Big Hero 6 (2014) – Recensim

big-hero-6-baymaxNjë botë e animuar e bazuar në Japoni, derisa e punuar nga Disney! Kjo po që është risi. Ky ndryshim vërehet shumë mirë edhe nga tema që trajton, dhe më në fund kemi një grup heronjsh që kanë vendosur të shpëtojnë një vend tjetër pos SHBA-ve dhe tërë planetit.

Baymax është një robot i fryrë tejmase i zhvilluar nga Tadashi, vëllai i Hiros, i cili vdes në një aksident në fillim të filmit. Pas këtij aksidenti, Hiro vendos ti hakmerret zuzarit që i kishte vjedhur mikrobotin e tij duke terrorizuar njerëzit e pafuqishëm për ta ndalur. Baymax, që fillimisht ishte dedikuar të ishte një robot që diagnostifikon shëndetin e njerëzve, pajisjet me aftësi shtesë për të ndihmuar Hiron në misionin e tij hakmarrës. Por, kjo nuk mjafton, dhe Hiros i bashkohen edhe katër miq tjerë të Tadashit, e tani të Hiros, të gjithë të pajisur me aftësi superiore teknologjike.

Ky film i animuar dallon nga të tjerët pasi karakteret nuk kanë aftësi të veta mbinatyrore, porse me anë të teknologjisë dhe modernizimit të saj arrijnë të krijojnë pajisje, armë, dhe përparësi që i ndihmojnë në misionet e tyre, të cilat megjithatë fillimisht nuk janë të dedikuara për luftë, sa janë për ndihmë shoqërisë.

Pra, qëllimi i filmit duket të jetë interesant, të afroj fëmijët më shumë me teknologjinë, të ngacmoj kreativitetin e tyre, para se ti bëj të besojnë në fuqi mbinatyrore. Ky është fakti që e çmoj nga ky film, dhe fuqimisht do të përkrahja filma të animuar, të dedikuar për më të vegjlit që ndjekin këtë ide.

Teknikisht, filmi është i realizuar shumë mirë. Të dy regjisorët, Don Hall e Chris Williams vijnë me projektin e dytë pasi kanë realizuar ‘Winnie the Pooh’ dhe ‘Bolt’, të dy filma mesatar. Në aspektin teknik, ngjashëm si tek skenari, filmi nuk dëshpëron. Zërat vijnë nga një kast pothuajse anonim për filmdashësit, por që nuk paraqet ndonjë problem.

Megjithatë ‘Big Hero 6’ mbetet një film mesatar, në një ambient të çuditshëm siç e ceka në fillim. Teknikisht nuk dëshpëron, por edhe nuk ofron kushedi çfarë risie, kënaqësie. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...