Arbitrage (2012) – Recensim

arbitrage-movie-Susan_Sarandon-Richard_Gere

Arbitrage (2012)

IMDB Rejtingu: 7.6

Premiera e shfaqjes: 14 shtator 2012

Kohëzgjatja: 100 minuta

Rejtingu: +18 për gjuhë, imazhe të shkurtra dhune dhe narkotikë

Zhanri: Dramë, Triler

Regjia: Nicholas Jarecki

Skenari: Nicholas Jarecki

Aktrojnë: Brit Marling, Richard Gere, Susan Sarandon, Tim Roth

Shtëpia filmike: Lionsgate

 

Një magnat i një fondi në dëshpërim për të përmbyllur shitjen e perandorisë së tij bën një gabim që detyron atë të shndërrohet në një person jo shumë i gatshëm të ndihmoj.

 

Richard Gere në rolin e karrierës së tij – do ta përkufizoja shkurtimisht këtë film. E di që ka disa role të shkëlqyeshme gjatë karrierës së tij të gjatë, role të cilat do të zhvleftësonin definicionin e mësipërm. Megjithatë nëse marrim filmat e fundit të Gere, sidomos ata në dekadën e fundit, nuk besoj që do të gjenin ndonjë konkurrent për rolin e tij në filmin ‘Arbitrage’ (e di fansat e Hachikos nuk do të pajtohen).

Richard Gere luan rolin e një biznesmeni që në shumëçka i ngjan roleve të biznesmenëve të shumtë në botën e kinematografisë – mashtrues, familjar, hajdut, e edhe kriminel. Ai ka shitur firmën e tij për një çmim qindra milionësh duke manipuluar me numrat që tregojnë një pasqyrë të rrejshme për firmën. Ka kohë që tradhton gruan e tij me të dashurën e cila do t’ia përziej punët në momentet më të vështira të jetës së tij. Ajo mbytet në një aksident trafiku që do të fuste në burg karakterin e Gere, sikur mos të ikte nga vendi i ngjarjes.

Ndjekja për të vërtetën, që në shumë anë lidhet me karakterin e Gere, do të detyroj këtë të fundit të marrë masat më drastike në jetën e tij, diçka që nuk është e panjohur për të. Mënyra për të ruajtur imazhin, sekretet, dhe pasurinë e tij, e çojnë në kufijtë e arsyeshmërisë karakterin e Gere, diçka që portretizohet në mënyrë të përkryer nga Richard Gere. Aktrimi i tij është fenomenal dhe do ta vlerësoja si njërin ndër më të mirët e vitit. Edhe pse ‘nuk i jap pesë pare’ për Golden Globes, nominimi i tij ishte me vend. Mungesa në nominimet për Oskar është zhgënjim, por ka peformanca fantastike të meshkujve këtë vit.

E kur jemi tek aktrimi, e dimë që Susan Sarandon nuk i nevojitet një rol kryesor apo minutazh i madh që të shkëlqen. Edhe në këtë film mjaftojnë ata pak minuta për të shfaqur një performancë që është e zonja ta bëj gjithnjë. Mos të harroj as pjesën tjetër të kastit: Tim Roth, Brit Marling, e Nate Parker, të cilët kanë bërë një punë të zellshme.

Skenari është interesant, nuk është ndonjë gjë mjeshtërore, e mahnitshme, që vlen të lavdërohet, por nuk është për tu urryer. Ngjashëm edhe regjia, nuk është diçka e jashtëzakonshme. Nuk mund të gjej ndonjë gjë që do ta bënte filmin më të mirë, pasi thjeshtë jam përqendruar tek aktrimi i Gere. Aktrimi i tij e bën filmin e shkëlqyeshëm dhe ja vlen të kaloni 100 minuta në shoqërimin e tij. Për fansat e Gere, është një kryevepër e aktorit të tyre të preferuar. Për fansat e filmave me tematikë ekonominë, krimet ekonomike, dramën, dhe ndoshta një pikë triler, është diçka që s’do të ju zhgënjejë.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...