45 Years (2015) – Recensim

Një këshillë që kam gjetur të jetë e dobishme për të pasur një jetë më të qetë është ‘të mos mendosh shumë’. Mendimi i tepërt komplikon edhe gjërat më të thjeshta, shton shqetësimin, frikën, dhe mund të dërgoj deri tek depresioni. Filmi ’45 Years’ ju shtyn të mendoni. Shumë.

Por, nuk është një mendim i panevojshëm, përkundrazi është diçka që do të duhej ta bëni më mirë herët se vonë. Tregimi i këtij filmi të realizuar nga Andrew Haigh bazuar në strorien e shkurtër të David Constantine, rrëfen për një çift që përgatitet të festoj 45 vjetorin e kurorës.

Kate dhe Geoff janë një çift pensionistësh në një fshat të Anglisë, pa fëmijë, që bëjnë një jetë normale, të thjeshtë. Krejt kjo ndryshon kur Geoff nis të flas për të dashurën e tij gjatë kohës së luftës. Kjo bën që Kate të rishqyrtoj martesën e saj, tërë këto vite, jetën e saj, duke dyshuar nëse ka qenë vetëm zgjedhja e dytë, dhe zëvendësim i diçkaje që Geoff nuk ka mundur ta ketë për arsye të ndryshme.

Filmi ndjek këtë periudhë të Kate dhe Geoff, një periudhë tensionuese që shpesh herë shpërthen në më shumë se biseda të nxehta. Është një skenar tepër mirë i shkruar, shoqëruar me një aktrim tepër origjinal të Charlotte Rampling e Tom Courtenay. Për arsye të shumta, sidomos për shkak të temës, Charlotte Rampling arrin të portretizoj karakterin e saj për mrekulli, duke sjell tregimin nga perspektiva e saj me një mishërim që të thith në një ngjarje që po ndodh aty për aty, edhe duke harruar që është vetëm një film, dhe aktrim sipërfaqësor.

’45 Years’ është një film që përcjell një mesazh të rëndësishëm – kemi një jetë dhe duhet të zgjedhim mirë me kë ta kalojmë. E pjesa e dytë e mesazhit është që përkundër të kaluarës, ajo çfarë ka rëndësi është e tashmja, qoftë edhe pas 45 vjetëve të kaluara në kurorë. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...