë që kanë kaluar derisa ajo po shijonte jetën aristokrate, e skena të ngjashme. Megjithatë ato që lënë përshtypje më së shumti, edhe pse më duhet të pranoj që nuk ka asgjë poshtë shkëlqimit në çdo skenë, është skenat derisa është asistente kur duhet të duroj shumëçka vetëm për të mbajtur atë vend të punës, si dhe skenat konfrontuese me të motrën, ose më mirë të them me të dashurin e ri të motrës. Janë disa dialogë pa dorëza me Jasmine dhe Chilli (Bobby Cannavale) derisa Ginger mbetet në prapaskenë si karakter statik, e ngujuar ndërmjet dëshirave të motrës që i ofron një utopi për të, dhe Chillit që është kënaqësia aktuale e saj.

Derisa Cate Blanchett dominon filmin me aktrimin e saj jashtëzakonisht të mirë, as kasti dytësor nuk mbetet në hije. Sally Hawkins bën një aktrim shumë të mirë duke portretizuar motrën e cila me gjithë gjërat që i kanë ndodhur shkaku i motrës së saj – ndarja me burrin, humbja e pasurisë, dhe mbetja si nënë e vetmuar me dy fëmijë; vazhdon të vë familjen para gjithçkaje.

Sa i përket temës, Jasmine arrin të bind Gingerin të shijoj atë jetën që ajo mendon se meriton Ginger, por jo gjithçka do të shkoj sipas fantazisë së saj.

Kasti dytësor zakonisht vlen të veçohet tek tre burrat e përzier në jetën e Ginger. Peter Skarsgaard ka një hapësirë më të vogël në film në krahasim me Cannavalen. Ngjashëm si Skarsgaard, një pjesë më të vogël në film ka edhe Louie C.K. i cili portretizon të dashurin që preferon motra e saj për të. Të dy këta bëjnë punë të mirë, por asgjë nuk e kalon Cannavalen. Ai ka disa skena që shkëlqen me aktrimin e tij, dhe ngjashëm si Blanchett përshtatet shkëlqyeshëm me karakterin e tij.

Në përgjithësi është një film i mirë në stilin e rëndomtë të Woody Allen, një film i Cate Blanchett që mrekullon me aktrimin e saj.

Luan Morina

Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...