Act of Valor (2012) – Recensim

Një akt trimërie (2012)

Titulli origjinal: Act of Valor

Zhanri: Aksion, Aventurë, Triller

Skenari: Kurt Johnstad

Regjia: Mike McCoy, Scott Waugh

Premiera e shfaqjes: 24 shkurt 2012

Kohëzgjatja: 101 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të dhunës përfshirë torturë dhe gjuhë të papërshtatshme

Kasti: Alex Veadov, Roselyn Sanchez, Nestor Serrano, Jason Cottle

 

Lufta, froni i parë nga këndvështrimi, sytë e një ushtari që rrezikon jetën dhe të ardhmen e të më dashurve për jetën e të tjerëve dhe idealit të tij. Një rrëfim dashurie për atdheun që nuk ka limit në luftën për mbrojtjen e tij.

Act of Valor (Një akt trimërie) flet për punën që bëjnë njësitë speciale të ushtrisë amerikane nëpër aksione të ndryshme nëpër botë. I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi sjell rrëfimin e ushtarit A.

Filmi nis me narracionin e Dejv për të birin e mikut dhe kolegut të tij nga armata, Rorki. Të dy janë pjesë e njësisë speciale Navy SEALs, dhe aktualisht gjenden në pushim me Dejvin që së shpejti do të bëhet baba. Pushimi i tyre mbaron me kidnapimin e një mësueseje/agjenteje të infiltruar në një kamp/shkollë të terroristit Kristo. Ai dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti terrorist i lidhur me terroristin tjetër Abu Shabal. Me tu futur në këtë rreth, njësia speciale dëshiron ti dal në fund të gjithë aksionit për të ç’thur këtë organizatë terroriste. Aksione të njësive speciale në frone të ndryshme vijnë gjatë tërë filmit.

 

Ndonëse kemi një kast aktorësh të panjohur e edhe të pa-përvojë ata përshtaten për mrekulli me karakteret e tyre. Në fakt, aktorët janë ushtarë të vërtetë të njësitit Navy SEALs, ngjashëm me ata të cilët kishin zënë Bin Ladenin. Kjo e bën këtë film superior pasi nuk ka ‘aktrim’ në pothuajse asnjë skenë, por në një mënyrë vijnë ngjarje ‘reale’ vetëm se janë të kapura me kamerë kësaj radhe.

Derisa kemi prezantimin e aftësive luftarake në shkallë të përsosur, ndoshta në dialog vërehet mungesa e përvojës në aktrim, por kjo nuk ka ndonjë ndikim të madh në cilësinë e filmit. Emrat e aktorëve/ushtarëve nuk janë publikuar pos të atyre aktorëve të cilët ushtrojnë këtë zeje edhe zyrtarisht.

Tema e filmit dhe realizimi superior nuk lë nevojë për yjet të kinemasë. Ndoshta pikërisht kjo është ajo çfarë e bëri këtë film të shkëlqyeshëm, pasi na bën të përqendrohemi më shumë tek tema dhe zhvillimi i ngjarjeve se sa tek aktrimi i ndonjërit nga aktorët.

Edhe skenografia ka qenë e nivelit të lartë ngjashëm me pjesët tjera të filmit, por ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje është pjesa teknike. Realizimi teknik, këndet e pamjes janë të qëlluara e zërimi është thjesht i përkryer. Aty ku mund të prisni zhurmën më të madhe, kemi qetësi maksimale në mocion të ngadalësuar. E gjithë kjo krijon një lidhje më të afërt me filmin dhe ofron kënaqësi shtesë duke të përpirë edhe më shumë brenda ngjarjes.

Filmi i fundit ushtarak që kam parë ka qenë ‘The Hurt Locker’ i Kathryn Bigalow i shpërblyer me disa Oskar. Megjithatë këta dy filma nuk do të mund ti krahasoja pasi kanë shumëçka të përbashkët edhe pse disa ndryshime të imta sidomos në regjinë e filmit.

Act of Valor sjell një storie ndryshe nga filmat tjerë luftarak. Sjell fronin e parë nga perspektiva e një ushtari, duke arritur të prezantoj emocionet që lidhin këto ‘mjete luftarake’ me jetën e tyre private si çdo njeri tjetër.

 

Një ndër filmat më befasues, nga i cili nuk është pritur shumë, por është ofruar tepër. Nëse dëshironi aksion ushtarak, dramë, luftë, dhe një dozë të vogël aventure atëherë Act of Valor është përzgjedhja e duhur. E ajo çfarë e bën të veçantë është se ngjarja inskenohet nga ushtarë të vërtetë, e jo aktorë që nuk kanë ‘shijuar’ kurrë luftën.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...