Joy (2015) – Recensim

“Jo! Nuk kam nevojë për princ!”

Joy nuk kishte nevojë për princ. Ky është tregimi i saj.

David O. Russell sjell tregim për një ndërmarrëse, inovatore të portretizuar nga Jennifer Lawrence në rolin e Joy. Ajo është një grua e divorcuar që jeton me nënën e saj që shikon telenovela tërë ditën, gjyshen e saj, fëmijët e saj nga burri i saj i ndarë që jeton në bodrum. E dëshpëruar në shumë raste nga më të afërtit, për të cilët akoma vazhdon të kujdeset, Joy është e vendosur t’ia dal me sukses në misionin e saj prej një gruaje që krijon dhe arrin sukses në jetën profesionale, derisa ajo familjare i qëndron gjithmonë aty për ta munduar.

Zakonisht filmat e Russell janë filma ansambli ku të gjithë karakteret kanë ndikimin e tyre në shtjellimin e tregimit. Mirëpo tek ‘Joy’, Jennifer Lawrence mbetet si karakteri kryesor, por i ndihmuar bajagi shumë nga karakteret dytësore. Kjo ndihmësë vjen vetëm në shtjellimin e tregimit, derisa Joy mbetet e vetmuar në shumicën e rasteve në misionin e saj. Dihet që Lawrence është muza e Russell, dhe askund nuk shkëlqen më mirë se sa nën drejtimin e tij. Aktrimi i saj tek ‘Joy’ nuk kursen asgjë nga zotësia e saj artistike. Megjithëkëtë, kjo performancë e saj nuk është më e mira që ka bërë në karrierën e saj goxha të shkurtër.

Robert DeNiro vjen në rolin dytësor me hapësirë më të madhe në film në krahasim me karakteret tjera. Harmonia e tij skenike me Lawrence është e kënaqshme, përderisa mbetet në hije me atë të Lawrence me karakterin e të bijës. Bradley Cooper me Jennifer Lawrence tek ‘Silver Linings Playbook’ për mua mbetet një nga aktrimet më të mira në çift këto pesë vitet e fundit. Edhe pse në pozitë më ndryshe, harmonia e tyre mbetet e kënaqshme, dhe deri diku nostalgjike për neve fansat e Russell. Ai që më ka lënë mbresa shumë të mira nga ky film është Edgar Ramirez. Vet karakteri i tij ta bën të krijosh një lidhje pozitive, që mungon me shumicën e karaktereve tjera, derisa përshkruhet më së miri nga gjyshja e Joy e cila vjen në një rol narrativ. Narracioni i saj, shoqëruar nga kolona zanore e bëjnë këtë film më të kompletuar.

Regjia e David O. Russell është në nivelin e zakonshëm, ashtu siç jemi mësuar të marrim nga ai. Fillimi i tregimit ka skena të bukura vizuale, për të vazhduar gjatë filmit duke kapur këndet e ngjarjeve kryesore nga pozita dytësore, që pos dialogut ofrojnë pamje minimale. Edhe pse nuk është në mesin e tre filmave më të mirë të Russell, ‘Joy’ ka efektin e tij në botën e kinematografisë.

‘Joy’ sjell një tregim për një vajzë, grua, nënë, bijë, që nuk e di kuptimin e fjalës ‘dorëzim’. Është një tregim për fuqinë e femrës, aftësitë e saja të pakufizuar si qenie. Ky tregim vjen në formë të thjeshtë, nga një karakter që mund të jetë çdo femër e cila ka një mision që ka çdo njeri në lëkurën e saj – një jetë të mirë. I gjithë ky tregim në formë filmi vjen nën penën e mprehtë të David O. Russell, me portretizim të përkryer nga Jennifer Lawrence. Një tregim që na mëson të gjithëve se jo vetëm Joy, por asnjë femër nuk ka nevojë për princ. Nota personale: 4/5

Mund të ju interesoj edhe...