10 programet televizive më të suksesshme në sezonin e kaluar

Luan Morina numëron

10 programet televizive më të suksesshme në sezonin e kaluar

10. Një kafe me Labin – RTV21

Kështu: Labi ndoshta ju shkon nerva. Mirëpo formati i ri i emisionit është treguar mjaftë i suksesshëm. Ai po sjell përvojën nga vise krejt të ndryshme, nga vise që kurrë nuk do të dilnin në televizion. Tani aty po tregohen histori të ndryshme, mjaft interesante nga njerëz të thjeshtë si ne. Edhe sponzori është zgjedhur me mend. Motoja e e emisionit dhe sponzorit po lidhet për bukuri.

Një sukses i Labit, dhe i vetmi i 21-shit këtë sezon.

9. SpitaliKS – KTV

Sezoni i parë ishte ashtu-kështu. Sezoni i dytë ndryshoi tërësisht për të mirë. Arsyeja kryesore është inkuadrimi i Ard Islamit në përgatitjen e skenarit. Gjithashtu roli i tij dhe i motrave të tij ishte një katalizator i suksesit serialit. Së fundmi ardhja e Ryva Kajtazit në rolin e Evës, (gruaja e Hitlerit) ishte “qershia mbi tortë”. Me këtë tempo SpitaliKS ka shumë sezone tjera të suksesshme përpara.

8. Oxygen – RTK

E premta mbrëma nuk është e lehtë për të zgjedhur cilin kanal të shikoni. Megjithatë, Besim Dina,  ka vazhduar të mbaj Oxygenin në të njëjtin tempo që ka qenë viteve të kaluara. Mysafirët e tij të veçantë këtë sezon, e kanë bërë të identifikohet si një emision shumë më tepër serioz se emisionet tjera të ngjashme.

7. That’s 70s Show – KTV

Allo Allo, ka qenë seriali më i suksesshëm i transmtuar në këtë termin në KTV ndonjëherë. Megjithatë ai nuk ka qenë i caktuar vetëm për adoleshentët. Me Neighbours KTV, ka hasur pak probleme. Është një serial i gjatë që duhet kohë të njihet me shikuesit.

Megithatë That’s 70s Show, ka rikthyer nivelin e shikueshmërisë së Rebelëve, e ndoshta edhe e ka tejkaluar atë. Ndoshta e mira ka qenë, se ke mundur të shohësh 4 episode radhazi.

6. Milioneri – RTK

Ardhja e Fehmi Feratit në Milioner ka ndryshuar gjithçka. Ai ka sjellur atmosferë më të gjallë, duke e larguar zymtësinë dhe seriozitetin që ka pasur ky shou sezonin e kaluar. Këtë vit shou thjesht ka qenë më i gjallëruar, më i hareshëm. Kemi pasur kohë pas kohe ndonjë shaka me vend. Pse nuk ka fituar askush 50.000 euro nuk ka faj askush.

5. Kujdes nga Engjëlli – KTV

Mariqui është personazhi më me ndikim në televizionin dhe jetën e kosovareve këtë vit. Shumë femra , dhe shtëpiake nuk janë zgjuar në ora 8 të mëgjesit. Por, këtë vit gjërat kanë ndryshuar. Përveç se ka marrë një termin mjaft të mirë për të filluar ditën, KTV, ka detyruar RTV21 që të shfaq serialet e mëngjesit më vonë, dhe me shikueshmëri më të vogël se Mariqui.

4. Rubikon – KTV

Adriatik Kelmendi, është gazetari më i mirë që ka Kosova sot. Cilësitë e tij i dijmë të gjithë ne që e përcjellim çdo të enjte. Është një gazetar i përkryer. I mençur, i qetë, i përgatitur, i ditur, etj. Mysafirët e tij vërtetë kanë qenë në siklet shumë herë. Biles duhet të them se shumë herë është vërejtur se Adriatiku i di gjërat më mirë se mysafirët që ishin përballë tij. E kam fjalën për mysafirë që duhet të ishin ekspert në fushën dhe punën e tyre. Thjeshtë është njeri profesionist, me përvojë, ka pasur përballë njerëzit më me ndikim në politikën ndërkombëtare. Është i zoti. I lumtë.

3. Jeta në Kosovë – RTK

Është emisioni më i mirë informativ në Kosovë për vite. Për dallim nga Rubikoni, shpesh kemi mysafirë të shumtë, pra jo vetëm një. Kemi raporte nga terreni, dhe tema që prekin jetën e njeriut të thjeshtë. Për këtë është emision që të gjithë e duan. Thjesht e duan, e përkrahin, e shikojnë, sepse është në anën e shikuesit. Dhe për të qenë i shikuar duhet të jesh në anën e drejtë.

Më parë ishte ndoshta vetëm Jeta Xharra, por tani ajo ka krijuar një skuadër gazetarësh të zot, profesionist, të cilët kanë bërë një përvojë të lakmueshme. Janë një superskuadër, gardian të zërit të popullit.

2. Interaktiv – KTV

Emisioni i ri më i suksesshëm këtë vit. Askush nuk e ka pritur një sukses të tillë, por emisioni i udhëhequr nga Xhemajl Rexha, që është duke u bërë figura kryesore në deskun informativ në KTV, për një kohë të shkurtër, ka shpërthyer këtë vit. Rubrikat si ikoha, dhe mysafiri në studio kanë ndikuar në shikueshmëri edhe më të madhe. Vetë struktura e emisionit është e ndërtuar në atë mënyrë që përmbushë kërkesat e çdo moshe të shikuesve.

KTV mund të krenohet me punën që kanë bërë me Interaktiv.

1. Kafeneja Jonë – RTK

Padyshim Kafeneja vazhdon të mbetet emisioni më i shikuar në Kosovë. Me këtë tempo ata do të vazhdojnë të jenë emisioni më i shikuar në televizion. Ilir Bokshi dhe Astrit Kabashi kanë bërë një punë fantastike këtë sezon. Mungesa e Labinotit është mbuluar shumë mirë me futjen e karaktereve epizodike të cilat i kanë dhënë një shtytje serialit. Për të vërejtur se sa ndikim ka ky serial në popullin tonë dy-milionësh dëshmon e famshmja (të cilën e urrej personalisht) “flej, flej”. Gjithashtu kemi parë më shumë nga Muharremi, me ardhjen e Fifit. Ka munguar edhe Saranda, por edhe ajo është mbuluar nga personazhet episodike.

Sidoqoftë, Kafeneja Jonë ka mbetur seriali më i shikuar në televizionet kosovar, dhe është një gjë që nuk mund të fillojmë javën pa të.

Luan Morina

luan.morina@telekomanda.com

Mund të ju interesoj edhe...