Argo (2012) – Recensim

movies_argo_still_13Argo (2012)

IMDB Rejtingu: 7.3

Premiera e shfaqjes: 12 tetor 2012

Kohëzgjatja: 120 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës dhe imazheve dhune

Zhanri: Dramë, Triler

Regjia: Ben Affleck

Skenari: Chris Terrio, Joshuah Bearman

Aktrojnë: Ben Affleck, Bryan Cranston, John Goodman, Alan Arkin

Shtëpia filmike: GK Films

 

Derisa revolucioni iranian ka arritur pikën e valimit një specialist i infiltruar i CIA-s përpilon një plan të rrezikshëm për të liruar gjashtë amerikan të cilët kanë gjetur strehë në shtëpinë e ambasadorit kanadez.

Kam një ndjenjë që Akademia ka një antipati ndaj Ben Affleck. Po mundohet aq shumë dhe nuk po arrij të bind se është një artist cilësor që meriton merita dhe vlerësime të larta, të cilat si për ironi i pranon nga shumë esnafë tjerë pos anëtarëve të Akademisë Amerikane të Filmit.

Ose, teoria ime tjetër është që me ‘Good Will Hunting’ ka krijuar një standard aq të lartë për vete dhe Matt Damon, sa që pothuajse është e pamundur të arrihet, së paku jo në të ardhmen e afërt. Tani, a është ‘Argo’ më i mirë se ‘Good Will Hunting’? S’do të bëja një paralelizëm të tillë, së pari për shkak intervalit kohor jo shumë të lidhur, dhe për vlerësimet e larta që kam për ‘Good Will Hunting’. Për më tepër ‘Argo’ ndoshta nuk është më i mirë as se ‘The Town’, së paku jo për kah aktrimi. Affleck tek filmi i vitit 2010 bën një punë shumë më të mirë në aktrim, dhe në përgjithësi edhe si regjisor, por injorohet nga Oskarët.

Tani ky recension po bëhet pak kohë para shpërblimeve Oskar, kështu që mund të hasim në shumë përmendje në lidhje me këtë ngjarje. I nominuar për skenarin më të mirë të adaptuar dhe filmin më të mirë, ‘Argo’ arrin në një mënyrë relativisht të mirë të pasqyrojë njërën nga aksionet më intriguese në histori të inteligjencës amerikane. Në aspektin artistik filmi ka një realizim shumë të mirë. Storia nuk është e shkëputur shumë, nuk ka ndasi ndërmjet ngjarjeve, por, që nuk arrin ta bëj të veçantë është ngazëllimi. Janë së paku dy situata kur ‘kinse’ në çastet e fundit ndodh ngjarja e pritur, herë pozitive herë negative. Kjo po që rrit emocionet tek shikuesi, dhe ndoshta edhe e bën filmin më të bukur, më pak të kotë, por, personalisht mendoj që është paksa e tepruar, sidomos tek skena vendimtare që nuk dua ta publikoj për shkak të ndonjë ‘prishjeje’(spoileri). Emocionet tek ajo skenë ngritën në maksimum duke të detyruar të dyshosh rrjedhën e filmit, por kjo do të ndodh vetëm nëse nuk keni njohuri për temën e filmit.

E tema e filmit përqendrohet tek një agjent i CIA-s. Toni Mendez ka një plan për të evakuuar një grup punonjësish të ambasadës amerikane në Teheran të cilët i kanë ikur pengmarrjes duke u ngujuar në ambasadën kanadeze. Për shkak se SHBA-të përkrahin ish-presidentin i cili është larguar për atje pas Revolucionit Islamik, iranianët nuk do të lëshojnë dhjetëra punonjës të zënë gjatë marrjes në dorë të ambasadë amerikane.

Tashti regjia e skenari nuk janë për tu nënçmuar. Affleck ka arritur të krijoj një realitet që nuk të shtyn të dyshosh në epokën të cilën përshkruhet në film, as në detajet më të vogla. Janë disa skena të kapura për mrekulli, disa kënde të mira, dhe disa lëvizje të kamerës interesante – do të veçoja një skenë kur Mendez ecën nëpër selinë e CIA-s.

Aktrimi nuk është diçka i veçantë. Affleck bën një punë të mirë, por jo të shkëlqyeshme. Alan Arkin është i nominuar për Oskar, dhe për hisen e tij në kohën që ka arrin të jap maksimumin dhe asgjë më pak se që do të pritej nga ai. Më ka pëlqyer edhe aktrimi i John Goodman, njëri ndër aktorët që më ka hasur të shoh në disa role të ndryshme minimale por me shfaqje shumë të mira së fundmi (Flight, Trouble with the Curve, Extremely Loud and Incredibly Close, The Artist). Kushedi ndoshta do të më shtyjë të nis të përcjell serialin Roseanne. Edhe Bryan Cranston ka një rol dytësor, jo që bie shumë në pah, por bën një punë të mirë.

Në përgjithësi film i mirë. Punë e shkëlqyeshme e Affleck, si regjisor. Filmi më i mirë i vitit? S’jam aq i sigurt. Në fakt, do të thosha JO! Ka filma më të mirë.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...