Bad Teacher(2011) – Recensim

Titulli shqip: Mësuesja e keqe

Zhanri: Komedi

Skenari: Gene Stupnitsky, Lee Eisenberg

Regjia: Jake Kasdan

Premiera e shfaqjes: 24 qershor 2011

Kohëzgjatja: 92 minuta

Rejtingu: +18, për shkak të skenave për të rritur dhe gjuhës, dhe pak përdorim droge

Kasti: Cameron Diaz, Jason Segel, Justin Timberlake

 

Shumë zhurmë është bërë për këtë film tek ne, sidomos nga adoleshentët, për të cilët ky film ka qenë i ndaluar në shumë vende. Si mësues, jo prej më të zellshmëve që kam punuar, vet titulli dhe promot me kanë bërë kurioz për këtë film. Traileri ka qenë i shkëlqyeshëm, dhe mesa duket është njëri ndër ata filmat ku skenat më të mira vendosen në trailer për të krijuar një paragjykim pozitiv i cili fundoset me shikimin e filmit. Nuk është komedia më e mirë e vitit. Në fakt s’do ta fusja as në mesin e komedive më të mira të vitit. Ndoshta si një shikues që kërkoj të më dhemb barku nga të qeshurat pas komedive cilësore, kam pritur më shumë se që është dashur nga ky film, gjë që më bën ta vlerësoj si një komedi solide.

Filmi ka disa skena komike dhe në shumicën e rasteve disa skena që ju japin një, siç e quaj unë “nënqeshje” (buzëqeshje komike), por jo diçka më shumë. Tema e filmit duket të jetë komedi, por që kah fundi, kryesisht në pjesën e dytë merr nuanca romance dhe më shumë drame. Sarkazmi dhe disa skena komike banale, shumica përfshin Justin Timberlake të prishin konceptin e komedisë në film. Lufta ndërmjet karakterit të Cameron Diaz dhe Ellie Kemper ka disa skena komike, por më shumë shfaqen tek marrëdhëniet e mësueses Haesley me nxënësit, që përsëri nuk janë të nivelit të lartë të komedive.

Cameron Diaz nuk është në mesin e aktoreve të preferuara, sidomos në zhanret tjera pos komedisë! Dua të them që punën më të mirë që ka bërë e gjejmë në filma komedi si WHAT HAPPENS IN VEGAS, dhe THERE’S SOMETHING ABOUT MARY, pasi në zhanret tjera në përgjithësi mendoj që është e dështuar. Edhe tek BAD TEACHER bën një punë të mirë, roli i një mësueseje bipolare funksionon mirë deri atëherë kur shfaqet si një e dashuruar me zemër të thyer. Ka disa skena interesante, komike që mund të konsiderohen vetëm meritë e saj, por nuk ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Në fakt as nuk do të prisja më shumë, po të mos kisha parë promot me posterë dhe trailer.

Justin Timberlake mund të konsiderohet akoma si fillestar në aktrim. Nuk ka zhanër që nuk ka provuar për këto pak vite, por komedia, karaktere si Scott Delacorte në BAD TEACHER nuk duket të jenë ana e tij më e fort. Nuk do ta konsideroja si dështim aktrimin e tij, por për këtë mos sukses do të fajësoja skenarin, dhe kryesisht regjinë.

Jason Segel ka pak hapësirë në film, hapësirë që e ka shfrytëzuar si është më së miri. Në filma zakonisht ka qenë i suksesshëm (FORGETTING SARAH MARSHALL, KNOCKED UP), por jo në nivel të njëjtë me HOW I MET YOUR MOTHER.

Hapësirë më të madhe ka patur Ellie Kemper, të cilën do ta zhvendosja edhe në rolin e dytë dytësor në film pas Justin Timberlake. Fansat e THE OFFICE  e din çka mund të presin nga ajo, një performance e ngjashme me atë në serial. Më ka pëlqyer aktrimi i saj dhe mendoj që ka bërë një punë të mirë.

E më së shumti nga kasti i aktorëve më ka pëlqyer Eric Stonestreet, njëri nga aktorët më të preferuar të së sotmes në TV. Karakteri i tij në MODERN FAMILY është krejt ndryshe nga Kirk në BAD TEACHER. Por, ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme për ata pak minuta dhe ato pak skena. Do ta vlerësoja si aktorin më të mirë në film. Të mos harroj të përmendi edhe aktorët tjerë ndihmës si Lynn Davies që bëri një punë shumë të mirë, e edhe karakteret e drejtorit, vajza e klasës, dhe zyrtari i testeve nuk duhet anashkaluar.

Skenari ka qenë i mirë, e edhe regjisori ka bërë një punë të zellshme, kryesisht në zgjedhjen e lokacioneve të filmimit. Një fushë në të cilën ka ngecur do ta vlerësoja mosarritjen e përshtatjes së aktorëve me karakteret e tyre. Thjesht, ide kryesisht e mirë, e realizuar relativisht mirë, por me asetet të papërshtatshme.

 

Luan Morina

Recensues filmash në Telekomanda

Traileri

Mund të ju interesoj edhe...