Amour (2012) – Recensim

amour-recensimAmour (2012)

IMDB Rejtingu: 8.1

Premiera e shfaqjes: 21 dhjetor 2012

Kohëzgjatja: 127 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të materialit tematik dhe akteve shqetësuese, dhe gjuhës

Zhanri: Dramë

Regjia: Michael Haneke

Skenari: Michael Haneke

Aktrojnë: Jean-Louis Trintignant, Emmanuelle Riva, Isabelle Huppert, Alexandre Tharaud

Shtëpia filmike: Sony Pictures Classics

 

Xhorxhi dhe Ana janë në vitet e 80ta të jetës së tyre. Ata janë mësues të kultivuar, të pensionuar të muzikës. E bija e tyre, e cila gjithashtu është muzikante, jeton jashtë vendit me familjen e saj. Një ditë, Ana pëson një sulm. Dashuria e çiftit sprovohet si pasojë e këtij aksidenti.

Mjafton vetëm hyrja prej gjashtë minutave që të shihni se jeni të ftuar në një mjeshtëri të radhës nga Michael Haneke. Qysh në skenën e parë pas intros, shohim kamerën statike nga një kënd tepër special. Është një skenë ‘e vdekur’ pa asnjë lëvizje dhe vetëm me dialogun ndërmjet dy pleqve. Kjo ngrit emocionin dhe pritjen për të parë karakteret në vepër përsëri, diçka që të shtyn të koncentrohesh shumë më herët se sa në filmat tjerë.

Por, akoma pa arritur tek kjo skenë, kemi kamerën e vendosur në podium, që pa na lejuar as një pamje të asaj se çfarë po shohin turma e mbledhur në atë teatro, fanitet me duartrokitje duke kaluar tek skena tjetër në autobus. Nuk është e nevojshme të vendosësh karakteret kryesore në mes të pamjes, prandaj nëse nuk keni njohuri për temën e filmit, do të jeni pa kurrfarë dije në skenën e parë, duke u munduar të gjeni misterin për karakteret që mund t’u duken disa çifte tjera më ‘joshëse’.

Gjithë këto ndodhin në më pak se shtatë minuta. Kapja e skenave, lëvizja e kamerave duke kapur pamjet perfekte, artistikisht më intime, ndryshimi i këndeve, të gjitha këto të unifikuara japin një film të realizuar në një ambient të mbyllur në nivelin më të lartë që mund të ofroj një regjisor. Krejt këto pa përmendur temën e filmit.

Tema ka të bëj me një çift në moshë, të vetmuar, mësues të pensionuar muzike. Një ditë Ana pëson sulm duke mbetur e paralizuar në njërën pjesë të trupit. Nga këtu e tutje filmi tregon rrugëtimin, jetën e tyre në moshën e shtyrë edhe përballjet me problemet që vijnë në të ‘80tat.

Emmanuelle Riva është e nominuar për Oskar në kategorinë e aktores më të mirë. Ajo është aktorja më e vjetër që është nominuar në këtë kategori, derisa tashmë është shpërblyer me BAFTA. Aktrimi i saj është në nivelin më të lartë të mundshëm. Ajo mishëron karakterin e saj në mënyrë të përkryer duke i dhënë një shkëndijë shtesë kësaj mjeshtërie të Hanekes. Janë disa skena që e bëjnë të shkëlqejnë, shumica e tyre pas paralizimit të saj.

Por, nuk dua ta lë mbrapa as punën e Jean-Louis Trintignant. Ai luan rolin e Zhorzhit, burrit të Anës i cili përkujdeset për të në ditët e saja të fundit. Ai ka më shumë hapësirë, më shumë lëvizje dhe më shumë skena që e bëjnë të shkëlqejnë. Harmonia e tyre e bën filmin perfekt. Nuk besoj se do të kishte asnjë mënyrë tjetër, asnjë aktorë tjetër që mund ta pasqyronte këtë storie më mirë se sa Trintignant dhe Riva. E kur gjithë kësaj i shtojmë moshën e aktorëve dhe përvojën e tyre pothuajse anonime, atëherë bindemi që punën që kanë bërë në Amour befason të gjithë duke tejkaluar ndoshta edhe pritjet e Hanekes.

E ky i fundit meriton edhe Oskarin për këtë film. Kolltukët e gjelbër kanë një kontribut të madh në realizimin e këtij filmi. Shumë dialogë, shumë ngjarje të shkëlqyeshme ndodhin në këtë pjesë të ambientit të mbyllur. Është njëra nga pamjet më të përkryera që mund të shihni në film, pamja që e keni ngjitur me këtë artikull. Është pjesë e një vepre mjeshtërore jo vetëm vitin e kaluar, por në histori të kinematografisë evropiane. Film goxha depresiv për dikë, por edhe një film i realizuar mrekullueshëm pa dyshim.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...